Në pritje të koncertit të Dolit, 90 minuta muzikë dhe video, nga Danubi Blu te Shtrausi e valset

Koncerti i mbrëmjes së sotme në Pallatin e Kongreseve që violinisti Shkëlzen Doli dhe Ansambli i Filarmonisë së Vjenës do interpretojnë para publikut shqiptar, transmetohet në RTSH dhe në Tv Klan. Violinisti Shkëlzen Doli do të performojë së bashku me Ansamblin në ora 20:00.
“Philharmonic Ensemble Vienna – Ansambli i Filarmonisë së Vjenës është pjesë e Orkestrës Filarmonike të Vjenës. Instrumentistët e këtij Ansambli janë instrumentistë të Filarmonisë së Vjenës. Diferenca është në numrin e instrumentistëve. Orkestra e Filarmonisë ka një numër shumë të madh instrumentistësh. Ansambli i Filarmonisë së Vjenës që vjen në Tiranë përbëhet nga 40 instrumentistë, nga më shumë se 100 që ka Filarmonia.
Koncerti do të zgjasë 90 minuta, me ndërprerjen prej tri prezantimesh të videove që janë xhiruar në: Shqipëri, Kalabri dhe Kosovë. Ndërsa, programi i koncertit të Tiranës, është pak a shumë si ai i Vjenës: përfshin Johann e Josef Strauss, Franz Lehar, Johannes Brahms, pra polka, vals, si edhe interpretimi i Marshit të Radezky-t dhe Danubit Blu.
Kjo nismë artistike ka gjetur mbështetjen e autoriteteve më të larta të të dy vendeve, Shqipërisë dhe Austrisë, e që kryesohet nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë si dhe partnerëve të tjerë publikë e private që i janë bashkuar këtij projekti. Ministria e Kulturës e ka vendosur që në krye të herës komunikimin kulturor si mënyrën më të mirë e më të sigurt të integrimit në Europë, duke e futur Shqipërinë në axhendat më të rëndësishme kulturore ndërkombëtare.

Çfarë janë filarmonitë e ansamblet?
Muzikologët sqarojnë se filarmonitë u krijuan si shoqëri muzikore. Simboli i tyre ishin orkestrat filarmonike, si bashkësi ansamblesh muzikore të grupuara sipas specifikave të ndërtimit të veglave. Kështu në orkestrën simfonike kemi ansamblin e harqeve të përbëra nga violinat e para, të dyta, violat, violonçelat dhe kontrabasat; të drunjtat që janë flauti pikolo, flauti i parë, i dytë, oboe e parë e dytë, klarinetë e parë e dytë, fagot i parë dhe i dytë. Tunxhin, të përbërë nga katër kornot, tre trompat, tre trombonat dhe tuba. Së fundi, grupi i perkusionit i përbërë nga timpanët, grand kasa, tamburo militare, triangolo etj. Ansamblet janë brenda një lloji sa më sipër, për shembull kuartet harqesh, ose kuintet fryme, ose me përzierje mes tyre- harqe me pak frymë, ose edhe me piano.

ZYRTARISHT
Përveç koncertit të datës 1 janar, Filarmonia e Vjenës jep koncerte në kuadrin e “Javëve të Filarmonisë së Vjenës” që prej vitit 1989 në Nju-Jork dhe 1993 në Japoni. Po ashtu orkestra e Filarmonisë së Vjenës jep edhe koncerte verore në kështjellën Schönbrunn, që ndiqen nga rreth 100.000 vizitorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *