Patriotizëm evropian përkundrejt nacionalizmit tradicional

Nga Dorian Koçi

Pa u zgjidhur çështja shqiptare në Ballkan, Ballkani kurrë nuk do të gjejë qetësi. Abdyl Frashëri

Atmosfera e festimeve të 100 vjetorit të pavarësisë ende nuk është shuar. Gjithandej nëpër botën kibernetike dhe në botën e lajmeve qarkullojnë deklarata mbi Shqipërinë, kufinjt e përcaktuar keq, copëtimin apo  dhe kërkesa për rishikim të historisë, ngjarjeve dhe personave dominantë në të.
Duket sikur ka një ngutje për të plotësuar apo kapur trenin e fundit të shqiptarëve në rajon për ti çuar në Evropë apo drejt njëri-tjetrit. Pa dyshim që kjo mbetet dilema më e madhe e tyre në këtë fillim shekulli ku dëshira ua thotë në një masë mbi 60% për tu bashkuar dhe arsyetimit, racionalitetit dhe vetëpërmbatjes për të vazhduar rrugën drejt integrimit evropian ku një peshë kryesore zënë dhe marrëdheniet e fqinjësisë së mirë.

Para kësaj dileme janë ndodhur shumë vite më parë edhe fqinjët tanë kur festonin 100 vjetorin e pavarësisë së tyre, por secili me specifikat e veta. Kështu p.sh Greqia në vitet 20-të të shekullit të kaluar kur festonte shekullin e vet të pavarësisë sapo kish dalë nga katastrofa e Azi isë së Vogël, ku ushtria e vet kish pësuar disfatën më të madhe të të gjithë kohërave duke shënuar në këtë lloj mënyre dhe fundin e Megali Idesë. Qipro dhe ishujt e Dodekanezëve mbetën jashtë truallit mëmë duke u shndrruar në një farë mënyre si simbole të padrejtësive të Fuqive të Mëdha dhe burim i pashtershëm ideologjie nacionaliste që do të mbizotëronte në gjithë ligjërimin publik grek përgjatë shekullit të XX. Serbia në të kundërt në 100 vjetorin e saj kishte arritur të realizonte disa nga ambiciet më të mëdha të saj territoriale duke mbizotëruar në gjithë hapësirat jugosllave por gjithsesi ky dominim nuk e kish kënaqur aspak deri sa në vitet e fundit të shekullit XX të shkaktonte tragjedinë jugosllave. Parë në kontekstin e krahasimit me fqinjët sigurisht që ishte e natyrshme që në një atmosferë të tillë festimesh si ishte 100 vjetori i pavarësisë, duke u nisur dhe nga specifika e historisë së zhvillimit të ngjarjeve shqiptare përsa i përket shtetformimit apo dhe caktimit të kufinjve të saj, të mos shmangeshin dot komente që pasqyronin atë frymë të madhe bashkimi që u manifestua në sheshet e Tiranës dhe Vlorës . Për më tepër si për të vënë kapak gjithë këtij egzaltimi patriotik PDIU propozoi rezolutën e saj për Çamërinë në Parlamentin e Shqipërisë, një akt shumë fisnik për të dënuar masakrat greke të ndërmarra ndaj popullsisë shqiptare në fund të Luftës së Dytë Botërore. Në fillim fqinjët dhe pastaj dhe disa aktorë të fuqishëm ndërkombëtarë reaguan duke i tërhequr vëmendjen Shqipërisë për retorikë nacionaliste dhe të panevojshme përderisa është një shtet që synon integrimin e plotë në Bashkimin Evropian. Menjëherë disa aktorë politikë në Shqipëri që përpiqen zakonisht të nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e të tjerëve nxituan të bëhen palë me ndërkombëtarët duke shpresuar në heshtje në një çarje të madhe,  që sipas tyre do tua lehtësojë ardhjen në pushtet.

Po çpo ndodh në të vërtetë? Apo rrezikojmë  që izolohemi dhe të konsiderohemi faktor destabilizues në Ballkan? E vërteta është se Ballkani nuk do të gjejë aspak qetësi nëse ndaj shqiptarëve ka një fobi që shpesh herë merr format e politikave të mirëorganizuara nga fqinjët. Kjo gjë u pa shumë mirë kur ndërkombëtarët hartuan Paqen e Dejtonit dhe nuk përfshinë Kosovën në të, duke bërë të mundur që jo më vonë se katër vite më pas konflikti të shpërthente sërish në rajon kur patën menduar se e kishin siguruar atë me anë të Paqes së detyruar të Dejtonit.Po shikohet gjithashtu shumë mirë  sesi po sillet sot në Preshevë komuniteti ndërkombëtar, sidomos Bashkimi Evropian kur ndërsa vazhdonin negociatat për çështjen e lapidarit, Serbia në mënyrë krejt të njëanshme dhe me miratimin e heshtur të diplomacisë evropiane me anë të forcave të shumta policore ndërmorri heqjen e tij duke shkaktuar një valë protestash të ligjshme të popullsisë etnike shqiptare. Përse duhet ky përshkallëzim konflikti ndaj shqiptarëve kur Shqipëria dhe Kosova janë treguar shumë tolerantë ndaj minoriteteve të tyre duke lejuar të drejta dhe liri dhe përtej shifrave të tyre numërike që përfaqësojnë. Deklarata e qeverisë shqiptare, opozitës dhe gjithë faktorit politik shqiptar në rajon janë pozitive por ato duhen shoqëruar me veprime diplomatike për ti çjerrë maskën kinse stabilitetit në Ballkan që në të vërtetë ashtu si përgjatë gjith shekullit të kaluar kërcënohet nga sërish ngs serbët. Në këtë sens të jesh realist me vetveten por dhe me miqtë ndërkombëtarë nuk besoj se kryen ndonjë mëkat të jashtëzakonshëm politik kur shqipton të vërtetat që janë probleme dhe që mund të kthehen në çështje bumerang në të ardhmen, por ndihmon më tepër që të sqarohen dhe zgjidhen situatat.

Ajo çka duhet të rigjejë në fakt Shqipëria dhe shqiptarët është se patriotizmin e tyre rilindas, duhet t’ia përshtatin vlerave të patriotizmit evropian, vlera në të cilat shqiptarët si një nga popujt më të vjetër të kontinentit kanë kontribuar dhe kanë qenë pjesmarrës aktivë.Në thelb të këtij patriotizmi kushtetues evropian sipas Habermas qëndrojnë respektimi i të drejtave dhe liritë e njeriut dhe  ndërtimi i një demokracie funksionale. Të dyja shtyllat bazë të këtij patriotizmi i përqasen çështjes shqiptare në rajon, pasi ajo që po vuajnë sot shqiptarët në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi, janë qartësisht shkelje të drejtave dhe lirive të njeriut duke mos respektuar konventat ndërkombëtare të minoriteteve dhe autonominë lokale. Duke bërë për vete këtë lloj patriotizmi dhe detyrimet që dalin prej tij, shqiptarët do ti impojnë faktorit ndërkombëtar respektimin e të drejtave të tyre si dhe do integrohen më mirë mes tyre por dhe në rrymat e mendimit evropian duke kontribuar  në diversitetin e Evropës, një tipar, të cilin shumë studiues bashkëkohor evropianë e quajnë një nga vlerat universale të Evropës.

Gazeta Shqip 22.01.2013

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *