Nga Mira Kazhani
Prej 20 vitesh jetoj në të njëjtin apartament,në një lagje të Tiranës. Është një vend që më ka thirrur që në ditën e parë kur shkela shkallët përbri një ministrie që atëherë as emrin nuk i dija, por dukej e rëndësishme nga prania e ushtarëve. Meqë ra fjala nuk shoh më ushtarë që ruajnë. Ushtarët ishin tipa që këndonin dhe bënin gallatë me njerëzit afër, ndoshta prandaj nuk ka më!
Ka të pasur, të varfër, familje mesatare, një shtëpi problematikësh, dhe një djalë që kërkon çdo ditë pëllumbat.
Problematikët, nuk kanë prej një viti drita dhe jetojnë me muret, dhe 3 qentë, por edhe pse janë pak të çuditshëm, (dhe unë kam bindjen që ata nuk më lexojnë, se nuk kanë as drita e jo më raport e feeling me internetin) kanë vazo me lule nëpër shkallë. Nuk e di për çfarë mund t’iu hynë në punë, por kur shoh borzilokët, shqiponjën dhe jaseminët në pranverë, bëj me vetë një, heuu!
Paçka se janë problematik me taksat që nuk i kanë paguar, ata veç shtetit, nuk shqetësojnë kurrë kënd në lagje.Maksimumi i dëgjon kur thirrin në emra qentë që kanë disa emra filmash që të kujtojnë ato aksion të viteve ’90! Jo Kobra, jo Vandam…
Lagjja është si kuti kremi me efekt zbutës. Krijon një mantel për sjellje emocionale të forta. Djali i pëllumbave (kështu më pëlqen ta thërras, por në fakt ka pësuar një çarje dhe nuk është më në psiqikën normale ) shëtit orë e pa orë dhe shitësit aty pranë, herë i falin Coca Cola, herë një mollë e herë një portokall. Ai i merr dhe ikën duke biseduar me shokët imagjinar. Ndonjëherë, bën sherr me to, po asnjëherë me shokët e lagjes. Komshiu i shtëpisë private ka tek dera që është më e madhe se shtëpia e tij, një tabelë ku shkruhet MOS PARKO , por unë dhe të tjerë e lemë gjithmonë aty makinën dhe ai nuk mërzitet edhe kur e ka me nxitim, të telefonon e të thotë: -“Të lutem a vjen ta lëvizësh makinën?” Nuk e kam takuar asnjëherë dhe nuk i kam thënë që është një burrë zotëri dhe ‘tironc’ tipik bujar.
Rrobaqepësi, një burrë i mirë vdiq para dy vitesh. Të gjithë i shkuan, por pa zhurmë. Është e pabesueshme, por në këtë lagje martohesh, bëhesh me fëmijë dhe vdes dhe në asnjë nga ceremonitë nuk ka zhurmë. Jeta ecën si mbi një tapet hoteli të mirë, butësisht! Çiftit që shet fruta-perime u dallohen vetëm shallët e ngrohtë dhe duart me morth prej të ftohtit. Njëherë në 3, të thonë ndonjë fjalë, kryesisht të qeshin dhe të shërbejnë me sinqeritet. Shegën e athët ta shesin për të athët dhe të ëmblën për të ëmbël!
Askush nuk sillet si i pasur dhe askush nuk bën si i varfër! Kjo sidomos më pëlqen! Mendojeni vetë, edhe ushtarët ia merrnin këngës gjithë ditën dhe nuk adhuronin pushkën e varur në krah! Çfarë lagjeje! / http://www.tiranapost.al/lagjja-ime/