Pasditen e djeshme është hapur në Korçë Masteri Profesional Kombëtar i Restaurimit.
Marrëveshja, e cila i hap rrugën Masterit të Restaurimit, i pari në Shqipëri i këtij lloji u nënshkrua të premten në Korçë. Në prag të vitit të ri akademik arkitektë dhe inxhinierë ndërtimi nga Shqipëria dhe vendet fqinjë do të kenë mundësinë të ndjekin studimet e Masterit të parë të Restaurimit.
Në pritje të studentëve të parë të cilët do të përfitojnë nga kjo mundësi, në një aktivitet të veçantë është nënshkruar edhe marrëveshja mes Bashkisë së Korçës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës duke formalizuar këtë hap të rëndësishëm. I pranishëm në këtë aktivitet të zhvilluar në Pazarin e Vjetër të Korçës, ishte edhe zvkryeministri Niko Peleshi, i cili theksoi se ky mbetet një moment i rëndësishëm për qytetitn e Korçës dhe jo vetëm.
“Ky master kombëtar vjen në kohën e duhur, në vendin e duhur dhe me partnerët e duhur. Sot është momenti kur ne kemi nevojë më shumë se kurrë për të patur profesionistë të vërtetë dhe kapacitete profesionale që do të paraprinë dhe do të udhëheqin restaurimin në Shqipëri. E them sot me krenari se nuk ka ndodhur ndonjëherë në vend një aksion më i madh se ky që ndodh sot për restaurimin. Jemi pikërisht këtu, në veprën më të rëndësishme të restauruar në vend, Pazarin e Vjetër të Korçës”, tha Peleshi.
E pranishme në momentin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje ka qenë edhe ministrja Mirela Kumbaro e cila është ndalur tek impakti dhe rëndësia e këtij masteri.
Masteri i Restaurimit në Korçë do të hapë dyert këtë vit për 50 studentë të degëve të arkitekturës dhe inxhinierisë së ndërtimit brenda kufijve shqiptare por edhe nga Kosova e Maqedonia.