“Sot jam 68 vjeç. Sëmundja po më mund, ndaj më fal që të shtova thinjat”, – letra e këtij bashkëshorti do t’ju përlotë

 

Programi “Dua të të bëj të lumtur” solli sot historinë prekëse të çiftit Zeqir dhe Shpresa… Bashkëshorti 69-vjeçar erdhi për t’i thënë faleminderit dhe më fal shoqes së tij të jetës e cila kishte sakrifikuar edhe veten për të qenë në shërbim të familjes… Më poshtë letra prekëse që Zeqiri shkroi për Shpresën e tij…
Shumë e dashur mikja e jetës sime,
E dashur jeta ime, Shpresa!
Sot, pas 43 vitesh martesë vendosa të shkruaj për ty.
Kam shkruar shumë rreth ngjarjeve të jetës sime, por kurrë deri më tani nuk e kam marr guximin të shkruaj kapitullin e jetës sonë së bashku.
Dua të të shkruaj sot, sepse vitet ikin dhe jeta është e pabesë. Tani e dimë, e kemi ditur gjithnjë, së fundmi e dimë mirë.
Më kujtohet kur të kam parë për herë të parë, një bukuroshe me flokët e gjatë gështenjë, e me sytë jeshil plot shkëlqim.
Asokohe unë punoja shofer në Podgorie, fshatin ku je rritur e punoje ekonomiste.
Të desha përkrah meje që në momentin e parë që të pashë dhe me atë entuziazmin e një djali të ri plot ëndrra për jetën, të fitova zemrën.
Kisha edhe frikë Shpresa ime e dashur, sepse në atë kohë fshatrat e Librazhdit ishin të pazhvilluar dhe nuk e dija me siguri nëse prindërit e tu do ta pranonin dashurinë tonë.
Zoti deshi që të na bashkonte në rrugën e jetës dhe unë jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë.
Jeta jonë filloi me lumturi dhe dashuri të madhe për njëri-tjetrin. E kurorëzuam dashurinë me 6 fëmijë. I kemi të gjithë si drita.
Por jeta nuk qenka e lehtë, Shpresa ime.
Kaluam 12 vite në harmoni e dashuri në familje, edhe pse të varfër ekonomikisht, por kishim mbështetjen e njëri-tjetrit për gjithçka.
Unë e humba mundësinë të jem bashkëshorti që ti doje.
Një ditë të zakonshme unë u nisa për në punë, me dëshirën si çdo ditë për të ndihmuar familjen tonë, por ajo ditë më ndryshoi jetën.
E ndjeva dhimbjen tënde më shumë sesa dhimbjen time kur u aksidentova. Lotova për ty më shumë sesa për veten, sepse çdo plan që mund të kishim për jetën na u ndërpre në mes. Unë isha 37 vjeç dhe ai aksident më la përjetësisht njeri me aftësi të kufizuara.
Prej asaj dite, unë nuk munda të të mbështesja më. U bëre vetëm ti mbështetja ime.
Edhe fëmijët na u bënë krah. E mban mend, kur vajza e madhe 10 vjeçe dhe djali 5 vjeç shkonin dhe merrnin dru në 5 të mëngjesit? Vajza i priste, ndërsa djali i sillte një nga një në shtëpi.
E dashura ime e shtrenjtë,
Ti ishe vetëm 33 vjeç në atë kohë, me gjashtë fëmijë të vegjël e t’u shtua një barrë mbi supe, edhe pse ti se quajte kurrë kështu. T’u shtua një tjetër “fëmijë i madh” që të kujdeseshe për të, t’u shtova unë.
T’u desh të harroje se kishe një djalë 1 vjeç për të rritur dhe ushqyer. Atij, iu desh të ishte më i zoti se unë. Muajt e parë që rrija vetëm shtrirë, pa mundur të lëvizja, ti me durimin tënd të madh plotësoje çdo kërkesë timen, edhe kur thjesht doja të lëvizja nga njëri krah në tjetrin. Kjo për mua do të thoshte shumë.
Më kujtohen lotët e tu, kur qaje pas shpinës sime, qaje për mua e për fëmijët, por harrove veten e dashur Shpresë. Ti sot nuk ke asnjë shok apo shoqe, sepse e lidhe jetën vetëm pas halleve të familjes. Më ushqeje e më laje si të isha fëmijë.
Kam kujtuar se isha një burrë i fortë, por forcën tënde se kam pasur kurrë. Jo se je gruaja ime, por nuk besoj të ketë njeri në botë me një durim si i yti. Të isha vetëm do të isha dorëzuar, por ti u bëre forca ime, ti më dhe shpresë.
S’do e harroj kurrë, sepse jam prind dhe e di sa vuan zemra e një prindi, kur djali ynë 3 vjeç ishte i sëmurë e qëndroi 2 muaj në spital, ti e lidhur pas meje, nuk munde të shkoje dot asnjë ditë që ta shihje.
Më fal që të shtova thinjat dhe rrudhat në fytyrë por për mua mbetesh gjithmonë e bukur. Ti ke bërë gjënë më të rëndësishme, që mund të bëjë një njeri, ke sakrifikuar jetën tënde. Nuk e di, nëse nuk do kishe qenë ti, ku do isha duke u tretur i vetëm? Jeta ime ka qenë një vjeshtë e zymtë, e trishtë, ka qenë një prag dimri gjithnjë, shihja vetëm gjethe që binin, shihja se si jeta shuhej nga pak përditë.
E di, që të kam sjellë shumë dhimbje jeta ime dhe të jam borxhli gjithë jetën për gjithçka që ke bërë për mua. Ti je e përsosur.
Me kalimin e viteve unë fillova të lëviz me karrigen me rrota, përpiqesha të të ndihmoja me sa mundja. Por jeta më solli të tjera vështirësi, vite më pas unë u diagnostifikova me tumor, por ty të pata sërish përkrah.
Për mua ti je heroina e shtëpisë sonë, je ti ajo që i ke dhënë jetë çdo gjëje në familje. Nuk kam çfarë shkruaj për ty, veçse falënderime. Dua të të falënderoj publikisht që ta dinë të gjithë se çfarë gruaje e mrekullueshme je.
Por dua dhe të të kërkoj falje, që nuk të ofrova dot jetën që të dy ëndërronim kur ishim të rinj, jetën që ti meritoje. Bashkë dëshironim të shëtisnim botën krah për krahu, por mbetëm vetëm brenda shtëpisë, botë jonë u bë shumë e vogël pas fatkeqësisë time.
Të falënderoj me gjithë shpirt sepse ti më ke shëruar. Pa ty s’do të isha Zeqiri që jam sot. Dhe me gjithë shpirt të kërkoj falje për çdo shqetësim që të kam sjellë, për fjalorin e papërshtatshëm që mund të kem përdorur ndaj teje, për çdo herë që jam sjellë ashpër me ty për çdo veprim jo të mirë që mund të kem bërë.
Më fal që shkëlqimin e syve të tu e kam lagur herë pas here me lot.
Por të gjithë këto kanë ardhur nga vështirësitë e mëdha që unë hasja në jetë. E nuk rebelohesha vetëm me veten por edhe me ty padrejtësisht.
Më fal për çdo shqetësim shëndetësor që të kam sjellë…
Edhe një herë më fal dhe Zoti të dhëntë jetë të gjatë dhe të mbarë!
Të falënderoj përzemërsisht bashkudhëtarja e jetës time. Kurrë Zoti mos të dhëntë të këqija.
Sot jam 68 vjeç. Tumori po më mund. Unë nuk e di se kur është fundi. Nuk e di se sa kohë më ka mbetur. Por dua që për sa kohë kam ende fuqi, sa kam ende mendjen të shëndoshë, të të shoh në sy e të them faleminderit e më fal.
Ti e dashur, e ke shëruar zemrën time, ke shëruar zemrën e fëmijëve, ti mund të shërosh këdo, sepse ti e ke zemrën e madhe!
I yti,
Zeqir Alliu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *