Sekreti i qeramikës së Efronios

Efronios ishte një nga mjeshtrit më të mëdhenj të qeramikës së antikitetit grek në mesin e shekullit V p.e.s., i famshëm në artin e tij të pikturimit dhe përdorimin e temave mitologjike, siç dëshmojnë kryeveprat e tij SarpedonHypnos apo Thanatos. Kur Rey shkroi në raportin e tij arkeologjik për gjetjen e një vazoje të Efronios, kolegët e tij në Paris, e veçanërisht profesori i tij, mjeshtri Pottier, u habitën së tepërmi. 

LUAN RAMA 

Koleksioni i qeramikave të zbuluara nga Léon Rey ishte një ndër pasuritë e mëdha arkeologjike që zbuloi arkeologu francez në Apoloni apo Durrës, qeramika këto që shkonin gjer në shekullin IX p.e.s. Ndër to kishte shumë qeramika korintase, vazo e qeramika të llojeve të tjera të prodhimeve joniane, amfora dhe një mori e madhe enësh në qeramikë si “lecynthes”, “kylix”, “olpes” etj. Binin në sy veçanërisht qeramikat me verni të zi, apo ato me figura të kuqe, si dhe vazot “apoloniate”, pra të prodhuara në Apoloni. Kur kishte zbuluar një vazo të veçantë, e cila i ngjasoi me vazot e artistit të famshëm të Antikitetit grek Efronios,[1] Léon Rey ishte entuziazmuar së tepërmi dhe pas disa konsultimesh, ai arriti në konkluzionin se ishte pikërisht një nga veprat e tij, të cilat ishin tepër të rralla, meqë ishin dëmtuar gjatë shekujve në tërmetet e shumta dhe shkatërrimet e luftërat e pambarimta. Efronios, (Εὐφρόνιος), ishte një nga mjeshtrit më të mëdhenj të qeramikës së antikitetit grek në mesin e shekullit V p.e.s., i famshëm në artin e tij të pikturimit dhe përdorimin e temave mitologjike, siç dëshmojnë kryeveprat e tij SarpedonHypnos apo Thanatos.

Kur Rey shkroi në raportin e tij arkeologjik për gjetjen e një vazoje të Efronios, kolegët e tij në Paris, e veçanërisht profesori i tij, mjeshtri Pottier, u habitën së tepërmi. “Me këtë gjetje miku im,- i kishte thënë Pottier, (siç kujton Léon Rey, në dorëshkrimin e tij Hyjnitë kanë të drejtë,) – ti je tashmë më shumë se një kërkues i shkëlqyer”. Profesori i tij i kishte zgjatur më pas një artikull të Margaret Bernstein, botuar një vit më parë në La Revue des Etudes Hélleniques, (Revista e Studimeve Helenike), ku ky studiues numëronte vazot e rralla që i kishin mbetur kulturës botërore nga antikiteti nga ky artist i madh, vepra të cilat ndodheshin: “një olpé” në British Museum, dy kupa në Muzeun e Louvre-it, një kupë në kështjellën-muze të Chantilly, si dhe një “aryballe”[2] e vogël e koleksionit privat të zotit Lebureau në Paris.

Vazoja e Apolonisë paraqiste në fakt një skenë erotike, të njohura këto në punimet e Efronios dhe të shkollës së tij. Ishte një pamje tepër e habitshme, ku një burrë bënte dashuri me një grua, por pozicioni ishte tepër i veçantë, madje akrobatik. Dhe Rey donte të zbulonte dy gjëra: e para, nëse skena të tilla ishin trajtuar në artin e antikitetit greko-romak dhe së dyti, nëse ky stil i vështirë ishte i mundur fizikisht, apo ishte thjesht një fantazi e artistit në fjalë. Rey kishte lexuar se vazo të tilla me figura erotike kishte pasur në “Muzeun e Fshehtë” të Napolit dhe se një botim rreth tyre nga Francin, gjendej në Bibliotekën Kombëtare të Parisit, në Rue Richelieu, jo larg nga “Komedia Franceze” e të madhit Molière, të cilin ai e shfletoi menjëherë. Por asnjë nga pamjet e asaj vazoje të Apolonisë nuk përputhej me ato të hulumtuara në Bibliotekën Kombëtare të Francës. Ja çfarë shkruante Rey në kujtimet e tij: ”E dija që shumë vazo me vizatime erotike, si dhe objekte bronzi apo statueta të të njëjtit karakter ishin ato të gjetura në Herculaneum apo Pompei, të cilat ishin grumbulluar në Muzeun e Fshehtë të Napolit. Kështu, kur u ktheva në Paris, pa u vonuar shkova të konsultoja Bibliotekën Kombëtare në Rue Richelieu, veprën e Francin. Piktura, vepra bronzi dhe statueta erotike që përbëjnë koleksionin e kabinetit të Fshehtë të Muzeut Mbretëror të Napolit, i cili ka shumë botime me ngjyra. Më kishin lajmëruar se kjo vepër, meqë ishte e një karakteri të veçantë, nuk mund të konsultohej në sallën e madhe dhe për këtë qëllim duhej të shkoja në kabinetin e leximeve të veçanta, e quajtur “Rezerva”: shkalla A, kati parë, porta e parë, majtas. Kur shkova atje, duhej të plotësoja një formular: emri, mbiemri, kombësia, seksi, mosha, profesioni, adresa apo vendbanimi, përse doja ta studioja, LUTEMI SHKRUANI ME GERMA TË MËDHA, firma etj. Prita disa kohë gjersa dikush më solli jo librin e kërkuar, por një bordero, duke më ftuar të shkoja në byronë fqinje, ku një funksionar i bibliotekës më pa nga koka në këmbë, duke më pyetur nëse isha mbi 18 vjeç. Ky njeri dukej si ata “minjtë e bibliotekave”. Kishte një palë dhëmbë të ngrëna, faqe më të verdha se ftoi dhe mbante një qafore celuloidi nga ku varej një kollare e vjetruar. Ai këmbënguli në faktin se libri i Francin nuk ishte nga ata libra që mund të lihej në duart e kujtdo dhe kështu, duke u ngjitur në kthinën “Rezerva”, dikush që u shfaq i dha një dorëshkrim fetar të shekullit XV një murgu mjekrosh që po e priste me padurim. Duke nxituar jashtë zyrës, punonjësi u kthye dhe ndërkohë që e pyesja me një ton gjysmë të qeshur se ç’duhej të bëja, si përgjigje, ai më tregoi me gisht një tavolinë në fund të cepit të sallës, ku e ndjeva veten larg të tjerëve sikur të kisha sëmundjen e zgjebes. Në veprën e Francin kishte riprodhime shumë të bukura, por asnjëra prej tyre nuk afrohej me pikturën e Eufronios. Atë mbrëmje po kthehesha në shtëpi duke iu ngjitur rrugës “Rivoli” të përmbytur nga turistët e ku përpara më doli dikush që tinëz shiste në rrugë: “Shkëlqesi, – më pëshpëriti ai, -tridhjetë e dy pozicione në një koleksion të mrekullueshëm fotografik të marra drejtpërdrejt”.

Dhe një ditë, duke menduar se do të mbante s’afërmi një ligjëratë për këtë gjetje në “Institut de France”, ai i kërkoi mikut të tij të shkollës së Chartes, (Ecoles de Chartres), një bibliofili të regjur, nëse ishte e mundur një stil i tillë seksi. Dhe ishte ai që i sugjeroi se për të zgjidhur këtë enigmë do të duhej të pyeteshin prostitutat më me eksperiencë dhe më të sprovuara. Dhe kështu, një ditë, që të dy këta intelektualë dhe njerëz të “ftohtë” të shkencës, ja ku u shfaqën në dyert e dy prej “maison close”, pra bordellove më “shik” të Parisit që ndodheshin njëra në 12, Rue Chabanais dhe tjetra në 8, Rue Colbert. Te këto bordello kishte kryesisht prostituta të mira franceze, austriake, italiane, ruse, madje dhe jugosllave, apo zezake të ardhura nga Antilles, ndryshe nga 180 bordellot e tjera të Parisit të asaj kohe, ku gjeje nga të gjitha kombësitë e botës dhe të gjitha kategoritë e moshat. Fasadat e këtyre dy bordellove të klasit të parë ishin tepër të thjeshta, por kur hyje në to, impresionoheshe nga dekoracionet e shumta të “Belle Epoque”. Siç kujton Rey në dorëshkrimin e tij, padronia në Rue Chabannais ishte një grua e “pjekur”, me një fjalë e “rrahur”, e cila dukej tepër elegante me atë veshje mëndafshi në ngjyrë të zezë, me një gjerdan të madh e të mrekullueshëm perlash në qafë dhe një diamant të jashtëzakonshëm që i shkëlqente në gisht. Padronia u kishte prezantuar menjëherë vajzat e saj që prisnin me radhë në sallon, por miku i Rey-t, Marcel, i kërkoi një nga vajzat më të zhdërvjellëta, pra nga ato që dinë ta luajnë në mënyrë ekstreme trupin e tyre. Dhe në fakt, ajo kishte qenë një ish akrobate që dikur kishte punuar në një cirk të Parisit. Ja çfarë kujtonte Rey për atë ditë: “Kur hyje në këtë “Shtëpi”, padronia thërriste vajzat e lira që të zbrisnin në sallon, ku ato viheshin në rresht ashtu të heshtura, nudo e të qeshura, veshur me papuçe të thjeshta ngjyrë rozë. Padronia ishte një grua e thekur dhe elegante, veshur me një fustan mëndafshi të zi. Në qafë kishte një gjerdan të mrekullueshëm perlash dhe në gisht i shkëlqente një diamant i jashtëzakonshëm.

-I thashë se nuk ishte e nevojshme të na tregonte të gjitha vajzat, -më tha Marcel, kur ende po ngjiteshim. “S’ka rëndësi fiziku, na duhet një vajzë e shkathët dhe e zhdërvjelltë”. Ajo e kuptoi mesazhin dhe pas pak bëri të zbriste një kuqse me një trup të përsosur, por me një shprehje timide dhe të rezervuar, plot pika të kuqe në fytyrë si një vezë gjeldeti.

-Ju do të jini tepër të kënaqur, -tha padronia, -ajo punon shumë mirë dhe për më tepër ka qenë një akrobate cirku”.

“Kur ne iu ngjitëm shkallëve, – vazhdon kujtimet Rey në dorëshkrimin e tij, – unë i tregova asaj fotografinë e vazos me vizatimet erotike. -“Sa e bukur është? Vallë ju e keni vizatuar?, tha ajo. Unë i premtova një bakshish të mirë, me kusht që ajo të na demonstronte të njëjtën gjë. Kjo kërkesë e bëri të qeshë dhe ajo pranoi menjëherë. OK! Si njëri dhe tjetri, ne bëmë sa mundëm, por pa ndonjë rezultat, sepse ai pozicion ishte i pamundur të arrihej. Duke zbritur, pashë padronen që ishte ulur qetësisht në hyrjen e bordellos, ku një buqetë e mrekullueshme lulesh ishte vendosur në një komodinë të stilit Louis XV. Ajo zgjodhi një karafil të kuq, të errët dhe duke ma vendosur në një nga kopsat e xhaketës më tha me përkujdesje: “Shpresoj të keni mbetur i kënaqur dhe mos hezitoni të vini përsëri”, dhe me një buzëqeshje djallëzore shtoi: “Ç’rëndësi kanë fantazitë që ju shkojnë në mendje… s’ka pse të kesh turp, vogëlushi im!”

Padyshim, kjo histori ishte sa për të qeshur, aq dhe e vështirë për t’u zgjidhur, pasi si Rey ashtu dhe Marcel-i kishin argumente, ku Rey thoshte se duhej të ishte një paraqitje besnike e një realiteti, ndërsa Marcel-i këmbëngulte se ishte thjesht një fantazi e mjeshtrit Efronios. Më së fundi, duke parë këmbënguljen e mikut të tij, Rey i kishte thënë: ”Ti ndoshta ke të drejtë dhe gjynah që nuk gjej mundësi t’u shpjegoj anëtarëve të nderuar të Akademisë metodën time të kërkimit ose tënden… kjo sigurisht do t’i kishte nxjerrë nga letargjia e tyre”…

Sidoqoftë, gjurmët e kësaj vazoje të Efronios janë zhdukur. Jean-Gabriel Rey, djali i arkeologut, duke biseduar rreth saj, më pohoi se nuk dihet se ku është zhdukur kjo vazo. Ai është i bindur se ajo është thyer, ose plaçkitur, gjatë pushtimit të Shqipërisë dhe bastisjes së Muzeut Arkeologjik të Vlorës nga ushtarët italianë. Por si ajo vazo, janë zhdukur gjithashtu dhe shumë “koka” të vogla monumentesh, të cilat tashmë kanë mbetur veçse në arkivin fotografik.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *