Një top dëbore nga Voskopoja!

Nga Luela Myftari

Është ftohtë, por jo për ata që nisen për pushime dimërore. Javën e kaluar udhëtuam drejt Voskopojës. Era e ftohtë e këtij janari premtonte dëborë në fshatin e Korçës. Për ne kjo do të thoshte më shumë lojëra në dëborë, më shumë ski dhe më shumë uri për gatime tradicionale gjatë kthimit për në “shtëpizën”, që do të na priste ngrohtë, me një oxhak të ndezur…

Para tri vjetësh, ditën e fundit, përpara se të largoheshim nga Voskopja, mbaj mend se kishim folur me banorët, me profesorin e fshatit, profesorin e skive, por edhe me atë djalin e vogël të tavernës, që e shihje gjithnjë faqekuq, pasi babai e kishte lënë “të gatuante” zjarrin gjatë gjithë kohës. Kishim biseduar për një turizëm ndryshe, për gjërat më të mundshme për t’u realizuar aty, ca nga ato që do ta bënin Voskopojën të gumëzhinte nga të rinjtë dhe ku zëri i fëmijëve, që luajnë në dëborë të dëgjohej më shumë se sa blegërimat e dhenve, që mbushnin oborret dhe pushtonin rrugicat më të ngushta të shpateve malore aty.

Sigurisht që prisnim ndryshime, por jo aq të mëdha. Shumica e atyre shtëpive të gurta, që kishim parë dikur ishin shndërruar në vila mikpritëse. Pa e ndryshuar arkitekturën e shtëpive të tyre, edhe oborret kishin marrë një pamje tjetër. Kishte edhe ndërtesa të reja, sikurse kanë fshatrat turistikë nëpër shtete të tjera. Voskopoja kishte vila, por me emrat e kryefamiljarëve, ose me mbiemrin e vatrës së ngrohtë të familjes. Banorët gjatë rrugës i shihje të qeshur, njëlloj, si edhe ata që ishin aty për pushime.

Rruga nga Korça në Voskopojë, ashtu si pritej ishte e hapur. Borëpastruesja, por edhe makinat e atyre që kishin vendosur ta kalonin fundjavën në Voskopojë e bënin rrugën drejt këtij fshati turistik, aspak të vështirë për të mbërritur aty edhe me makina të vogla. I pari që do të takoja aty ishte profesori i skive. Tre vjet më parë, i morëm mësimet e para të skive nga Antoni. Kishim mbajtur kontaktet dhe e kishim lajmëruar ende pa u nisur nga Tirana e zhurmshme. Na kishte thënë se në vilën e tij priste miq dhe turistë. Ashtu sikurse do të na priste edhe neve. Mbërrijmë aty dhe ashtu sikurse edhe tre vjet më parë, të gjithë ishin të gatshëm të të strehonin në vatrën e tyre të ngrohtë. Në këtë fshat edhe bashkëshortja e priftit priste krahëhapur myslimanët.

Mbërrijmë. Përshëndesim profesor Antonin dhe menjëherë sapo ngjisim çantat në dhomat tona, në vend që të shkojmë pranë oxhakut nisim të luajmë, të bëjmë zhurmë. Ata e kuptojnë këtë. Të gjithë shkojnë aty për bardhësinë e borës, edhe për ushqimet tradicionale, që do të na ofrojnë banorët e këtij fshati turistik, pasi të jemi lodhur duke bërë plakun e dëborës.

Pak pas lojës në dëborë do të kuvendojmë pranë oxhakut me Antonin. Ai do të na thotë se këtë vit ka pritur plot turistë, të rinj e të moshuar, fëmijë e të rritur. “Jam munduar që në vilë të organizoj mbrëmje të bukura gjatë fundjavës. Turistët bëhen miq me njëri-tjetrin. Shkëmbejnë gështenja të pjekura pranë oxhakut në hollin e vilës, pinë verë, madje edhe kërcejnë së bashku”, thotë ai.

Ditën tjetër do të ngjisim malin, do të shtrihemi në dëborë, do të luajmë e do të bëjmë ski. Të uritur do të kthehemi, do të porosisim një drekë të mirë që do të përgatitet ndërkohë që ne ndërrojmë rrobat që pakkush mendon të mos i lagë nëpër dëborë. Në mbrëmje, mund të lundrojmë edhe në internet me një gotë verë përpara. Wireless-i nuk mungon në Voskopojë. Kështu mendojnë, por deri në mbrëmje zbulojmë se nuk do të kemi drita. Pa mbërritur ende mesnata, energjia elektrike ndërpritet. Celularët që i kishim përdorur gjatë gjithë ditës për fotografi dhe video nuk kishin më bateri. Televizori nuk punonte. Interneti u shkëput. Jashtë nuk dukej asgjë. Errësira kishte kapluar gjithë fshatin. Vetëm oxhaku bubulonte nga zjarri. Në mëngjes, Antoni na thotë: “Është e zakonshme. Na ikin shpesh dritat”. Kjo nuk ishte ajo që donim të dëgjonin, teksa shijonim petullat e ngrohta me mjaltë, apo reçel, edhe çajin e malit. Pamë veten në sy. Kujtimet e bukura të një dite më parë ishin venitur. E bardha e dëborës u venit me terrin e natës, dhoma e ngrohtë u venit me ftohtësinë e mëngjesit, që u krijua gjatë natës pa drita, celularët nuk kishin bateri, turistët bëni ski pa teleferik, zbrisnin malin me ski dhe e ngjisnin në këmbë. Sa shumë gjëra duheshin bërë edhe më, duke filluar që nga ndërprerja e energjisë elektrike. Mirëpo, do të na duhej të harronim, kur djali që na sjell mëngjesin na thotë se në mbrëmje do të ketë festë, me gjenerator, nëse drita nuk ka. “Është e shtunë, do të kemi festë”, thotë ai.

Anton Falo përpara tre vjetësh priste në shtëpinë e tij pak turistë dhe kishte më shumë kohë t’i mësonte si të bënin ski të rinjtë si ne. Por, këtë herë dukej se ishte më i zënë. Do të duhej të kujdesej për petullat në mëngjes, për mishin e qengjit dhe lakrorin në drekë dhe për muzikën e lokalit në mbrëmje. “Të shtunën do të organizojmë diçka të bukur. Do të vijnë të rinj të tjerë nga Tirana, gjimnazistë. Unë nuk do të mund t’i mbaj të gjithë në vilë. Ata do të shpërndahen, por në mbrëmje do të vijnë këtu dhe do të kërcejmë të gjithë”, na thotë ai. Dhe ashtu ndodh. Gjimnazistët, së bashku me mësuesit, të shtunën e kthejnë dhomën e madhe të ndenjes në një vend vallëzimi. Serenata korçare, petulla të fshira, dikush verë, e dikush birrë, të gjithë këndojnë nën zë, kërcejnë në pistën e vallëzimit, ose ndjekin ritmin në tavolinat e tyre.

Ditën tjetër do të ngjisim malin, do të luajmë. Do të kthehemi të uritur dhe kështu do të vijojnë ditët në Voskopojë përpara se të kthehemi në punë, në zhurmën e qyteteve që gëlojnë nga kapitalizmi. Kur mbërrin në shtëpi, kupton si ai fshat është i bukur edhe pa drita, është i bukur në qetësinë e vetë, në njerëzit që të mirëpresin, në ushqimet e shijshme dhe me muzikën e bukur.

Hipizmi, një xhiro me kalë në dëborë

Në Voskopojë, turistët ndeshen edhe me një kalë të gjatë. E shohin që shëtit herë pas here turistë. Është rreth të tridhjetave, një mesoburrë që të gjithë në Voskopojë, madje edhe turistët e thërrasin “Kaubojsi”. Është veshur si kaubojs vërtet. Kapela, pelerina dhe këpucët e tregojnë më së miri këtë. Është kali i Kaubojsit, i gjatë, i bukur dhe që shëtit serbes-serbes nëpër fshat turistët. Për Kaubojsin, pasioni i tij për hipizmin i sjell edhe të ardhura. “Nëse dëshironi që të bëni një shëtitje me kalin tim, urdhëroni për një pagesë shumë modeste”, thotë ai. Është gati të japë hua edhe kapelën e tij. Madje, edhe t’i bëjë foto gjatë shëtitjes, turistëve që duan të bëjnë hipizëm në dëborë. Zbulojmë se një shëtitje për 30 minuta përafërsisht kushto 500 lekë të reja. Dhe në këto minuta sigurisht që, mund të zëvendësohesh nga miqtë, apo familjarët e t’u. Kali është i dëgjueshëm. Mjafton që të dëgjosh dhe të mbash mend shprehjet që përdor Kaubojsi kur drejton kalin. Kaubojsi kujdeset që të mësojë çdo turist që nuk di të bëjë shëtitje me kalë. Ai qëndron gjithnjë pranë tyre, në rast se frika është e madhe. Ama, turistit në shumicën e herëve i mjaftojnë 30 minuta. Për ata që duan vetëm të bëjnë një fotografi kjo, shuma që duhet të paguajnë është e madhe, por jo të paktë janë ata që nisen vetëm për një fotografi dhe përfundojnë të zbulojnë një shëtitje të mrekullueshme me kalë, në mes të dëborës.

Nga 25 vetëm 8 kisha në fshat

Voskopoja është një vendbanim mesjetar i hershëm që daton prej vitit 1330. Lulëzimin më të madh Voskopoja e ka pasur në vitin 1764, atëherë kur popullsia e saj arriti në rreth 30 mijë banorë. Në atë periudhë, kishte 25 kisha me afreske nga më të lakmuarat, ndërsa tani nuk kanë mbetur më shumë se 8 kisha. Edhe ato që kanë mbetur në fshat nuk janë, por kanë mbijetuar e vazhdojnë të mbijetojnë. Janë 8 kisha që nuk mund të konsiderohen aspak në gjendje të mirë. Këto objekte me vlera historike nuk i kanë shpëtuar as fatkeqësive të natyrës, motit të keq, lagështisë, shiut dhe dëborës që po i shkatërrojnë nga dita në ditë kulturën disa-shekullore që mbartin mbi supe. Me mbështetjen amerikane, si dhe interesimin e seksionit francez “Patrimone Sans Frontiere” (Trashëgimi pa kufi) filloi restaurimi i kishave në vitin 2003. Të vetmet ndihma të dhëna për këto kisha kanë qenë edhe fondet e kufizuara nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, apo të ndonjë shoqate tjetër. E megjithatë, vlera e tyre, ato që mbartin brenda këto institucione arti, po aq sa edhe besim është aq e madhe sa jo pak herë është lakmuar edhe nga vjedhësit. Voskopoja është shënjestra e ithtarëve të kishave, qofshin restauratorë, qofshin vjedhës. Çdo vit ato nuk i shpëtojnë babëzisë së njeriut që kërkon të pasurohet duke shitur pronën e këtij qytetërimi të hershëm.

Akademia që u kthye në hotel

Në periudhën më të ndritur të Voskopojës, ky fshat ka pasur shtypshkronjë, bibliotekë, por edhe akademi. Por, ky fshat tashmë turistik, nuk u shkatërrua vetëm një herë. Shkatërrimin e parë kjo zonë e pati në vitin 1769, të dytin më 1789 dhe të tretin në 1916. E megjithatë. për aq kohë sa Voskopoja lulëzoi, një numër shumë i madh të rinjsh shqiptar, grekë dhe vlleh u shkolluan dhe formuan një identitet europian të mbrujtur me ide iluministe. “Diplomantët e atyshëm e siguronin me lehtësi hyrjen në universitetet e kryeqyteteve europiane, kryesisht studimet si mësues, doktorë, ekonomistë, filozofë dhe juristë”, shkruan Edwin Jacques në historinë e tij për shqiptarët. Dhe jo vetëm kaq, atë kohë edhe artizanati u zhvillua shumë në tekstile dhe shërbeu, si urë lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje.

Por, ajo që më shumë përflitet në historinë e kësaj zone është Akademia. Sot, në Voskopojë nuk kanë mbetur shumë gjurmë nga ajo akademi. Por, ama për ta kujtuar, aty ka një kompleks me këtë emër. Por, vetëm kaq. Dhe nëse të moçmit do ta dinin fatin e akademisë së Voskopojës, do t’u flisnin ndryshe fëmijëve të tyre. Historia e këtij vendi flet shumë, banorët na tregojnë edhe më shumë, por vetëm kaq. Faktet janë të pakta. Në kujtim të akademisë, po i vendosim emrin një lokali me park lojërash për fëmijë.

Robert Elsie shkruan për Akademinë e Vjetër, dikur të Re kështu: “Akademia e Re ose Hellênikon Frontistêrion ishte një qendër e dijes e themeluar më 1744, e ngjashme me akademitë që dihet se kanë qenë në Bukuresht, Jash, Konstantinopojë, Mecovë, Janinë, në Malin Atos dhe Patmos”. E pikërisht për shkak të kësaj Akademie, një nam dhe famë shumë të madhe mori edhe Shtypshkronja dhe biblioteka e këtij vendi. Nga një fshat i qytetit të Korçës, Voskopoja atë kohë mund të konsiderohej si një qytetërim më vete, një qytetërim që i kishte të gjitha institucionet aq funksionale sa të gjtihë mund të krenoheshin. Madje, edhe një perandori e tërë si ajo otomane mund të merrte shembuj dhe kulturë nga kjo zonë.

Akademia e Re, biblioteka dhe e vetmja shtypshkronjë e perandorisë së asaj kohe, ka qenë një trekëndësh kulturor unikal në Ballkanin e mesit të shekullit XVIII. Por pika më e fortë dhe njëkohësisht më e dobët përpos Akademisë, në Voskopojë, ka qenë pa dyshim shtypshkronja e saj. Po t’i referohemi studiuesit të mirënjohur Bernard Lewis, shtypshkronja e Voskopjës ishte e vetmja në të gjithë Perandorinë Otomane sepse shtypshkronja tjetër e Stambollit që u hap nga Said Mehmet Efendiu në 1727, 7 vjet pas asaj që u hap në Voskopojë.

Jo pak do të mund të krenoheshim edhe ne sot, nëse gjurmët apo shumëçka nga akademia, biblioteka apo qoftë edhe shtypshkronja do të ruheshin me kujdes në këtë vend. Por, ne nuk na ka mbetur asgjë përveçse një emër lokali, që përkujton një ndërtesë që sot do të kishte mijëra vlerë dhe do të sillte në Voskopojën e qetë miliona turistë nga e gjithë bota.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *