Lordi Alan Watson, mbështetje dhe promovim turizmit shqiptar në Britani

Për herë të parë në Dhomën e Lordëve të Parlamentit Britanik u mbajt aktiviteti “Arritjet dhe e ardhmja e industrisë turizmit në Shqipëri”. Lord Alan Watson of Richmond, një mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, ofroi mbështetjen e tij personale për promovimin e mëtejshëm të turizmit në Britaninë e Madhe.

Në këtë aktivitet, në tempullin e demokracisë botërore, organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri -Britani e Madhe në bashkëpunim me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Komisionin Parlamentar Britanik të miqësisë mes Shqipërisë e Mbretërisë së Bashkuar, Agjencinë Kombëtare të Turizmit, ambasadën e Shqipërisë në Londër, nën kujdesin direkt të Lord Alan Watson, ku mori pjesë edhe Milva Ekonomi, Ministre e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Zonja Madelein Moon, kryetare e grupit të miqësisë.

Zonja Moon, e cila mori këtë detyrë pak kohë më parë, tregoi se vizitat e saj në Shqipëri nga viti 2006 kur ajo erdhi për herë të parë në Rubik e Krujë, dhe kur u kthye në 2016, ajo që vazhdonte t’i bënte përshtypje ishte mikpritja e pandryshuar njerëzore e shqiptare. Ruaje këtë pasuri të çmuar të vendit.

Është një nder dhe privilegj i veçantë për mua, tha ministrja Ekonomi, që nga Dhoma e Lordëve të flasim sëbashku për turizmin shqiptar dhe sfidat e përditshme, për ta kthyer turizmin në një kontribues akoma edhe më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare.

“Mikpritja shqiptare, të cilën e nënvizoi në fjalën e tij i nderuari  Lord Watson of Richmond dhe zonja Moon, është një aset me vlera për turizmin shqiptar. Por, Shqipëria me mikpritjen e saj mund të tregojë këndshëm  historinë e saj, muzetë e rinovuar rishtazi apo edhe ato vende të cilat kanë marrë statusin e mbrojtjes nga UNESCO. Shqipëria është një vend i bukur dhe i sigurt. Është një vend që ofron mundësi të shijosh bregun, kodrën dhe malin, por edhe kuzhinën e shijshme të gatuar me produkte bio dhe lokale. Këto vite Shqipëria ka përmirësuar aq shumë shërbimet e saj HORECA, sa e bën të krahasueshme me shumë vende të tjera te Mesdheut dhe mbase edhe më mirë. Shqipëria  është një vend i sigurt, ku toleranca fetare është një vlere e shtuar në historinë dhe mikpritjen njerëzore.”- u shpreh ministrja Ekonomi.

Ndihma dhe mbështetja e Dhomës së Lordëve, tha ministrja Ekonomi, në çdo lloj forme për promovimin e turizmit merr vlera të jashtëzakonshme për Shqipërinë.

Duke i dhënë vëmendje turizmit, Shqipëria po lehtëson dhe po mbështet investimet strategjike në mbështetje të fuqizimit të këtij sektori. Ka shumë mundësi të investohet në strukturat akomaduese, infrastrukturë dhe në marina.

“Faleminderit Lord Watson of Richmond, Zonja Moon, Zoti Grogan dhe të gjithë miqve të Shqipërisë në Parlamentin Britanik për mbështetjen e vazhdueshme dhe promovimin e Shqipërisë Turistike”,- tha ministrja Ekonomi.

Në këtë aktivitet morën pjesë edhe investitorë britanikë, operatorë turistike nga Shqipëria dhe Britania e Madhe, biznesmenë shqiptarë që punojnë dhe jetojnë në Britani të Madhe.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *