Shënim/ Jeta nuk “osh qejf” kur të urinojnë në fytyrë!

Një video e rëndë ka qarkulluar ditën e sotme fillimisht në faqen e Facebook “Jeta Osh Qejf”. Në të shihen disa djem, të cilët dhunojnë, fyejnë dhe poshtërojnë një shokun e tyre. Video e cila për më tepër ka strishat e “Jeta osh qejf” ( faqe që ka si moto ta bëjnë jetën qejf), kalon neverinë dhe tronditjen aq sa si i rritur nuk e çon dot deri në fund.
Edhe pse administratorët e kësaj faqeje kanë mbajtur qëndrim korrekt në çfarë kanë shkruar dhe kanë kërkuar hetim të ngjarjes nga policia, mendoj se së pari duhet të flisnin me policinë dhe të denonconin profilin që u ka nisur videon horror, ku dhuna është më shumë se shqetësuese. Pastaj, të bënim një lajm apo shkrim mbi çfarë ndodh apo si shkoi hetimi nga policia që të ishte edukues e pse jo shembull për të tjerët.
Ajo video duhet të hetohet patjetër, sa kohë kemi një viktimë dhune. Duhet të merren masa ndaj atij që urinon mbi fytyrën e djalit të përkulur dhe duhet të bëhet shembull i ndëshkimit para shkollës apo mjedisit social.
Gjëra të tilla, kaq të rënda, që cënojnë dhe nxisin dhunë absolutisht nuk duhen trajtuar si një lajm i zakonshëm që sjell klikime, pasi ky është krim i dyfishtë.
Disa media të tjera e kanë hedhur si lajm nga jeta e të rinjve shqiptarë dhe gati pa mbajtur asnjë qëndrim apo dhënë një mesazh, çka e bën atë frymëzuese për raste të tjera.
Videove të tilla u duhet mbyllur absolutisht çdo dritare mediatike dhe u duhet hapur vetëm dritarja e ndëshkimit, nga institucionet përkatëse dhe opinioni online.
Këta të rinj që kujtojnë se forca qëndron tek fyerjet nga motra apo gjesti, gati nazist i atij urinimi mbi fytyrën e fëmijës së përkulur, duhen çuar në qendra rehabilitimi apo për këshillim tek psikologu.
Ne si shoqëri kemi probleme të mëdha edukimi dhe këtu ndikon sa shoqëria jonë kanibale aq edhe konsumimi i dhunës në çdo kanal lajmesh.
Për të tilla gjëra duhet të ketë propagandë të madhe mediatike dhe në rrjetet sociale, që nesër të kemi një rini normale, të edukuar, me vlera dhe tolerante.
Unë nuk e di se çfarë bëhet apo ç’do bëhet me djalin, që mbulon fytyrën me duar prej poshtërimit, por uroj të jetë mirë psikologjikisht. Uroj që mos ta ketë parë videon e shpërndarë në mediat tona. Ndërsa jam dakord për një diktaturë të ashpër për çdo publikim të tillë kudo në rrjete sociale apo portale online. Të tilla video nëse nuk shpërndahen online, u presin duart xhiruesve të tyre dhe ndoshta do të mendohen dy herë para se të tregojnë sa qejf osh jeta kur poshtëron shokun tënd.
Shumë mund të thonë se nuk e ndalojmë dot dhunën. Dakord jam. Po të paktën mos të jemi frymëzyes dhe shpërndarës të saj! Kaq e kemi në dorë, e besoj edhe shumë më shumë se kaq./ Pasqyre.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *