Penduli i Fukosë (Faucault) është aty, prej kohësh, nën kubenë e Panteonit, në lëvizje, gjithnjë, për të na treguar se bota rrotullohet, është dehje apo çfarë? Që në vitin 1851, kur ai e demostroi atë para shkencëtarëve dhe politikanëve të Francës, pra rrotullimin e Tokës që njihej që nga Galileu, asnjëherë një demostrim i tillë nuk na e kishte treguar atë. Penduli shkonte e vinte, dhe sipërfaqja rrethore nën të rroutollohej pa u ndjerë, edhe pse shkonte 1000 km në orë…
Ja pra, jetojmë në një lëvizje të llahtarshme edhe pse ndjehemi statikë, në këtë tokë ku bëhen të gjithë të mirat dhe të këqiat e kësaj bote.
Penduli lëviz, gjithnjë, duke ndjekur agun, perëndimin, duke përcjellë që nga ajo kohë funeralet e trishta e të vetmuara të një Baudelaire, Rimbaud, Flaubert… të një Mozarti të mrekulluar qê s’dihet se ku rëndoi shpirti i tij…për të ardhur në ditët tona, në këtë Tokë që shkon vërtik, s’dihet ku, se në cilin drejtim të kozmosit… dhe kështu të ngjan se të gjitha dashuritë që ndodhin janë si dritëza xixëllonjash,miradashje, të ëmbla dhe që shuhen në hiret e një të zeze të thellë që megjithatë nuk është e zezë, sepse brënda saj janë dhe e kuqja, bluja, e gjelbërta,fildishë të krijuar si stalagmitë e stalagtitë, që ngrihen apo janë përmbys, për të parë më mirë jetën njerëzore, jetën që mbytet ndonjëherë në moskuptim!
Le ta ndjekim një çast Pendulin e Fukosë që nuk e njeh moskuptimin… Penduli do të na kujtojë patjetër se duhet jetuar çdo çast i yni, me shpejtësinë e një meteori që digjet e shkon!
Po ngre sytë nga Penduli i Fukosë. Ju lutem, shikojeni!…/ Nga Luan Rama