Luan Përzhita: Instituti i Arkeologjisë në kushte mjerane, punojmë 30 vetë në 4 zyra

Objekti i veprimtarisë së Institutit të Arkeologjisë janë kërkimet, gërmimet dhe studimet arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë. Një punë, që siç pohon drejtuesi i institutit prof. dr. Luan Përzhita angazhon arkeologët me ekspedita të ndryshme. Por ndërsa puna që bëjnë specialistët është e madhe, sipas drejtuesit të Institutit të Arkeologjisë kushtet në të cilat punojnë lënë për të dëshiruar. Në intervistën e tij drejtori Përzhita tregon se janë në dispozicion vetëm 4 zyra për të gjithë punën studimore që duhet të bëjnë specialistët. Sipas tij, ky është një problem me të cilin janë njohur dhe institucionet nga varet IA, por situata nuk ka ndryshim. Ky problem sipas prof. dr. Përzhitës vjen në vijim dhe të mungesës së buxheteve për arkeologët në ekspedita. Por sot për Institutin e Arkeologjisë është me rëndësi se duhet të ketë dhe pavarësinë ekonomike, pasi sipas drejtorit Përzhita janë të pakta projektet që miratohen.

Drejtoni Institutin e Arkeologjisë, çfarë mund të na thoni për ekspeditat që kanë nisur dhe zhvillohen edhe gjatë këtij sezoni?

Është një punë sistematike, që kryen Instituti i Arkeologjisë ndër vite. IA është fokusuar kryesisht në tre drejtime kryesore që kanë të bëjnë me kërkimet arkeologjike në terren. Për këtë vit kemi rreth 20 ekspedita në terren, që kanë filluar që në muajin prill dhe do vazhdojnë deri në muajin shtator. Kryesisht punohet në qendra shumë të rëndësishme, si qendra prehistorike e  pellgut të Korçës, bashkëpunime me universitete franceze dhe greke. Këtë vit ka dhe ekspedita tradicionale si ato që zhvillohen në Butrint, Durrës, Bylis, Apolloni dhe në Andrianopol. Një pjesë e këtyre ekspeditave këtë vit do të kalojnë në fazën përgatitore për botim që do ti jepet lexuesve, që janë të interesuar për botimin shkencor të arkeologjisë, po ashtu vazhdojnë kërkimet arkeologjike në Shkodër dhe në zona të tjera. Një pikë e rëndësishme e këtij viti do të jenë dhe kërkimet nënujore, kryesisht në dy liqene, në Ohër dhe Prespa. Janë zbuluar dy site arkeologjike të periudhave prehistorike, pra flitet për site arkeologjike të karakterit palafit që janë zbuluar. Është fjala për ndërtimet e kasolleve mbi ujë, që datojnë diku 3100 vjet para erës sonë. Në këtë kuadër kam kënaqësi të them që vazhdojnë dhe projekte që lidhen me shkollën doktorale arkeologjike. Kërkimet shkencore të këtij viti janë të fokusuara në territorin e Shqipërisë ku dua të theksoj dhe angazhimet e kolegëve të IA në ekspeditat jo vetëm shqiptare, por kemi dhe bashkëpunime me Kosovën kryesisht në zonën e Prizrenit dhe Prishtinës, por kemi dhe kolegë tanët që punojnë në grupe të ndryshme në Bullgari ose në vende të tjera të Europës.

Ju pohoni punën që bëni me specialistët e IA, por problemi i fondeve financiare vazhdon. Sa ju pengon në punën tuaj?

Ne nuk kemi ndryshim të buxheteve për arkeologjinë, dhe kjo besoj që nuk është vetëm për arkeologjinë, por në përgjithësi për kërkimin shkencor. Kur flasim për arkeologjinë e dimë që zëri dieta në buxhet ka vite që është hequr. Është një problem prej vitesh. Shqetësimi jonë është që ne duhet të kemi pavarësinë ekonomike që dhe kërkimi shkencor të shkojë atje ku kemi ne shqetësimin tonë si arkeologji shqiptare. Sot ne nuk kemi pavarësi ekonomike, administrata është e QSA jo e Institutit të Arkeologjisë. Ne konkurrojmë me projekte dhe ato që miraton senati i QSA nga arkeologjia mund të jetë 1 apo 2 projekte në vit. Ne jemi në pritje të një ristrukturimi të kërkimit shkencor, ku bëjnë pjesë dhe Instituti i Arkeologjisë. Ne jemi pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike, por me gjendjen aktuale kjo QSA nuk funksionon më si një universitet i thënë dikur në statusin e saj të kaluar, meqenëse ligji i arsimit të lartë dhe i shkencës që u miratua në Kuvend nuk e bëri pjesë të saj QSA. Në dijeninë tonë janë krijuar disa grupe pune që po punojnë për dhënien e një reforme të karakterit shkencor të legjislacionit të ri dhe shpresojmë që së shpejti QSA, kryesisht Instituti i Arkeologjisë të gjejnë vendin në kërkimin shkencor, atë vend që meriton për vlerat dhe kontributin që i jep kërkimit shkencor në fushën e historisë antike dhe arkeologjisë së Shqipërisë. Por një tjetër problem janë dhe kushtet me të cilat ne punojmë sot në Institutin e Arkeologjisë.

Për ju, ku qëndrojnë këto probleme me kushtet e punës në këtë godinë?

Ne jemi të kënaqur që nëpërmjet një fondi të ambasadorit amerikan pasi kemi rregulluar fondet arkeologjike, që dikur ka qenë në kushte jo të mira. Tashmë i kemi të sistemuara në mënyrën më të mirë të mundshme të kushteve shqiptare rreth 21 mijë objekte arkeologjike. Por nga ana tjetër arkeologët po kalojnë një vështirësi të madhe sa i takon sistemimit të tyre nëpër ambientet e punës. Sot në një zyrë punojnë 4-5 arkeologë me një sipërfaqe 3x 3 metra. Kjo ka shumë vështirësi, për sa i takon jo vetëm akomodimit dhe mënyrës së punës së arkeologëve, por veç kësaj kemi dhe një grup arkeologësh që nuk kanë zyra. Kjo situatë është shumë problematike. Kështu që një grup të rinjsh arkeologë që merren me kërkimin shkencor aktualisht janë pa zyra.

Por si erdhi kjo situatë, kur ju pohoni punën e madhe që bëjnë arkeologët?

Ky problem erdhi si rezultat i grumbullimit në institucionin tonë edhe të institucioneve të tjera të QSA që janë Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, dhe pastaj procesi i kalimit në ambiente të reja që do të ishte një zgjerim normal për institucionet tona u ndërpre për shkak sepse atje u vendos Ministria e Integrimit. Aktualisht ne si Institut të Arkeologjisë të përbërë nga 30 vetë kemi në dispozicion rreth 4 zyra. Nuk e di nëse do na fusin dhe në librin Guinness për këtë. Edhe biblioteka që e kemi në një ambient tjetër pune, edhe ajo është e tillë që aktualisht po përdoret jo vetëm për studim, por dhe për mbledhje të ndryshme që bën IA apo dhe institutet e tjera meqenëse nuk kemi ambiente. Vazhdimisht senati akademik i QSA ia ka bërë të ditura këto probleme nëpërmjet shumë kërkesave drejtuar Ministrisë së Arsimit. Janë në dijeni për këtë problem, sepse i janë bërë shumë shkresa, por sot kjo është situata. Ne jemi në pritje të zgjidhjes së këtij problemi. Arkeologjia është një shkencë, që përveç zyrës së punës alternon terrenin me kërkimin shkencor në kabinet. Sot ne na mungon dhe laboratori për restaurimin e objekteve. Tashmë restaurohen objekte arkeologjike në terren në ato laboratorë provizor që ne kemi, por duan një trajtim të vazhdueshëm. Ky është një problem që duhet të zgjidhet sa më shpejt, një problem që vijon që nga 2008. Laboratori jonë është i bllokuar nga një privat dhe nuk lejon hyrjen dhe daljen, nuk është zgjidhur ky shqetësim, edhe pse u investua një shumë e madhe për ngritjen e laboratorit te shtëpia e Toptanëve. Pajisjet janë atje, po ti marrim na duhet një ambient, po ku ti sistemojmë? Mendoj që për laboratorin është një problem i shumëfishtë. Ai i pronësisë së banesës ku ndodhet laboratori, problem i MAS sepse është një aset që i takon QSA, një laborator jo vetëm për arkeologjinë por dhe etnografinë. Pra duhet të punojnë për këtë problem jo vetëm ministria e Arsimit por dhe ajo e Kulturës, institucione të tjera shtetërore. I takon shtetit që kjo bazë materiale, që është e rëndësishme të dislokohet diku që ti shërbejë institucioneve kërkimore. Në rast të kundërt nuk ka vlerë gjithë ai investim. Pra gjendja është kemi laborator, nuk kemi laborator.

Ju, herë pas here keni folur mbi problemin e muzeve arkeologjikë. Ju pohoni se kemi shumë objekte dhe kërkoni dhe një muze kombëtar në Tiranë?

Kjo është një ndër shqetësimet apo ëndrrat e çdo arkeologu. Aq më tepër unë që jam drejtues i institucionit, që Shqipëria të ketë një muze kombëtar arkeologjik. Është e vërtetë që në Tiranë ka disa institucione që merren me kulturën dhe zhvillimin turistik, por gjithsesi duhet të jemi të ndërgjegjshëm që shumë pak gjëra një vizitor i huaj ka për të parë në Tiranë. Është Muzeu Historik Kombëtar, GKA, janë dy apo tre pika të ndryshme në bulevardin dëshmorët e kombit etj. Por për mua Shqipëria do të ballafaqohej mjaft bukur ose do të kishte një pasqyrë për gjithë turizmin nëse do të kishim një muze kombëtar të arkeologjisë. Ne aktualisht kemi rreth 120 mijë objekte arkeologjike, që janë gati për tu ekspozuar në gjithë territorin e Shqipërisë, që rrinë në thesaret arkeologjike që ne kemi jo vetëm në Tiranë, por dhe në Durrës, Apolloni, Korçë dhe në pika të tjera ku ne i bëjmë kërkimet arkeologjike që janë të sistemuara, dhe ne presim rastin që të ekspozohen. Por këto nuk janë vetëm objekte qeramike, ka objekte ari apo argjendi, janë objekte mermeri. Janë objekte të një arti shumë të bukur, dhe pasqyrojnë një histori shumë të lashtë të Shqipërisë, duke filluar që 40 mijë vjet përpara Krishtit e duke ardhur deri në periudhën mesjetare. Pra ne do të kishim një muze ku gërshetohen të gjithë kulturat mesdhetare në antikitet. Është një thirrje që unë i bëj qeverisë, kryeministrit, që të shikojë mundësinë që Piramida që sot është e boshatisur dhe është kthyer në një pikë e cila ka problematikat e saj, mbase është mirë ta kthejnë në një muze nacional të arkeologjisë kombëtare. Është një pozicion në qendër të Tiranës dhe shumë e përshtatshme për ti dhënë vlerat e një muze kombëtar arkeologjik. Ashtu siç po investohet në sport, ashtu dhe Piramida të kthehet në një qendër ku mund të bëhet dhe një kompleks i gjithë institucioneve kërkimore shqiptare.

Intervistoi: Julia Vrapi

Agjensia e Lajmeve Sot News

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *