“Le Procope”, kafeneja më e vjetër e botës…

Nga Luan Rama

Tashmë një kafe-restorant ballë Odeon-it që mbart shumë histori. Sa herë vij këtu më kujtohet takimi i konsullit francez François Pouquevil i cili, duke udhëtuar nëpër malet e Zagorisë dhe duke zbritur në Përmet, takoi një banor të qytetit. Por habija e tij ishte e jashtëzakonshme: «Sapo u përshendeta nga një grup njerëzish, kur një burrë i respektuar, m’u drejtua në frëngjisht, në një stil dhe mënyrë kaq të papritur, sa m’u desh kohë të formuloja përgjigjen. Ai kishte udhëtuar nëpër Europë e për shumë vite në Paris, ku kishte patur rastin të shoqërohej me Dideronë dhe njerëz të tjerë të shquar të shekullit të kaluar. – Përmeti është vendlindja ime, më tha ai, – unë kam frekuentuar shoqëritë më në zë të kombeve të zhvilluara. Një njeri me logjikë mund të jetë i gëzuar në çfarë do lloj kushtesh, dhe këtë e kam provuar vetë.»
Ja një nga shqiptarët që kishte mbartur me vete gjurmët e një kohe, që me sa duket ai kishte jetuar në Paris në kohët e Revolucionit francez. Dhe kafeneja e tij ishte ajo më me sqimë, atje ku bëheshin debatet e mëdha të revolucionarëve, atje ku ajka parisiane debatonte për ardhmërinë dhe fatet e Francës.
Nga viti 1807 e deri më sot, kanë kaluar 210 vjet. Bashkë me Liri Kopaçin dhe Anila Hykën, vetja na duket si pinjollë të atij shqiptari që rrinte dikur në krah të tavolinës së një Diderot, ndërkohë që sot janë vetëm portrete e mëdha të „lumierëve“ francezë dhe të revolucionarëve të shquar, edhe pse kokat e shumë prej tyre ranë nën tehun e mprehtë të gijotinës. Përballë nesh dy portrete të bukura, George Sand dhe i dashuri i madh i saj Chopin, të cilët e kishin zakon të kalonin këtu mbrëmje të gëzuara mes debatesh letrare dhe ngasjesh për dramat teatrale, pasi teatri i parë i Parisit, Theatre de la Comedie, ishte këtu.

Liri Kopaçi intrigohet nga letra e fundme e mbretit Louis XVI, i cili do t‘i linte amanetet e fundit mbretereshës Maria Antoinette, koka e të cilës do të pritej gjithashtu pak kohë më vonë. Në sallat e tjera, përsëri portrete si ato të filozofëve, politikanëve, shkrimtarëve nga Hugo, Voltaire, Molière, Rousseau apo Robespiere e Danton (që të dy kokë-prerë), Benjamin de Franklin apo të tejrë shpirtra të ndritur të Francës. Fjala „Citoyens“ dhe „Citoyennes“ mbretëron gjer në dyert e tualetit…
Historianët thonë se i pari që e solli lëngun e zi të kafesë në Paris ishte ambasadori i sulltanit Mehmet i IV, Sulejman Aga, degustimi i së cilës u la një shije të këndshme aborrtarëve të „Chateau de Versaille“. Kafenenë e parë e ngriti një armen me emrin Gregoire, kafene e cila nuk ekziston më, por ishte siqeliani nga Palermo Francesco Procopio dei Coletelli i cili fillimisht punoi si „garçon“ tek ai e më pas ia bleu, duke u vendosur më së fundi këtu, në këtë ndërtesë, me dekore interesnate në vitin 1689. Dhe kështu historia vazhdoi, kafeneja kthehet dhe në restorant, ku gatuhen deri sot gjellët tradicionale si „Coc au vin“, apo „Tête de veau“, „Beouf braisé“, „Mille feuille maison“ apo „Tiramisou, façon Procopio“ dhe ku vera e kuqe ka aromë dhe shije të veçantë… Dhe kështu, në këtë mjedis, ngado që vërtitet biseda, ajo rikthehet tek Shqipëria, mëmëdheu, kujtimet, nostalgjia dhe se ç’mund të bëjmë ende për Shqipërinë. Konsulli Pouqueville, nëse do shfaqej këtu sërrish, nuk do të habitej t’i rigjente shqiptarët në këtë kafene historike, ku ende flitet për filozofinë, artin, revolucionet dhe udhëkryqet e mëdha të historisë, për miqtë e largët, të shpërndarë në të gjitha pikat e globit, që pas ikjes së Miranda Shehut drejt Melbourne, më pëlqen t‘i krahasoj me krillat… Kohë shtegtimesh, ku historia na rishfaqen në çdo udhë që shkelim…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *