Kryetari i bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, priti në një vizitë përfaqësues francezë të shoqatës Kombëtare të Qyteteve dhe Vendeve të Artit dhe Historisë dhe Qyteteve me sektorë të mbrojtur.
Ka dy vjet që kjo shoqatë franceze lobon që këtë rrjet ta shtrijë edhe në Shqipëri, ku bashkitë me histori të mbrojtura në fushën e trashëgimisë të bëhen rrjet dhe t’i bashkohen studimit të kësaj shoqate, e cila konsiston në planifikimin urban të vendeve të mbrojtura historike.
Marylise Ortiz, drejtore e kësaj shoqate tha se “ idenë për të ardhur në Elbasan si pikënisje për krijimin e këtij rrjeti për zonat e mbrojtura historike, e mora nga Ministria e Kulturës, duke qenë se qyteti i Elbasanit, është një qytet me shumë zona historike, ku pjesa më e madhe e tyre ndodhen në lagjen “ Kala”.
Në këtë kuadër Ortiz i kërkoi kreut të Bashkisë Qazim Sejdini që të lobojë edhe me bashkitë e tjera të Shqipërisë, që të bëhen pjesë e këtij rrethi duke e nisur pas Elbasanit me qytetin e Beratit. Sipas Ortiz, “ qyteti i Elbasanit ka shumë hapësira për të rritur numrin e turistëve, për nga vetë vlerat historike dhe arkeologjike që ka, por kjo kërkon më shumë vëmëndje dhe investim në trashëgimin e planifikimit urban, kryesisht në vendet e mbrojtura historike. Në këtë kuadër ne kemi hartuar një projekt pilot për të mbrojtur këto zona historike, duke e nisur nga lagja “ Kala”.
Nga ana e tij kreu i Bashkisë është shprehur mjaft i gatshëm të jetë iniciatori i krijimit të këtij rrjeti, ndërsa shtoi se “ aktualisht në lagjen “ Kala” ndodhen shumë objekte historike, në fushën e trashëgimisë kulturore, mes tyre edhe shtëpia e Kostandin Kristoforidhit. Por, problem sipas tij mbetet privatizimi i pronave, sepse janë dy lloj pronash, të vjetër dhe të rinj.
“ Por synimi ynë si bashki është që ta kthejmë shtëpinë e Kostandin Kristoforidhit në shtëpi muze, me qëllim që edhe ky objekt t’i rikthehet zonës së kalasë dhe jo vetëm. Ky fakt do të rrisë numrin e turistëve në qytet, pasi Kostandin Kristoforidhi cilësohet si babai i gjuhës shqipe. Jashtë kalasë ndodhet edhe mozaiku i zbuluar disa vite më parë, por një i tillë ndodhet edhe brenda kalasë, Njëkohësisht, me Elbasanin e Ri ne kemi akoma shumë për të bërë. Vetëm në zonën e Shpatit ndodhen shumë objekte historike shumë shekullore, siç është Kisha e Shelcanit, ku edhe edhe sot janë të dukshme pikturat e ikonografit Onufri, rrënojat e kishave në Lleshan, Manastirin e Shën Joan Vladimirit, Hamami në Bradhashesh, si edhe shumë objekte të tjera historike në fushën e trashëgimisë që kanë nevojë për më shumë vëmëndje”, tha Sejdini.
Ndërsa edhe një herë kreu i Bashkisë shprehu mbështetjen e tij të plotë që së shpejti shtëpia e vërtete e rilindasit Kostandin Kristoforidhi në lagjen “Kala” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës do të kthehet në një shtëpi muze.
Sipas Sejdinit, Kostandin Kristoforidhi ka kontribut të madh në historinë e gjuhës shqipe, ai hartoi fjalorin e gjuhës, gramatikën dhe abetaren./ATA