Kopje digjitale të Kodikëve të Beratit u publikuan në Librarinë Digjitale Botërore të Librarisë së Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm të Arkivave, z. Ardit Bido. Ngjarja u kremtua me një aktivitet të përbashkët të Ambasadës Shqiptare në Uashington dhe Librarisë së Kongresit, me praninë e kongresmenëve amerikanë, ambasadores shqiptare dhe Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati. Kodiku u digjitalizua tërësisht në muajt nëntor-dhjetor 2016 nga Arkivi Qendror Shtetëror në kuadër të bashkëpunimit mes AQSH dhe Librarisë së Kongresit.
Kodiku i Purpurt i Beratit (Codex Beratinus 1) është një dorëshkrim mjaft i rëndësishëm, i shkruar në shekullin e VI p.e.s. Ai është dokumenti më i hershëm i gjendur në Shqipëri, është listuar në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO dhe ruhet në Arkivin Qendror të Shtetit. Gjithsej ka 190 fletë, të shkruara me shkronja të derdhura në argjend. Bukurshkrimi është i veçantë ndërsa gërmat janë të medha (majuscule). Ai përmban dy ungjij: sipas Mateut dhe sipas Markut. Lënda e dorëshkrimit është pergamen në ngjyrë të kuqe të thellë (purpurtë) prej nga ka marrë edhe emrin. Pjesë të tjera të rëndësishme të kodikut janë të derdhura në ar. Kapaku i dorëshkrimit është më i vonshëm se vepra, ai është metalik dhe me zbukurime skenash biblike.
Intervista e Bidos nga Uashingtoni për Zërin e Amerikës, dhënë gazetarit Ilir Ikonomi
Pse është me rëndësi që Kodikët e Beratit që janë mjaft të çmuar të ruhen në Bibliotekën Digjitale Botërore që është pjesë e Bibliotekës së Kongresit në Uashington?
Kodikët e Beratit janë pasuria më e madhe e trashëgimisë sonë kulturore, një dokument që vjen që nga shekulli VI dhe i ka mbijetuar shekujve, duke u ruajtur me kujdesin më të madh fillimisht në Berat dhe më vonë Arkivin Qendror Shtetëror dhe përbën një tregues të pasurisë Kombëtare Kulturore Shqiptare. Në këtë kuptim digjitalizimi i tyre dhe publikimi në Librarinë Digjitale Botërore të Librarisë së Kongresit është një ndër promovimet më të mira që mund t’i bëjmë trashëgimisë sonë kulturore.
Z. Bido ju keni filluar një projekt për digjitalizimin e Arkivave të Shqipërisë, pse është i rëndësishëm ky projekt, cfarë sjell ai?
Arkivi Qendror Shtetëror prej korrikut të këtij viti ka hedhur online të gjitha katalogjet, të gjithë inventarin e vet rreth 2 milion rekorde duke lehtësuar në këtë formë kërkimin shkencor mbi studimet albanologjike ku Arkivi Qendror Shtetëror është qendra e burimeve të studimeve Albanologjike në botë. Në vitin që vjen do të shkojmë një hap më tutje duke e krahasuar përfundimisht Arkivin Qendror Shtetëror me Arkivavt më të zhvilluara Botërore, duke futur konceptin e digjitalizimit on-demand, që do të thotë që çdo qytetar do të mundet që nëpërmjet internetit të kërkojë digjitalizimin e dokumenteve dhe ato dokumente pa pasur nevojë të vijë në arkiv domethënë ua nisim në shtëpi.
Për sa dokumente bëhet fjalë, sespe duhet të jetë një arkiv shumë i madh?
Në një llogaritje të përafërt janë diku te 500 milion dokumente. Nëpërmjet këtij sistemi të digjitalizimit on-demand, ne marrim dhe digjitalizojmë dokumentat që kërkohen. Rrjedhimisht kemi kohën e mjaftueshme për ti digjitalizuar të gjitha dokumentet në një aspekt afat gjatë. Në një vit mund të digjitalizojmë rreth 2.5 milion dokumente.
Bëhet fjalë për një projekt që do të vazhdojë me vite?
Do të vazhdojë me vite, por për të bërë analogjinë, sot në Arkivin Qendror Shtetëror janë në total 600 mijë dokumente të skanuara në një proces 10-vjecar. Ne po e ndryshojmë duke futur koncepte të reja duke çuar nga 600 mijë në 10 vjet apo 120 mijë dokumente që skanojmë në vit, në 2 milion e gjysëm dokumenta në vit.
Në ç’gjendje ruhen dokumentet sot? Si është gjendja e Arkivit?
Është momenti për të dhënë lajmin e mirë sepse tashmë kaloi buxheti në Kuvendin e Shqipërisë. Për herë të parë shteti shqiptar po i kthen sytë nga arkivat, në thelbin e vet: në vendruajtje. Vendruajtjet arkivore aktualisht janë në një gjendje të mjerueshme.
Sa është buxheti?
Buxheti i ofruar bën të mundur ndërtimin e një godine tërësisht të re. Është një projekt i cili shkon diku te 2 milionë dollar në tërësinë e vet, për të strehuar dokumentet të cilat deri sot janë ruajtur në dy ish-kazerma ushtarake në gjendje tërësisht të mjerueshme, me të cilën ne do të dalin nëpërmjet këtij projekti madhor. Respekti ndaj dokumentit është dhe respekti ndaj shtetit. Një shtet i cili respekton veten nis punën duke ruajtur dokumentin që është memorja e vet. Në çdo vend të botës ne shohim që investimi i parë që ka bërë një shtet është arkivi.
Po ju a bëni punë me aktivitete për të ruajtur ndërgjegjësimin që njerëzit të kuptojnë që arkivi nuk është thjeshtë një vend për të kërkuar tapitë e pronave?
Ky është viti mbarë Kombëtar i Gjergj Kastriot Skënderbeut. Mua më pëlqejnë statistikat. Mjafton të them që brenda një viti janë bërë aq ekspozita sa janë bërë në 12 vitet e fundit në numër total. Në vitin mbarë Kombëtar të Gjergj Kastriot Skërnderbeut ne e nisëm fatmirësisht në Uashington me një promovim ndërkombëtar të pasurisë tonë dokumentare, duke promovuam në Librarinë e Kongresit publikimin e Kodikëve të Beratit, është thjeshtë aktiviteti i parë në kuadrin e këtij viti, i cili do të pasohet me shumë aktivitete të tjera, së pari me Javën e Arkivave të Hapura ku do të shihen proceset e punës në Arkivin Qendror Shtetëror.
-Sa i frekuentojnë sot për sot studiuesit apo profesorët e historisë arkivin?
Statistikat të lënë për të dëshiruar dhe kjo ka të bëjë me faktin se arkivi është konsideruar përherë një institucion i mbyllur edhe pse prej vitit 2003 nuk është i tillë. Ajo që vihet re nga korriku i këtij viti që ne vendosëm të nxjerrim online sa më shumë dokumente dhe deri sot krahasuar me periudhën para kësaj numri i studiuesve është dyfishuar.