Marina Abramoviç flet në vigjilje të 75-vjetorit: Mendoj për vdekjen çdo ditë, seksi më i mirë pas menopauze!

74 vjeçe, Marina Abramoviç një nga artistet më të veçanta ka folur për përqafimin e idesë së vdekjes dhe se jeton me këtë ide çdo ditë, artin e saj qartësisht emocional, spiritualitetin dhe komunizmin, por edhe sesi seksi bëhet më i mirë pas menopauzës.

Unë do të jem 75 vjeçe në nëntor. Gjyshja ime, e cila jetoi deri në 103 vjeçe, më tha se të 70-at janë momenti kur jeta fillon të bëhet vërtet interesante. Ti je e lirë të bësh çfarë të duash, ke gjithë mençurinë për ta bërë këtë. Ajo që i përkeqëson gjërat, është vetëm nëse jeni të sëmurë, por nëse jeni të shëndetshëm atëherë jeta në këtë fazë është tepër e këndshme.

Mendoj rreth vdekjes çdo ditë. Vetëm kur mendon se do të vdesësh, ti mundesh ta shijosh plotësisht jetën.Do të thotë se nuk mund të bësh më budallallëqe; gjithçka që nuk është e rëndësishme rrëzohet dhe ti e di që vdekja mund të vijë në çdo çast, në çdo kohë; je në aktin e fundit. Duhet të mendosh për atë që do të lësh në shoqëri, si artist e ke atë detyrim. Sepse nëse ke një dhunti, duhet ta trajtosh me kujdes. Dhurata nuk të është bërë ty personalisht, por të është dhënë ty në mënyrë që t’ia dhurosh shoqërisë. Duhet të mendoni me kujdes se si do ta lini punën domethënëse pas.

Trashëgimia është shumë e rëndësishme. Nëse vdes këtë minutë, çfarë do të kem lënë pas? Një gjë për të cilën kam qenë përgjegjëse është vendosja e artit të performancës në rrjedhën kryesore, sepse askush nuk ishte në këtë territor më parë. Arti i performancës u tall, nuk u konsiderua fare art. Më mori gjithë jetën time, 50 vjet të karrierës sime, por tani është pjesë e jetës muzeale, pjesë e kulturës, pjesë e koleksioneve.

Shumicën e artit duhet ta kuptosh intelektualisht, duhet të lexosh shumë tekste, ky është çelësi. Por kjo nuk qëndron për artin tim. Arti im është thjesht emocionale: të godet në stomak. Ky lloj arti u përket të gjithëve. Ju nuk keni nevojë për ndonjë njohuri të mëparshme për ta kuptuar atë.

Unë isha me Ulay (artisti tjetër i performancës Frank Uwe Laysiepen] për 12 vjet. Ai ishte dashuria e jetës sime. Dhe pastaj më paditi. Ishte e tmerrshme. Humba në çdo pikë. Isha tepër e zemëruar. Por pastaj një ditë hapa sytë dhe thashë: “Në rregull, kam humbur. Çfarë ka më pas? Dhe ajo që pasoi ishte falja. Ai vdiq në vitin 2020 dhe ne kishim këtë vit të fundit të mrekullueshëm të jetës së tij, kur ne u bëmë miq në të vërtetë. Ishte një ndjenjë tepër shpërblyese, sepse zemërimi është helmues, jo vetëm për personin tjetër, por edhe për veten. Tani e mbaj mend Ulain me butësi.

Nuk kam dashur kurrë të kem fëmijë. Ju keni një energji në trupin tuaj dhe në momentin kur energjia juaj ndahet midis të qenit artiste dhe të qenit nënë, njëra ose tjetra vuan. Të gjithë miqtë e mi më bënë kumbare e fëmijëve të tyre dhe kjo ishte e mrekullueshme. Gjithashtu të gjithë studentët e mi janë fëmijët e mi. Dhe jam vërtet krenare për të gjithë ata.

Seksi është shumë i rëndësishëm për mua. Gjithmonë ka qenë. Shumë njerëz mendojnë se pas menopauzës gratë heqin dorë nga ideja e seksit. Për mua seksi që atëherë ka qenë më i mirë, sepse nuk ke më nevojë të shqetësohesh për shtatzëninë. Tani për tani kam një të dashur që është 21 vjet më i ri. Është e mrekullueshme! Nuk e kam problem të jem shumë seksualisht aktive. Më bën të lumtur. Unë e shoh seksin si një ekuilibër të nevojshëm së bashku me ushqimin e mirë, humorin, gëzimin për jetën.

Kam jetuar me gjyshen time deri në moshën gjashtë vjeçe dhe ajo ishte qendra e botës sime. Prindërit e mi ishin komunistë, por gjyshja i urrente komunistët. Ajo ishte shumë shpirtërore. Në mëngjes ndizte një qiri dhe lutej. Kishte një ndjenjë paqeje dhe qetësie dhe kjo qëndroi me mua për një kohë të gjatë. Por nga nëna dhe babai kam marrë gjithçka që lidhet me vullnetin dhe guximin dhe idenë se jeta juaj nuk është e rëndësishme, ajo që ka rëndësi është shkaku për të cilin jeta juaj është aty, qëllimi i saj. Kombinim i spiritualitetit dhe i komunizmit më bëri kjo që jam sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *