Armë, veshje, uniforma ushtarake e policore, kompjutera origjinalë të kohës, dëshmi të mbijetuarish, dokumente arkivore, fotografi, incizime të hershme, ilustrim i mënyrave të përgjimit dhe mjeteve me të cilat bëhej përgjimi- nga shtëpia ngjitur a bishtat e fshesave; ilustrim i torturave, jetesës së të burgosurve, prangar e vargonjtë me të cilët lidheshin- e shumëçka tjetër shfaqen në një muze që rreket të japë një panoramë të gjerë të anëve të errëta të regjimit komunist. Objekti që dikur njihej me emrin e koduar “Objekti Shtylla”, nis me bunkerin- ku kupola sjell imazhin e 100 martirëve që u ekzekutuan me gjyq e pa gjyq gjatë viteve të regjimit komunist, ndërsa një zë i ‘rëndë’ përmend emrat e tyre.
Është inaguruar dje në Tiranë, pranë Ministrisë së Brendshme“Bunkart 2”- muzeu i ri kushtuar viktimave që vuajtën terrorin komunist. Ai gjendet në ish-strehimin antibërthamor poshtë ansamblit të ministrive, poshtë bulevardit “Dëshmorët e kombit” dhe teatrove kombëtarë. Rreth 25 dhoma, përfshirë një dhomë gjumi për ministrin e Brendshëm me tualet brenda, një sallë gjigante mbledhjesh që do të shërbente në rast sulmi bërthamor për strehimin e krerëve të ministrisë së Brendshme, vendosen në hapësira të konsiderueshme të sigurisë së lartë. I ndërtuar në vitet 1980, strehimi antibërthamor, nuk u vu kurrë në punë. Tanimë, hap dyert për të hedhur dritë mbi veprimtarinë famëkeqe të Sigurimit të Shtetit. “Është konceptuar në tri linja që ndërthuren: një historik të forcave të rendit nga viti 1913, pak muaj pas shpalljes së Pavarësisë e deri në vitin 1991, kur u shënua edhe rënia e regjimit diktatorial; një historik të një prej strukturave më famëkeqe të Ministrisë së Brendshme gjatë viteve të regjimit, ajo që fillimisht kishte emrin Drejtoria e Mbrojtjes së Popullit e më vonë u quajt Sigurimi i Shtetit; dhe një histori e dhunës, torturave, internimeve, burgosjeve dhe martirëve që dhanë jetën si pasojë e terrorit të prodhuar nga ky regjim”, thotë Admirina Peçi, përgjegjëse e kërkimit historik për “Bunkart 2”. “Në korridorin e parë, në 7 dhoma ekspozohen foto, dokumente, video, armatime e dëshmi, duke ndërtuar kështu ekspozenë e historikut të forcave të rendit pas shpalljes së pavarësisë e deri në rënien e regjimit komunist. Në korridorin e dytë, vijnë: dhuna me të gjitha format që karakterizonin Sigurimin e Shtetit dhe përballë saj viktimat që vuajtën pasojat e kësaj dhune dhe përndjekje: ata që shkuan jetën në internime e burgje, dhe ata që vdiqën të pushkatuar, të varur në litar, të vdekur nën tortura apo burgjeve. Dhomat në krah të djathtë të korridorit dëshmojnë krijimin, funksionimin dhe metodat përmes të cilave funksionoi Sigurimi i Shtetit. Jepen dokumente që zbërthejnë çdo dilemë mbi dosjet e Sigurimit: Si ishin dosjet e bashkëpunëtorëve, si formuloheshin ato, çfarë raportonte një bashkëpunëtor, si betohej, etj… Jepet po ashtu, si ndiqeshin e survejoshin shqiptarët në rrugë, në teatër, në kinema, në tren, në autobus në restorante, si përgjoheshin shtëpitë e të dyshuarve duke i kthyer fqinjët në bashkëpunëtor të Sigurimit, si përgjoheshin qelitë e të burgosurve apo ambiente te ambasadave të huaja”, sqaron Peçi. Më poshtë, një prej dëshmive/ dokument që thotë shumëçka mbi shpresën e bartur ndër vite te ligji për dosjet.
URDHËR I VITIT 1990 PËR ASGJËSIMIN E DOSJEVE
Përgjatë gjithë viteve të regjimit komunist janë bërë asgjësime dosjesh sipas rregulloreve të brendshme të Sigurimit. Për asgjësimin e dosjeve ishin ngritur komisione vendore pranë degëve të brendshme në të gjithë rrethet e Shqipërisë dhe një Komision Qendror Ekspertize pranë Ministrisë së Brendshme. Komisionet vendore shqyrtonin dosjet që nuk kishin më vlerë operative, ose që e kishin tejkaluar afatin e ruajtjes. Pas marrjes së miratimit në qendër (Komisioni Qendror i Ekspertizës) këto dosje asgjësoheshin. Por përveç kësaj rruge ligjore, në vitet e fundit të regjimit komunist dhe vitet e para pas rrëzimit të tij këto rregulla u shkelën dhe asgjësimet e dosjeve u bënë në masë. Sipas burimeve arkivore mendohet se gjatë viteve 1980 – 1992 janë asgjësuar rreth 29.000 dosje, ose rreht 75 % e dokumentacionit të arkivuar gjer atëherë.
Dokumenti që sjellim këtu është një telegram i 15 dhjetorit 1990 i Ministrit të Brendshëm Hekuran Isai, dërguar kryetarëve të degëve të punëve të brendshme në gjithë rrethet e Shqipërisë, ku jepet urdhër për asgjësimin në masë të dokumeteve sekrete.
“Të asgjësohen pa pritur përfaqësuesin e Ministrisë, të gjitha dosjet e bashkëpunëtorëve, të përpunimeve, dhe dosje te tjera që janë veçuar për asgjësim si dhe kartelat e kontigjenteve të hequr librat e evidencës të punëtorëve operativ të hequra nga përdorimi dhe dokumenteve të përkohshme të veçuara për asgjësim të shkallës sekret, Ares personal dhe SRV (Sekret i rëndësisë së veçantë) dosjet hetimore e gjyqësore të dërgohen në Arkiv, përfshi dhe ato që nuk kanë plotësuar afatin pesë vjeçar, (por jo dosjet hetimore për zbulim autori). Veprimet të kryhen menjëherë. Këto janë veprime normale dhe bëhen sipas kërkesës tuaj, pra nuk lidhen me situatën.” Na informoni për realizimin e detyrës Ministri i Punëve të Brendshme Hekuran Isai
TË HUAJT, HETUESIA, INTERNIMET, BURGJET, VDEKJET,
Një hapësirë më vete u është kushtuar që vinin në Shqipëri në diktaturë, grave të huaja që ishin martuar më shqiptarë dhe kishin zgjedhur të jetonin në Shqipëri, diplomatëve të huaj, dhe delegacioneve të ndryshme që vinin për vizita. Të gjithë survejoheshin dhe përgjoheshin, dikush në shtëpinë e tij(nga ‘fqinji’ ngjitur, përmes mikrofonit në mur), dikush në dhomat e hoteleve- që më parë ishin pajisur me përgjues, dikush në mënyrë tjetër etj. Në dhomë është enkas për “zhdukjen” e stilit perëndimor, pra prerjen e flokëve. Dy dhoma i janë kushtuar vuajtjeve në (me lista e foto)kampet e internimit me ata qëvdiqën nga uria e sëmundjet, një dhomë është për burgjet, dhe tjetra për ata që vdiqën: letra të varura shfaqin emrat e mbi 5500 të të pushkatuarve e të vdekurve gjatë regjimit. Ditën e djeshme, ish të përndjekur kërkonin në këto letra, emrat e prindërve e gjyshërve.
Disa instalacione artistike janë vënë në muze, për të ilustruar terrorin komunist, ndërsa dhoma më vete ka edhe për hetuesitë- ku tregohen torturat fizike e psikologjike, si lidheshin a si rriheshin, ku flinin a në se ushqeheshin.(GSH- Fatmira Nikolli)