Për Parisin që gjej në Korçë!

Nga Ylli Demneri
Me Korçën rashë në dashuri sapo vura këmbën për herë të parë. Ishte nëntori i 2016-s. Qyteti i fundit i Shqipërisë që po zbuloja. As vetë nuk e di përse u desh aq kohë. Dhe shkak u bë prezantimi i librit tim të fundit «Bloc-notes». Siç duket, Korça parapëlqeu të vija e ta takoja si njeri i letrave. Si qyteti ku ishte hapur për herë të parë Liceu francez, Korça kishte pritur t’i afrohesha pasi të isha mbrujtur me ca më tepër Francë. Këto rrethana bënë që të ndihem i emocionuar kur vizitova varrezat e ushtarëve francezë, kur lexova emrat e tyre (të shkruar pa asnjë gabim) mbi kryqet e vendosur radhazi, të padëmtuar që nga viti 1916 kur Korça u shpall republikë franceze.
Kam qeshur gjithmonë me shprehjen «Parisi i vogël». Më dukeshin pak të fryrë këta korçarë që pretendonin të krahasonin Parisin me Korçën. Por vetëm kur shkova vetë, pashë atje elementë që i gjejmë edhe në disa lagje të Parisit. Shtëpi të rrethuara me kangjella. Madje, në një fotografi të vjetër, prapa monumentit të Themistokli Gërmenjit, duket qartë një « Kiosque à musique » siç i thonë francezët. (Po në shqip si u thonë këtyre ndërtesave mes parqeve ku herë pas here jepen koncerte?) Diçka e tillë mund të gjendej vetëm në Korçë. Mund të thoja se fati ka bërë që Korça të mos shpërfytyrohet si shumë qytete të Shqipërisë, por jam i bindur se fatin e bëjnë njerëzit. Dhe janë pikërisht këta korçarë, që kanë ditur të na lënë një qytet aq të bukur.
Me aq sa pashë, kam përshtypjen se Korça është qyteti më i pasur me monumente kulture dhe kulturë serenatash. Dhe ashtu siç thotë Çehovi, se «nëse keni vënë një pushkë në skenën e parë, ajo duhet të shtijë në aktin e fundit », po ashtu, nëse në Korçë shikoni një kitarë të varur në mur, dijeni se, pas dy-tri kadeve me verë, dikush do ta marrë për të kënduar. Ëmbël, shtruar dhe me pasion.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *