Si ndryshoi kinezçja prej një sistemi që Mao e mori nga armiqtë e tij ideologjikë

Pak njerëz jetojnë deri në moshën 111 vjeç. Akoma edhe më pak lënë një shenjë aq të madhe në jetën e linguistikës sa Zhou Youguang, i cili ndërroi jetë këtë janar. Zhou ishte kryearkitekti i “pinyin”, sistemit që kinezët përdorin për të shkruar gjuhën mandarine me alfabetik romak.

“Pinyin”, sigurisht që nuk ka zëvendësuar shkronjat kineze. Më shumë se kaq, sistemi është përdorur si portë për të luftuar analfabetizmin, duke u dhënë fëmijëve të vegjël një mënyrë sistemike për të mësuar tingujt e mijëra shkronjave që kërkohen për të qenë i arsimuar në kinezçe. “Pinyin”, po ashtu, është përdorur nga pjesa më e madhe e popullit kinez për të shkruar gërmat kineze në kompjuterë: nëse disa gërma kanë të njëjtin tingull, (gjë e zakonshme në gjuhën kineze), përdoruesit zgjedhin nga një meny e shkurtër e këtyre shkronjave homofonike.

Me fjalë të tjera, mënyra kryesore me të cilën kinezët ndërveprojnë me gjuhën e tyre në moshën dixhitale është përmes një alfabeti të marrë hua nga ana e Kinës komuniste nga armiqtë e saj ideologjikë të viteve 1950. Fabula pas kësaj është e çuditshme.

Mao CeDuni apo Mao Zedong (i cili ishte Mao Tse-tung përpara sistemit “pinyin”, apo sistemit të romakëzimit “Wade-Giles”) dëshironte një ndarje radikale me mënyrat e vjetra pas vitit 1949, kur përfundoi lufta civile brenda territorit kontinental të Kinës. Ai nuk ishte i pari që mendonte se shkrimi i bukur, i komplikuar dhe jo-efikas i Kinës ishte një pengesë për zhvillimin e vendit. Lu Xun, një romancier i njohur, shkroi në fillim të shekullit të 20-të: “Nëse ne do mundemi të vazhdojmë të jetojmë, do të duhet të vdesin shkronjat kineze”.

Por, sipas linguistit Zhou, referuar një interviste të tij në “New Yorker” në vitin 2004, ishte Jozef Stalini i cili në vitin 1949 bisedoi me Maon kundër romakëzimit në shkallë të gjerë të gjuhës, duke thënë se një Kinë krenare kishte nevojë për një sistem të vërtetë kombëtar. Regjimi në vend të ruajtjes së plotë të sistemit, thjeshtëzoi shumë shkronja të gjuhës kineze, me gjasa për t’i bërë ato më të lehta për t’u mësuar – por shkaktoi edhe një ndarje në botën sinofone: Tajvani, Hong Kongu dhe komunitete të tjera kineze jashtë kontinentit ende përdorin shkronjat tradicionale.

Zhou i cili punonte për një bankë kineze në Nju Jork (ai më së shumti ishte një linguist i vetë-trajnuar) ishte kthyer në shtëpi në një shpërthim optimizmi patriotik pas vitit 1949. Ai u ngarkuar nga Zhou Enlai, kryeministri i Maos, në vitet 1950, për të krijuar një sistem që nuk do të zëvendësonte por do të plotësonte shkronjat e gjuhës kineze. Pas një pune trevjeçare, “pinyin” ishte gati.

Sistemi përdorte shkronjat standarde romake dhe pak shenja pikësimi, sidomos sipër zanoreve për të treguar “tonalitetin”: qetë, në rritje, ulët apo me britmë. Njerëzit bënin shaka se ekipi i Zhou kishte marrë 26 muaj kohë për të menaxhuar vetëm 26 shkronja. Por, “pinyin” u përball mirë me të gjithë tingujt e gjuhës mandarine me një minimum hilesh: madje përdoreshin q-ja dhe x-ja për grupet ch dhe hs.

Këto shkronja nuk tingëllojnë gjithnjë njësoj si në gjuhët perëndimore, por “pinyin” në përgjithësi ishte një hit, me merita për rritjen e madhe të numrit të njerëzve që mësuan shkrim e këndim në Kinë. Madje, edhe tajvanezët që fillimisht nuk i pranuan shkronjat e thjeshtëzuara të Maos, kanë nisur gradualisht të përshtasin “pinyin”-in e Zhout. Kjo e bën këtë përdorim një nga pak gjërat praktike për të cilat dy vendet mund të bien dakord.

Po përse kinezët nuk e marrin krejtësisht sistemin “pinyin”? Një arsye është numri i madh i tingujve të njëjtë që ka gjuha. Një tjetër është se shkronjat kineze përdoren në gjtihë botën kinez-folëse, e jo thjesht nga ata që flasin gjuhën mandarine, por edhe nga ata të variacioneve të kësaj gjuhe. Këto variante janë aq të ndryshme nga njëra-tjetra, sa janë gjuhët me bazë latinishten, por sistemi i të shkruarit i unifikon ato. Në fakt, të shkruarit është efektivisht gjuha mandarine. Kjo nuk është shumë e dukshme kur kqyr shkronjat, por tërësisht e tillë kur kqyr sistemin “pinyin”. Nëse Kina do ta përshtaste të gjithë sistemin në vendin e saj, ndasitë gjuhësore në Kinë do të ishin shumë më tepër të dukshme.

Por, ka edhe një arsye tjetër që e lidh Kinën me shkronjat e saj. Ajo përfaqëson traditën, historinë, letërsinë, akademizmin dhe madje artin në një nivel emocional që shumë të huaj nuk e kuptojnë dot. Të jashtmit nga kultura kineze fokusohen aq shumë tek efikasiteti me gjasa për shkak se kush përpiqet të mësojë gjuhën ngec e nuk mund të kuptojë sesa të vështira deri në absurd janë ato për t’u përvetësuar.

Ka edhe një ballafaqim real midis efikasitetit dhe kulturës. Anglisht-folësit kanë refuzuar pjesën më të madhe të përpjekjeve për të spastruar gërmëzimin famëkeq të gjuhës së tyre, duke thjeshtëzuar fjalët në coff, ruff, thru, tho dhe boë nga të shkruarit e tyre “cough, rough, through, though, bough”. Irlandezët pranojnë koston e ruajtjes së irlandishtes në shenja apo në klasat e shkollave, madje edhe nëse nuk është efikase. “Pinyin”, që ka ndihmuar kinezët të kenë pak nga të dyja, efikasitet dhe kulturë, me gjasa do të rrojë shumë më gjatë sesa jetëgjati Zhou.(tesheshi)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *