“Shkodra dhe motet”. Familjet shkodrane me prejardhje të huaj

“Mësuesi i popullit” Hamdi Bushati (1896-1983), që rrjedh nga nji ndër familjet e nderueme dhe ma të njohtuna shkodrane, ka ba me shumë përkushtim, kambëngulje dhe me ndershmenì shkencore e punë të palodhun, tue konzultue mijra dokumenta dhe libra si dhe tue mbledhë të dhana direkt nga goja e popullit, librin dyvolumsh me vlerë të madhe historike “Shkodra dhe motet – Traditë, Ngjarje, Njerëz”- të botuem (mbas vdekjes së Tij) në Shkodër në vitin 1999, me rreth 1200 faqe dhe me nji aneks 120 faqesh me titull “Pamje gjenealigjike familjesh shkodrane”.

I biri i Tij, mësuesi i njohtun z.Nexhmi Hamdi Bushati në “Dy fjalë për botuesin” ndër të tjera shkruan: “Për botimin e kësaj vepre kanë treguar interesim të veçantë punonjësit e Muzeut Historik të Shkodrës dhe ata të Fototekës Kombëtare “Marubi” me në krye drejtorin, Z. Mentor Quku, që angazhoi dhe të ndjerin Vehbi Troshani për daktilografimin me cilësi të lartë të këtij dorëshkrimi. Po kështu meritojnë mirenjohje Z. Ali Kazazi e Visar Baia që arritën të sensibilizojnë dashamirësit e nismave kulturore duke mundësuar sponsorizimin e botimit të kësaj vepre. Me këtë rast e ndjej për detyrë të falenderoj Z. Prof. Dr. Zija Shkodra, Faik Luli, Islam Dizdari, Menduh Derguti, që me përgatitjen e tyre profesionale dhe me sugjerimet e tyre të kualifikuara ndihmuan që ky punim të dilte sa me serioz.”.

Në kapitullin e VI “Familjet shkodrane me prejardhje të huej” (faqe 283-312) të volumit të dytë studjuesi i njohtun shkodran Hamdi Bushati shkruen si ma poshtë vijon:

“Siç dihet historikisht, kur Sulltan Mehmeti II e pushtoi Shkodrën, shumë familje kristjane e lanë vendin dhe u larguan nga qyteti. Shtëpitë që lanë kristjant ua dhanë myslimanëve. Nga kjo kuptohet mirë se ata mysliman, të cilve iu dorëzuan shtëpitë e kristjanëve të ikur nuk ishin të gjithë shqiptarë të konvertuar në islam, ndër ato vitet e okupacionit, ata ishin turq ose me kombësi të tjera jo shqiptare. Instalime myslimanësh me prejardhje të huaj kanë vazhduar të vertetohen deri në kohët e fundit të pushtimit osman të Shkodrës. Krahas myslimanëve erdhen edhe kristjanët.

Nga pikpamja etnografike dhe historike duhet ditur prejardhja e familjeve të shqiptarizuara si myslimane ashtu kristjane. Me gjithë gjurmimet tona mbi këto familje që ekzistojnë sot në Shkodër, duhet të kenë mbetur pa u përmendur edhe të tjera, por shpresojmë t’i zbulojmë me vonë. Njëkohësisht kjo është një çështje politiko-komplekse, që meriton për t’u studjuar. Krahas interesit historik ky proçes paraqet edhe vlerë shoqërore, sepse evidenton psikologjinë e shkodranit, bujarinë e tolerancën e tij ndaj “jabanxhinjëve”. Duhet dijtur se në Shkodër ka edhe familje të shuara, sidomos në periudhën e sëmundjeve epidemike, sikurse murtaja, kolera, etj. të shekujve 18, 19. Me rast edhe këto familje do të mundohemi t’i zbulojmë deri ku mundemi.

Për prejardhjen e familjeve që jemi duke i përshkruar nuk kemi dokumente konkrete, përveç të dhënave tradicionale të vetë pjestarëve të atyre familjeve, të cilët kanë dëgjuar nga pleqt e tyre.

1) Të ardhur nga Turqia, Egjypti, Arabia, Dardanelet, Maroku, Tunizia, Algjeria, Siria, Dagistani, Sudani etj:

Familjet e ardhura nga këto vende përbëjnë numrin më të madh të familjeve të ardhura në Shkodër. Në këtë studim nuk përmenden të gjitha familjet e ardhuna nga këto vende, por vetëm ato familje që janë ma të njohtunat si familja Raxhimi (imam nga Egjypti), familja Djepaxhija (tregtar nga Konje e Anadollit), familja Berdicaj (të ardhun nga Anadolli qyshe në fillim të invazionit osman dhe të vendosun në fshatin Berdicë), familja Derguti (nga Vilajeti i Ajdinit ne Anadoll të vendosun në lagjen Dergut), Çukejt (artilier nga Turqia), Çakejt (përsonalitet zyrtar nga Çanak-Kalaja-Dardanele), Kashejt (nga Spanja mbas zhgatrrimit të dinastisë islame), Sheh Muhamet Magribi (imam nga Maroku), Dilaverit (ushtarak nga Turkia), Bilanet (prëgatitës ilaçesh nga krahina Bilan e Anadollit), Kalajajt (oficer jeniçersh të ardhun që në kohët e para të invazionit osman), Abdurrahmanet (oficier turk nga Egjipti), Rust (nëpunës), familja Kalact, familja Shehi (shehler me origjine arabe), familja e Nelit te Molla Dautit (origjinë egjiptjane), familja Dizdart (dizdar në kalà i ardhun nga Izniku i Bruzes se Anadollit), fisi i Sheh Qazim Hoxhës (ushtarak nga qyteti i Kastamonit të Anadollit), familja Axhemi (ushtarak nga Trabzuni i Azisë së Vogël), familja Boksejt (ushtarakë nga Anadolli), familja Muhamet Shehu (hoxhë nga viset e Azisë së Vogël), familja Jenishehri (nga qyteti i vilajetit Hudaveqindar të sanxhakut Ortugal), familja Hysejt (oficier nga Izmiri i Anadollit), familja Xhemil Tulejmani (tekstilist nga qyteti Humus i Sirisë), familja Mexhidi (me prejardhje nga Degistani), familja Behrej (ushtarakë që nga fillimi i pushtimit osman), familja Allajbegve (kolonel me origjinë turke), familja Hadrejt (mytevli-administrator kujdestar), familja Sala-Isuft (grekë i bamë musliman).- Zezakët e shqiptarizuar (të mbiquejtunit “ Harapet “) në Shkodër, që formojnë nji numër të vogël, janë përgjithësisht me origjinë nga Sudani egjiptian. Janë të sjellur si skllevër nga tregtarët, sidomos nga detarët ulqinakë. Këto janë blerë ndër tregjet e Algjerisë, Tunizisë, Sirise etj. Këto përmenden veçanërisht pranë vezirëve Bushatllinj….Familjet katolike dhe orthodhokse nuk kan mbajtur kurr harape ose harapesha. Këto kanë shërbyer vetëm ndër familjet borgjeze e aristokrate myslimane, të cilët i kanë trajtuar si bashkëfamiljarë në shtëpitë ku kanë jetuar.

2) Familjet të ardhura nga Armenia, Greqia, Austria, Italia.

Nga Armenia: të dëbuar prej turqve nga Mustafa Qemal Ataturkut, si familja Johanexhan (punonjës zorrësh bagtishë), familja Hagopi (teknik dhe përpunues mëndafshi), familja Muzali (mjek).
Nga Greqia: familja Kacarosi (nëpunës depoje duhani), familja Ronkali (rrobaqepës), familja Idromeno (arkitekt e piktor).
Nga Austria, Vjena: familja Ingriz (këpucar dhe nji nga sindikalistat e parë në Shkodër).
Nga Italia: familja Scanietti (artistë), familja Zamputti (mjek), familja Tedeschini (mjek që nga 1760), familja Benussi (farmacist).
Edhe rreth këtyre familjeve jepen të dhëna të vlefshme historike. Numuri i tyre nuk është i ndjeshëm.

