Shembja e Teatrit, Ndrenika tërhiqet pas kafes në Bashki: Më pëlqeu shumë projekti i Veliajt

Ditën e premte, kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj, ka zhvilluar disa takime, veç e veç me disa artistë, madje mund të themi, me disa nga më të angazhuarit për çështjen e teatrit. Janë konfirmuar takimet me aktoren dhe pedagogen Ema Andrea, me aktorin e pedagogun Genci Fuga, të dy kandidatë të deklaruar, për postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar.

Përmes një statusi në faqen e vet në “Facebook”, edhe aktori Robert Ndrenika ka konfirmuar takimin e tij me Veliajn. Dy të parët, Andrea dhe Fuga kanë deklaruar se e kanë pëlqyer projektin e prezantuar nga Veliaj. Mendimit të tyre i bashkohet edhe Ndrenika.

 

Përveçse ka shprehur pëlqimin e tij për projektin, sipas tij modern, Ndrenika shkruan se i ka kërkuar kryetarit të bashkisë që më parë të konsultohet me komunitetin e artistëve. Po ashtu, ai nuk e ka fshehur zemërimin me mediat, duke thënë ndër të tjera se ka të drejtë që nuk dëshiron të ketë të bëjë me gazetarët.

Duke iu referuar takimit të së premtes paradite, Ndrenika shkruan: “I zgjedhuri me vota të fshehta nga populli i Tiranës si kryebashkiak (z. Erion Veliaj), më gostiti në zyrën e tij me një machiato dhe gjysmë gote ujë… ndërkohë që më tregoi një projekt teatri modern, që nuk e mohoj se më pëlqeu shumë… Ndërkohë që i thashë, se duhet konsultuar me komunitetin teatror… Si konkluzion unë nxjerr (në këtë orë të darkës) se paskam pasur shumë të drejtë, që nuk dua të kem të bëj me gazetarë!!!”.

Aktorja dhe pedagogia pranë Universitetit të Arteve, Ema Andrea, po ashtu ka qenë në një takim me kryetarin e Bashkisë, Erion Veliaj dhe ka pranuar se i ka pëlqyer projekti që i ka prezantuar kryebashkiaku. “Unë në takim me Veliajn kam qenë vetëm, m’u premtua që projekti do të bëhet transparent e publik! Ajo që m’u prezantua, më pëlqeu! Po!”, ka pranuar Andrea në faqen e saj në “Facebook”.

Aktori dhe pedagogu Genci Fuga ka pranuar të ketë takuar kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për çështjen e godinës së Teatrit Kombëtar. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, Fuga u shpreh: “Nëse është folur për ‘blerje’, mund të them se ka qenë ‘blerje mendjesh’, pra, një takim-test për të marrë mendime mbi këtë projekt. Veliaj më paraqiti një projekt-fasadë dhe normalisht jam interesuar për detaje në lidhje me këtë projekt dhe mbi të gjitha i kam kërkuar që ai të diskutohet me komunitetin”, tha Fuga. “A është i bukur, a ia vlen, unë them se po. Më pëlqeu, ishte intrigues, kishte një simbolikë të gjetur”, tha ai./ Me shkrutime nga Panorama

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *