Një kandidat pak i njohur për fronin e Shqipërisë më 1913

Ndonëse shqiptarët e shpallën Pavarësinë më 28 nëntor 1912 dhe u shtrua menjëherë çështja për fronin e Shqipërisë, interesimi për këtë fron kishte filluar shumë më herët, qoftë në mesin e rilindësve tanë ose ne mesin e fuqive të mëdha evropiane, e sidomos Italia e Austro-Hungaria, shkruan për Kohën Ditore Muhamed Mufaku, historian kosovar, profesor i historisë së re në universitetet jordaneze.

Kështu, qysh më 1890, Abdyl Frashëri në emër të figurave shqiptare në Stamboll ia dërgoi një letër kryeministrit italian me origjinë shqiptare F.Krispi në lidhje me një kandidat të tyre për fronin e Shqipërisë pasi të bëhet pavarur. Ishte fjala për nipin e Mehmet Ali Pashës së Misirit, Princi Fuad, me arsyetimin se shqiptarët “do ta parapëlqenin një princ të gjakut të tyre të familjarizuar me zakonet e tyre dhe të aftë që të udhëhiqte drejt përparimit”.

Megjithatë, me shpalljen e Pavarësisë më 1912 dolën në skenë shumë kandidatë seriozë e joseriozë, sa për ta shfrytëzuar rastin me pretendime të ndryshme. Albanologu gjerman Peter Bartl rendit në librin e tij “Shqipëria nga mesjeta deri sot” dhjetë kandidatë më seriozë duke përfshirë ata me origjinë shqiptare dhe të huaj (shtatë evropianë, dy me origjinë shqiptare dhe një princ osman). Në mesin e tyre, Bartl veçon nipin e Mehmet Ali Pashës, Princin Fuad, si “njëri me shanse më të mëdha”.

Mirëpo, në këtë listë të kandidatëve mungon një që ia vlen të prezantohet këtu. Është fjala për Baron Headley, përkatësisht për Rownald George Allanson-Winn (1855-1935), i cili më 1913 e përqafoi islamin dhe u njoh si Sheh Rahmatulla al-Faruk. (Koha Ditore).


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *