New York Time i dedikon shkrim talentit të tij! Mrekullitë dhe tmerret, rrëfimi dhe përjetimet e Petrit Halilajt gjatë luftës në Kosovë

Kur Petrit Halilaj ishte 13 vjeç dhe refugjat nga lufta brutale në Kosovë, një grup psikologësh italianë mbërritën në kampin e tij në Shqipëri dhe i dhanë disa stilolapsa.

Halilaj filloi të vizatonte dhjetëra piktura të ndritshme e fëmijërore. Por, subjektet e tyre nuk ishin aspak të ngjyrosura: në njërën, ai përshkruante tanke që hidhnin në erë shtëpinë e një familjeje; në një tjetër, një varr masiv. Foto të tjera tregonin ushtarë që qëndronin mbi trupa të pajetë, me armë ose thika të përgjakshme të ngritura me sa duket për të festuar.

Pikturat e Halilajt u bënë përshtypje psikologëve – dhe jo vetëm atyre: reporterët që vizituan kampin e intervistuan atë për buletinet e lajmeve ndërkombëtare. Ai i tha një transmetuesi suedez në atë kohë se gjumi i ishte prishur nga ankthet. “Ndihem më i lumtur kur kaloj kohë kështu”, tha Halilaj për vizatimet.

Tani, më shumë se 20 vite më vonë, Halilaj (që shqiptohet Ha-lee-LYE) është një figurë në ngritje në botën e artit të Evropës, puna e të cilit është shfaqur në Bienalen e Venecias dhe në muzetë anembanë kontinentit. Në ekspozitën e tij të fundit, në Tate St. Ives (Shfaqja, “Very Volcanic Over This Green Feather” zgjat deri më 16 janar).

Në një turne të kohëve të fundit në ekspozitë, Halilaj, 35 vjeçar, tha se i rishikoi fotot vitin e kaluar dhe u befasua nga ajo që kishte vizatuar. Mes dhunës, ai shtoi: “I pashë të gjithë këta zogj – pallonj dhe pëllumba – dhe ishin po aq të mëdhenj sa ushtarët, të lumtur dhe krenarë”.

“Unë kisha hapësirë për të vizatuar peizazhe që më bënë të ndihem mirë”, shtoi ai. “Ishte sikur po thosha, ‘Po, ishte e tmerrshme, por unë mund të ëndërroj dhe të dua gjithashtu’”.

Në shfaqje, vizatimet e fëmijërisë së Halilajt janë varur në tavanin e galerisë, në mënyrë që vizitorët kur hyjnë të takohen me një peizazh fantazi me zogj ekzotikë dhe palma. Por, kur arrijnë në anën tjetër të dhomës dhe kthehen, zbulojnë shkarravinat e Petritit si: ushtarë, tanke, figura vajtuese, shtëpi të djegura.

Artisti nga Kosova tha se shpresonte që ekspozita do t’i bënte njerëzit të mendojnë se si politikanët dhe mediat e portretizuan konfliktin. Edhe sot, shtoi ai, disa ligjvënës ballkanikë shtrembëruan realitetin e luftës në Kosovë për të forcuar agjendat e tyre nacionaliste. Por, realizimi i shfaqjes e kishte ndihmuar gjithashtu të pajtohej me kujtimet e tij, tha ai.

Christine Macel, kryekuratorja e Qendrës Pompidou në Paris, e cila paraqiti punën e Halilajt në Bienalen e Venecias në 2017 , tha se Halilaj “ishte origjinal si person dhe artist – shumë i hapur, krijues, elastik dhe plot imagjinatë”.

Puna e tij trajton tema serioze si nacionalizmi dhe mërgimi, tha ajo, megjithatë “ka gjithmonë një notë fantazie dhe gëzimi në bazë të tyre”. Ekspozita e Tate tregoi premtimin e tij të hershëm si një artist që po përmbushej, shtoi Macel.

Erzen Shkololli, një ish-drejtues i Galerisë Kombëtare të Kosovës , i cili tregoi punën e Halilajt atje gjatë mandatit të tij, tha se artisti gjithmonë e ka përdorur historinë e vendit si pikënisje në punën e tij, “por arti i tij ka të bëjë me shumë më tepër” dhe kushdo mund të lidhet me të.

Në disa vepra mesazhet e Halilajt janë të qarta. Në vitin 2011, ai gërmoi 66 tonë tokë nga toka e familjes së tij në Kosovë, më pas e grumbulloi në një kabinë në Art Basel, panairin e artit , duke e ofruar për shitje. Jennifer Chert, një nga galeristët e tij, tha se puna “padyshim kishte të bënte me lidhjen me tokën, idenë e atdheut dhe mërgimin, por ekzistonte edhe ana më cinike e ‘Cila është vlera e tokës?’.

Halilaj tha se u nxit për të bërë ekspozitën Tate nga një sërë ngjarjesh që e bënë të ndjehej sikur politika në Kosovë dhe Serbi ishte ende e ngecur në vitet 1990. Tetorin e kaluar, ai ishte planifikuar të prezantonte punën në një bienale arti në Beograd, Serbi – një vend që nuk e njeh Kosovën si një shtet të pavarur. Halilaj tha se ishte i emocionuar nga mundësia, por i zhgënjyer meqë organizatorët e ngjarjes hoqën kombësinë e tij nga lista zyrtare e pjesëmarrësve të publikuar në internet.
I njëjti u tërhoq nga ngjarja në shenjë proteste.

Përafërsisht në të njëjtën kohë, tha Halilaj, ai dëgjoi raportimet e lajmeve duke thënë se Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, e kishte përshkruar një masakër që ndodhi gjatë Luftës së Kosovës si ‘të inskenuar’. Nëse politikanët nacionalistë do të shpiknin fantazi për konfliktin, ai do të përgjigjej duke thënë të vërtetën: “U ndjeva si qytetar dhe artist, dua të qëndroj dhe të kundër-tregoj diçka”, tha Halilaj.

Megjithatë, Petriti nuk dëshironte që vizitorët në St. Ives të fokusoheshin vetëm në anën e errët të shfaqjes. Ata duhet të kthehen në fillim të ekspozitës, tha Halilaj, dhe nëse ndodh që të shikojnë prapa, do t’i takojë përsëri peizazhi i zogjve dhe pemëve ekzotike. A i pasqyroi ai përfundim pikëpamjet e tij për Kosovën sot?.

“Plotësisht!”, vazhdon Halilaj duke buzëqeshur gjerësisht. Ai ishte “shumë, shumë pozitiv” për të ardhmen e vendit. I njëjti së fundmi organizoi atje një shfaqje të përbashkët me Alvaro Urbanon, bashkëpunëtorin e tij artistik, në të cilën çifti varën lule të mëdha prej pëlhure nën kupolën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës gjatë ‘Pride Ëeek’ (Javës së Krenarisë).

Kosova është ende një shoqëri ‘maço’, tha Halilaj, por askush nuk kishte ‘hedhur domate’ apo protestuar kundër festës së LGBT.

“Kur ndodhi kjo, nën lule u ndjeva sikur në shtëpi për herë të parë në jetën time”, tha Halilaj. “Nuk kishte më nevojë të imagjinonim pallonj dhe papagaj”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *