Artikulli i publicistit Sotir Gjika me titull “Shkollat në Shqipëri”, një intervistë me ish-ministrin e arsimit Kristo Floqi, e botuar në revistën “Evropa Lindore” me 20 tetor 1921, na sjell një panoramë të arsimit në Shqipëri në fillim të viteve ’20-të. Duke sjellë fakte që nga vitit 1912, e deri në kohën që flitej pra në 1921, Kristo Floqi zbulon se si ishte rritur numri i shkollave shqipe nga viti ne vit në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa si një tregues të seriozitetit të qeverisë së dalë nga Kongresi i Lushnjes, Floqi përmend faktin që edhe në shkollat që ishin në gjuhë të huaj, greke apo serbe ishte vendosur me ligj mësimi i detyruar i shqipes. Më poshtë e sjellim të plotë intervistën e Kristo Floqit realizuar nga Sotir Gjika, shkëputur nga libri “Detyra ime mbaron me jetën time”, një vëllim ku janë përmbledhur artikuj të Sotir Gjikës, botuar në gazetat italjane dhe shqiptare nga 1911 deri në 1924 si dhe letërkëmbimet e tij me miq, përgatitur nga Eugjen Merlika dhe botuar nga Omsca-1.
Shkollat në Shqipëri
Numuri i fundit i revistës “Evropa Lindore”, përmban një intervistë të kolegut tonë Sotir Gjika me ish ministrin e arsimit publik shqiptar, doktor Kristo Floqi, në të cilën është paraqitur imtësisht gjëndja e tanishme e shkollave në Shqipëri. Besojmë se është interesante të japim një përmbledhje të gjërë të kësaj interviste, që paraprihet nga një hyrje historike.
Vdekja e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e hodhi Shqipërinë në një skllavëri të egër për 437 vite të mira. Ajo humbi me pavarësinë e saj dhe çfarëdo mundësie rizgjimi e rilindjeje kulturore. Pa tradita letrare, n’epokën kur lulëzonin mes popujve t’Evropës artet, shkencat, letërsia, Shqipëria që merrej çdo ditë me qytetërimin aziatik, i cili përpiqej t’i nguliste me forcë individualitetin e tij, ishte katandisur në gjëndje të vajtueshme e njihte një qenësi krejtësisht të pasigurtë.
Të kthyer në zotër të Vendit, të shtyrë nga inati dhe dëshira e hakmarrjes, turqit i u dhanë teprive më të llahtarëshme kundër atij populli që, për shtatë dhjetvjeçarë, dijti t’u bëjë atyre një qëndresë të pathyeshme. Qeveritë otomane mbytën çdo lëvizje për çlirim të popullit shqiptar, shkelën vullnetin e tij, këputën të gjitha nismat e tij. Mësimi i gjuhës shqipe qe për sulltanët rreptësisht i ndaluar. Asnjë shkollë kombëtare. Shqiptarët ishin të shtrënguar nga rendi i dhimshëm dhe i pashmangshëm i gjërave, të mësoinin shkronjat osmane dhe ato të popujve të tjerë. Megjithatë tek ta nuk u dobësua kurrë instikti i vetëruajtjes, dashuria e zjarrtë për lirinë dhe pavarësinë, besimi në një të nesërme më të mirë.
Ata nuk ishin shtypur në kuptimin e vërtetë të fjalës. Historia otomane ka regjistruar, nga pushtimi deri më 1912, jo më pak se 54 kryengritje shqiptare. Populli shqiptar, edhe se nën ankthin e ndarjes fetare, ka ruajtur bashkësinë kombëtare dhe karakteristikat etnike dalluese të tij, e ka mbijetuar ndaj gjithë ngjarjeve të dhimbëshme që ka pësuar në vetë të parë. Ndërmjet shqiptarëve, për shembull, nuk është vërtetuar dukuria e çuditëshme që kanë shfaqur grekët e ishullit të Kretës, ata të Maqedonisë Juglindore, bullgarët e Thrakës dhe Rumelisë lindore, serbët e Bosnje-Herxegovinës të cilët, të kthyer në besimin mysliman, kanë mohuar prerë kombësinë e tyre.
Lëvizja gjuhësore shqiptare mori një shtytje të madhe mbas kushtetutës së parë turke, në vazhdim të vendimeve të Kongresit të Berlinit për Shqipërinë. Në Korçë, qytet i Shqipërisë Jugore, e mëtuar nga grekët, më 1887 u hap për popullin e para shkollë shqipe. Ajo u mbyll, mbas pak kohësh, nga qeveria turke. Etërit françeskanë të Shkodrës futën mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e financuara nga Austria më 1902. Ai mësim, i pandërprerë, vazhdon ende. Gjatë Kushtetutës së dytë otomane (1908), në Shqipëri u hapën mjaft shkolla dhe një shkollë Normale në Elbasan, qytet i Shqipërisë Qëndrore. Por Turqit e rinj, që mëtonin të osmanizonin gjithshka, dekretuan përndjekjet më të padëgjuara kundër lëvizjes kulturore shqiptare. Ata dëshëronin të detyronin alfabetin arab, në vënd të atij latin të përdorur nga shqiptarët. Abetare me shkronja arabe (që, ne kllapa përbënin më qesharakun hartim letrar) e të paracaktuara për mësimin e gjuhës shqipe, u shpërndanë në dhjetra mijra kopje. Për këtë në Shqipëri u mblodhën tubime të mëdha protestash. Populli i Beratit në sheshin e qytetit i grumbulloi këto abetare dhe i u vuri flakën.
Lufta e dhunëshme dhe ngulmuese nga të dy palët, u kthye në kryengritjet shqiptare të 1908, 9, 10, 11, 12. Më 28 nëndor 1912, në Vlorë u shpall pavarësia shqiptare dhe u krijua e para Qeveri e përkohëshme kombëtare. Mbas kësaj ngjarjeje historike, më së fundi, shqiptarët kishin një një qoshe të territorit të lirë e mund të linin të lira edhe shkollat e tyre. Dhe tani fjala i jepet të nderuarit Kristo Floqi :
528 shkolla
Në kohën e Ismail Qemalit – na tha ai – në vendet çliruara të Shqipërisë ishin vetëm 48 shkolla shqiptare. Duke u shtuar dhe ato të Shkodrës e të krahinës së pushtuar nga Greqia, numuri i përgjithshëm shkonte në 67, të gjitha fillore deri në klasën e pestë. Gjatë pushtimit austriak dhe italian deri në Kongresin e Lushnjes, numuri i shkollave u rrit deri në 346. Nga formimi i Qeverisë së Tiranës, e shpallur drejt për së drejti nga Kongresi kombëtar i Lushnjes, deri në ditën që kam marrë mbarështimin e arsimit popullor, ato në shtesë të vazhdueshme kishin arritur në 413. Kur, si pasojë e dorëheqjes së Qeverisë, i dorëzova pasuesit tim, prof. Peçit, zyrën time, numuri i përgjithshëm i shkollave, duke qënë ngritur 115 gjatë periudhës sime, ishte 528.
Nëse nga koha kur u hoqën zinxhirët dhe u shmang “vetoja urdhëruese” e Kostandinopojës, ne mundëm të ngremë lirisht shkollat tona, u gjindëm shpejt para vështirësisë së madhe që rridhte nga mungesa e një gjuhe të unjisuar. Për të shmangur rrëmuja e ndërlikime të rrezikëshme, ishte skajshmërisht e nevojshme që librat shkollorë të ishin shkruar në një gjuhë afërsisht të mesme e të kontrolluar nga një autoritet i krijuar, gjë që do të formonte parimin e unjisimit të gjuhës sonë letrare. Për këtë u morën masa gjatë pushtimit austriak me krijimin në Shkodër të një Komisije letrare, të përbërë nga 12 vetë. Kjo Komisi u ngarkua saktësisht të vinte bazat e para të ortografisë së gjuhës sonë. Përfundimet e saj u botuan në një broshurë të titulluar : “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe”. Kjo Krijesë e vogël e jona, e trasferuar në Tiranë, zhvilloi veprën e saj të zgjuar e të dobishme pranë Ministrisë së Arsimit Publik.
Sistemi pedagogjik
Synimi im i paepur ishte të zbatoja një sistem pedagogjik të njëjtë me atë të praktikuar sot në shkollat italiane. Sa i përket shkollave profesionale mendoja të ngrinja një për çdo prefekturë, pra gjithsej tetë. Tani për tani kemi vetëm dy të plota, të pamjaftueshme për nevojat në shtim të vendit. Duke mbajtur parasysh se letërsia shumë e re e jona nuk ka arritur ende një shkallë zhvillimi të mjaftueshme, nevojës për libra të shkollave të mesme, të liceut me tetë klasë të Korçës, apo gjimnazit të Gjirokastrës, do të marrim masa për të patur tekste franceze. Në rast nevoje do të thirren nga Zvicra 12 profesorë francezë. Për këtë vetëm Ministria e Arsimit është në letërkëmbim me mikun dhe agjentin konsullor të nderit të Shqipërisë në Gjenevë, prof. Eugjen Pittard. Rinia jonë do të mësojë edhe në gjuhën frëngjishte, e cila do të na shërbejë si gjuhë diplomatike dhe për marrëdhëniet tona me botën. Veç këtyre ishte synimi im, madje ky bën pjesë integrale në programin tim për të ngritur tre konvikte në Malësinë e Shqipërisë qëndrore e veriore, një me 200 shtretër në Panaja të Vlorës dhe një tjetër në një vend të Toskërisë.
Bilanci 1920 – 21
Fatkeqësisht bilanci i Arsimit për vitin në vazhdim (për shkak të harxheve ushtarake që Shteti ka qenë i detyruar të përballojë) është prej vetëm 2.140.000 franga. Me një bilanc të tillë sigurisht nuk mund të bëhen gjëra të mëdha dhe as un nuk mund të zbatoja plotësisht programin tim. Aq është e vërtetë sa që ishte përpunuar, para dorëheqjes sime, një raport për t’u miratuar nga Ministria e Luftës, në të cilin kërkohej një shtesë prej 500.000 frangash në bilanc. Megjithatë Ministria ka një fond rezervë, jo më pak se 180.000 franga për të përballuar harxhet e jashtzakonëshme : blerje artikujsh shkollorë, riparime, shpërblime mësuesve etj. Një sistem i ri është zbatuar, me rezultate shumë të mira praktike, për pagesat e rrogave. Ai qëndron në ndarjen e honorareve simbas Prefekturavet, në mënyrë që çdo Drejtori apo Inspektoriat e merr shumën e rrogave të vartësve të vet nga Drejtori lokal i financavet të Prefekturës. Mësuesit paguhen kështu drejt për së drejti dhe janë shmangur më së fundi rrëmujat dhe është siguruar pagesa e rregulltë e honorareve në ditët e caktuar.
Shkollat e huaja
“Për shkolla të huaja – na u përgjigj i nderuari Floqi – është tani vetëm një serbe në Shkodër, prej tre klasësh. Shkollat greke të Korçës do të kalojnë sa më shpejt nën mbarështimin tonë të drejtpërdrejtë, siç ka ndodhur për shkollat greke të Delvinës dhe Dhrovianit, mësuesit e të cilave janë të paguar nga financat tona, dhe në të cilat mësimi i shqipes është i detyrueshëm.” “Kryqi i Kuq Amerikan” administron me mjetet e tij një shkollë shqipe në Tiranë dhe një në Shkodër, me që është shkrirë ajo e Elbasanit që ka kaluar në mbarështimin tonë. Kryqi i Kuq s’afërmi do të ngrerë një shkollë teknike në Tiranë, për të cilën Qeveria shqiptare do të ndihmojë më 60.000 fr. Është interesant të njihet se në gjithë Shqipërinë janë hapur shkollat e mbrëmjes.
Ato japin rezultate të kënaqëshme, në to më shumë se 5.000 analfabetë kanë mësuar të lexojnë e të shkruajnë e të kryejnë katër veprimet arithmetike. Në këtë fushë ajo që mund të pohohet është se ka qenë dega më prodhuese në gjithë administratën e Shtetit, nuk lihet mbas dore asgjë që mund t’i interesojë përtëritjes morale dhe intelektuale të popullit tonë, i cili shfaq një vullnet të habitshëm për të nxënë e për t’u zhvilluar. Por ju mund të përfytyroni vështirësitë e pamasa, herë herë të padurueshme, që një Ministër i Arsimit është i detyruar të përballojë në një vend si Shqipëria, që nuk ka tradita shkollore kombëtare. Ne duhet të krijojmë gjithshka, për fije e për peri. Kemi një trashëgimi të hidhur, atë turken, të vjetër katër shekujsh, gjurmët e së cilës janë pengesa të rënda në vend të drejtimit e lehtësisë, në sistemimin kombëtar të Vendit tonë. Ne duhet të prishim që të mund të ndërtojmë në mënyrë të qëndrueshme.
Sotir Gjika 20 – 10 – 1921(kohanet)