3) Të ardhur nga Mali i Zi:

Emigrantët Podgoriçan u dynden drejt Shkodrës në katër periudha:
Periudha e parë: Gjate sundimit te Bushatlinjve,
Periudha e dytë: Mbas Kongresit të Berlinit,
Periudha e tretë: Gjatë Luftës së I Botrore,
Periudha e katërt: Gjatë Luftës së II Botrore.
Podgoriçajt janë sllav musliman nga Podgorica, Shpuza, Nikshiqi o në pergjithesi nga Mali i Zi. Familjet podgoriçane ma të hershme, sidomos ato të dyndjes së parë, e ndjejnë veten shqipëtar dhe mjaft prej tyre kanë bërë shqiptarizimin e emrave duke hjekur mbrapashtesen sllave “iq“. Familja më e hershme dhe më e përmendura në këtë studim asht familja Alivoda (Alivodoviq), prej nga rrjedh sot familja Podgorica, familja Bajri e cila dikur quhej Muxhiq, familja Mandia (Mandiq), familja Osmani (Osmanagiq), familja Haveri (Haveriq), familja Uruçi (Uruçeviq), familja Bebeziq, familja Sykaj (Sykniq), Juka (Jukniq), Llukaqi (Llukaqeviq), Halluni (Hallunoviq), familja Striniq. Familja Boshnjaku nga Bosnja etj.

4) Të ardhur nga tokat shqiptare, Ulqini, Tuzi, Kraja.

Ka pasë emigracion shqiptarësh në Shkodër edhe nga tokat shqiptare në Mal të Zi si, Ulqini, Tuzi, Kraja. Duhet të them se emigracioni i podgoriçajve, i ulqinakve, etj, i ka dhënë shkas ndryshimit të disa zakoneve tradicionale shkodrane.

Në fund të pjesës së dytë jepen kumtesat vlerësuese të kësaj vepre nga:
Prof.Dr. Jup Kastrati, Prof.Dr.Gazmend Shpuza të cilën e quen “Enciklopedi Albanologjike për Shkodrën dhe shkodranët”, As.Prof.Dr.Artan Haxhi, As.Prof.Dr.Simon Pepa, Islam Dizdari, Rektori i Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës As.Prof.Dr.Mahir Hoti, Mentor Kopliku, shkrimtari i njohtun Fadil Kraja, Nikolla Spathari, Ahmet Osja, Artes Llazani si dhe Nexhmi Hamdi Bushati. Ka pasë nji jehone jo të vogël në shtypin shqiptarë: ”Gazeta Shqiptare” me 11.10.1998, “Rilindja Demokratike” më 20.10.1998, “Rimbkambja” më 20.10.1998, “Drita Islame” në tetor 1998, “Albania” më 21.10.1998, “Drita e Dijes” në shtator dhe tetor 1998, “Perla” në nr.4 1998, “Klan” në nr. 84 1998.

“Shkodra dhe motet”  Hamdi Bushati

5 comments

  • Miku I’m I dashur keni harru se 390 vjet pas Krishtit na kan sundu romakêt, deri me ardhjen e turkut na kan sundu buzantinët e tani afro 600 vite Osmanllinjët , me apo pa dashje ma I kan futur prapashtesat sllave e greke e turke. Ky shkrim I juaji më ngjan si ni porosi e ndonjë jo shqiptari e mos tê flasim ndonjë shkodrani, siç thoni ju shkodra na qenka e gjithsekujt por jo shqiptare!!!!!

    Reply
  • Nuk keni ba mire qe nuk keni vue emnin e autorit te ketij shkrimi studimor.

    Autori i ketij shkrimi jam un PAUL TEDESCHINI. Kete shkrim e kam publikue per here te pare me daten 16.07.2007 ne gazeten Shkodra.net dhe ma vone asht perhape ne internet por gjithmone tue vue emnin tem si autor.

    Reply
    • Nese ju jeni vertete autori i shkrimit kjo gje korrigjohet ne cast. Nese nis nje foto te botimit ne gazeta Shkodra do te ishte shume mire.

      Reply
  • Perderisa thuhet qarte qe te dhenat per mbiemrat e familjeve shkodrane jane marre nga familjaret dhe jo nga dokumente origjinale ky studim duhet te ripunohet ose te hiqet nga qarkullimi sepse i kenaq jashte mase serbet turqit etj.

    Reply
  • Ju pergezoj per iniciativen qe bete transparente historine e familjeve Shkodrane dhe origjinen e tyre pa as me te voglin komplekse duhet thene e verteta e shqiperise orgjinale duhet te shkeputemi njehere e mire nga te jetuarit per te tjeret (Per inate te sime vjehrre po shkoj te flej me mullixhine) me pelqen studimi mendoj qe ka mjafte te pa thena qe duhet te plotesohen nga akademiket tane e vleresoj shume qe del ne pah kultura Shkodrane pa asnje paragjykim ket duhet te bejne per çdo qytet te shqiperise qe historianet ta kene si busoll orjentuese ne shkimin e historise se shqiperise .

    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *