Rudina Çupi: Poezi me ‘Të gjitha të drejtat janë të rezervuara’

Rudina Çupi ka një ndjeshmëri të thellë e origjinale ndaj fjalës, ndaj qënies, ndaj çështjes ekzistenciale  të kësaj qënieje njerëzore, ndaj të qënit grua apo burrë, ndaj dashurisë, pamjeve të saj të shumta e shpesh të rreme e gjithnjë dashurore, ndaj vetmisë, plotërisë, natyrës, problemeve të çiftit, problemeve të qytetit, të vetë njeriut, të së ardhmes, të së tashmes…

Nga Diana Çuli

 

 

Shtëpia botuese ALBAS. Autore Rudina Çupi. Titulli i vëllimit me poezi: Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Me pak kërkim kuptoj se Rudina Çupi, kjo poete që po më tërheq kaq shumë, që po më habit dhe befason, ka botuar edhe më parë libra me poezi si: R – 2010, Shkopsitje – 2006 ; Mos ma kujto vdekjen  – 1993. Pra, ka filluar që shumë herët.

 Çfarë ndodh me kritikën tonë, me shqyrtimin e vlerave, me përzgjedhjen e tyre, me vëmendjen ndaj të rinjve, me vënien në dukje të rritjes së tyre? Çfarë po ndodh me ne,  njerëzit e kulturës, që në vend të një klime kulturore pozitive dhe  pjellore – me një popull instinktiv krijues dhe poetik – krijojmë dhe ushqejmë klimë “anti”, klimë sulmi dhe atmosferë negative ndaj artit, poezisë dhe krijuesve të tyre? Në emër të nuk e di se çfarë dhe në emër të nuk e di se kujt?

Rudina Çupi ka shkruar, ka ecur, është zhvilluar pa vëmendjen e kritikës, ose le të themi, me fare pak vëmendje të kritikës dhe përmendjes së saj nga ana e tyre. Nuk ka marrë çmime, nuk ka rënë në sy. Por, po të ra në dorë libri i saj i fundit – titulli i të cilit është në krye të këtij shkrimi – mbetesh me të në dorë dhe thua me vete: Po si ka mundësi? Çfarë po na ndodh? Mos vallë do të përfundojmë duke i dhënë njeri tjetrit librat që shkruajmë dhe kritika i bën jehonë vetëm scoopi-it, autorëve mediatikë dhe anti-vlerë? Shumë e rëndë kjo frazë nga ana ime, por duke lexuar poezinë e Rudina Çupit, më vjen vetvetiu kjo revoltë e vonuar. Dhe mendoj e reflektoj ato që mendojnë dhe reflektojnë sot të gjithë në botë: mos vallë kuptimi i poezisë, zëri i individit, në këtë botë të mbizotëruar nga komunikimi masiv i standardizuar, nga vjershat amatore e qesharake në FB, nga pafundësia e mesazheve pa asnjë pikë përmbajtjeje, e humbet rëndësinë e tij? Se në këtë kohën tonë virtuale, të përmbytur nga kulti i imazhit, nga pafundësia e riprodhimit teknologjik, nga globalizimi i informacionit, mund të jetë akoma e mundshme të kemi një qoshe reflektimi, dyshimi, vrarje mendjeje, përsiatjeje ekzistenciale – pra të atyre operacioneve konceptuale që e përcaktojnë dhe poezinë vetë?

Rudina Çupi ka një ndjeshmëri të thellë e origjinale ndaj fjalës, ndaj qënies, ndaj çështjes ekzistenciale  të kësaj qënieje njerëzore, ndaj të qënit grua apo burrë, ndaj dashurisë, pamjeve të saj të shumta e shpesh të rreme e gjithnjë dashurore, ndaj vetmisë, plotërisë, natyrës, problemeve të çiftit, problemeve të qytetit, të vetë njeriut, të së ardhmes, të së tashmes…

Rudina nuk është një poete e çastit – as një peote që mendon teknikisht se vargu duhet të jetë me rimë apo i lirë, ritmik apo me aliteracion, meaforik apo simbolik, modern apo post-modern. Ajo kërkon të shkruajë poezinë e ditës së sotme, të njeriut të sotëm, të gruas së sotme.   Siç thoshte Montale – dhe unë e perifrazoj duke lexuar Rudina Çupin – poezia është gjithnjë një ndihmë për të kujtuar, një mjet që njerëzit ta përdorin për të festuar pasionet e dashurisë,
vendet e dashura, ndërrimin e stinëve, kujtimet e fëminisë, humbjen e një miqësie e të një dashurie – të gjitha këto përmes fjalës poetike.

Poezia e Rudina Çupit është një vërshim ujvare; një ritëm i paprerë jete, një përpjekje për t’i treguar lexuesit fatin e tij si në një pasqyrë, për ta udhërrëfyer në shtigjet e jetës, pa rënë në kaosin e saj tundues. Nganjëherë, duke e lexuar, më duket sikur Rudina nuk gjen asnjë hapësirë në shoqërinë moderne për temat e mëdha që dikur frymëzonin vargjet e poetëve e sot konsumohen në reshtat e artikujve të përditshëm.

 

Por, Rudina Çupi bën përpjekjen e saj poetike pa menduar se kjo është  një luftë me mullinjtë e erës.   Ajo mendon se është mision i poetit të qëndrojë në korsinë e tij poetike, se kështu është e thënë dhe kështu do të mbetet. Përgjithmonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *