Karl Patch dhe roli i Austrisë në ndërtimin e Muzeut Kombëtar shqiptar

 

Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore (1916-1918), drejtuesit e autoriteteve austro-hungareze të pushtimit, ftuan arkeologë dhe studiues të ndryshëm austriakë në viset shqiptare, për kërkimin e objekteve arkeologjike, etnografike, si edhe për hapjen e ekspozitave të përkohshme me këto objekte në Austri.

Dr. Dorian Koçi në kuadër të konferencës që çeli vitin kulturor Austri-Shqipëri mbajti kumtesën me temë: “Kontributi i Dr. Karl Paç (1865-1945) për muzeologjinë shqiptare”.

Sipas tij, në të njëjtën kohë hulumtimi dhe studimi i hapësirave shqiptare që kishte filluar kryesisht në gjuhësi, etnografi, rite e zakone dhe në arkeologji pati shans që tashmë të konkretizohej edhe me iniciativa administrative për të mbështtur zhvillimin kulturor të Shqipërisë siç ishte rasti i Komisisë Letrare apo nxitja për themelimin e ekspozitave muzeale.

Një rol të madh në aspektin e muzeologjisë do të luante disa vite më vonë Dr. Karl Patch. Ai është një nga themeluesit e arkeologjisë ilire. Rezultatet e kërkimeve të tij arkeologjike dhe etnografike në terren, Karl Paç i paraqiti në librin gjermanisht Das Sandschak Berat in Albanien “Sanxhaku i Beratit në Shqipëri”, botuar në Vjenë më 1904.
Pas Kongresit të Lushnjës të vitit 1920, intelektualët shqiptarë shtruan edhe një herë më me forcë idenë e ngritjes së një muzeu kombëtar. Shtjefën Gjeçovi, një prej intelektualëve më të shquar shqiptarë të asaj periudhe shkruante: “Mjaft na është gjymtue historia prej të huejsh, mjaft kanë nxjerrë e bajtë visare të dheut tonë. Përlimi e detyra ndër ma të shtrëngueshmet kishte me kenë për Qeverinë Shqiptare, me u ra mbrapa ktyne visareve të mshefta, të cilat pushojën në gjumë në gji të tokës… e jam i sigurt se s’kishte me ngjatë e kishim me pa në ball të ndonji ndërtesës së hijshme fjalën sa më të nevojëshme e aq të dishrueshme “Muzej Kombëtar”.

Koçi thotë se pavarësisht vështirësive të shumta, me të cilat ndeshej vendi, qeveria kombëtare shqiptare vendosi t’i kushtonte rëndësi grumbullimit të objekteve muzeore dhe burimeve të shkruara historike. Në këtë kontekst historia e muzeve kombëtare shqiptare filloi në vitin 1922, me ngritjen e Muzeut Kombëtar në Tiranë. Drejtori i parë i Muzeut Kombëtar të Shqipërisë ishte Viskë Babatasi.

Me fondet e qeverisë shqiptare u ngrit ndërtesa njëkatëshe modeste e Muzeut Kombëtar, e cila ndodhej në rrugën “Abdi bej Toptani”, në afërsi të hotelit “Continental” në Tiranë. Koleksionet e para të Muzeut Kombëtar përbëheshin kryesisht nga objekte arkeologjike. Për shkak të mungesës së ekspertëve të muzeologjisë, duke pasur parasysh kontributin e arkeologëve austriakë qeveria shqiptare ftoi arkeologun Karl Paç (Dr. Carl Patsch), një nga njohësit e kulturës së popujve të Ballkanit dhe profesor në Universitetin e Vjenës, i cili qe angazhuar më parë në organizimin e Muzeut Zemaljski të Sarajevës, për të dhënë përvojën e tij për ngritjen dhe organizimin e Muzeut Kombëtar të Bosnjës. Dr. Paç u kontaktua në korrik të vitit 1922 nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe ai e pranoi ofertën për tu marrë me organizimin e muzeut, por jo për ta drejtuar atë nga ana administrative. Kjo për arsyen e thjeshtë sepse ai nuk dëshironte të largohej nga procesi i mësimdhënies në Universitetin e Vjenës. Dr. Karl Paç u përpoq të gjente një bashkëpunëtor për ta ndihmuar. Ai u mbështet tek bashkatdhetari i tij, Robert Ecker. Njëkohësisht bashkë me ta u angazhua edhe Xhevat Korça, i cili kishte kryer studimet universitare në Vjenë.
Dr. K. Paç arriti që brenda një periudhe të shkurtër të mblidhte objekte të rëndësishme të arkeologjisë, si edhe vepra me karakter historik. Ai hartoi projektin e Muzeut Kombëtar sipas projektidesë së Muzeut Zemaljski të Sarajevës. Sipas projektidesë së tij, muzeu duhej të përbëhej nga tri seksione: seksioni arkeologjik, seksioni historik-etnografik dhe seksioni i shkencave të natyrës. Dy seksionet e para të muzeut arritën të pasuroheshin më shumë. Më i pasur ndër to ishte seksioni arkeologjik, sepse në të u sollën objekte, që patën shpëtuar gjatë Luftërave Ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore. Paç e pasuroi seksionin arkeologjik me objektet e sjella në Durrës. Këto objekte qenë transportuar nga Apollonia prej ushtarëve austro-hungarezë nën drejtimin e Prashnikerit.
Me inisiativën e Paç dhe me mbështetjen e ish studentit të tij, Xhevat Korçës si edhe të mjaft intelektualëve të kohës u ngrit një sallë e veçantë, kushtuar Heroit Kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.
Fokusi kryesor u përqendrua tek popullsia ilire, fakt që i bën shqiptarët një popull të hershëm dhe zotërues të një territori të gjerë. Në vijim trajtohej figura e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, në sajë të së cilës shqiptarët qenë populli i fundit i Ballkanit që do t’u nënshtrohej osmanëve. Së fundmi, organizatori i muzeut dëshironte ta ilustronte pasurinë natyrore me dëshmi etnografike të popullit shqiptar. Për këtë Dr. Karl Paç mendonte që në eksponatet e muzeut të paraqitej një koleksion i armëve, me anën e të cilave përfaqësohej karakteri burrëror dhe atdhedashës i popullit shqiptar. Dr. Paç ishte i mendimit që të grumbulloheshin stela varresh, si dëshmi e të kaluarës.
Pavarësisht vështirësive të shumta për mbajtjen e muzeut, koleksionet arkeologjike erdhën duke u pasuruar gjithnjë e më shumë. Ato u pasuruan jo vetëm me gjetjet arkeologjike të misioneve të huaja arkeologjike, por edhe me gjetje rastësore, si edhe me objekte historike që iu dhuruan Muzeut Kombëtar nga vetë qytetarët shqiptarë. Në vitin 1923 Dr. Paç botoi librin Les Illyriens “Ilirët”, me një përshkrim themelor të vendgjetjeve dhe monumenteve të krahinave të Vlorës, Beratit, Apolonisë, Bylisit, Orikut e Amantias. Dr. Paç e pati të vështirë për të vazhduar punën e tij në një qeveri shqiptare që i kishte fondet të limitizuara por edhe nga arsyet politike për shkak të konkurrencës së shpallur në fushën e gërmimeve arkeologjike nga Franca dhe Italia. Austria e viteve 20’ edhe pse vazhdonte të ishte një pol tërheqës për elitën nacionaliste shqiptare nuk ishte më Perandoria e dikurshme që do të mund të frenonte ambiciet e fuqive të tjera në Shqipëri dhe të ndihmonte që ajo të fuqizohej politikisht dhe kulturialisht. Gjithësesi interesi albanologjik i filluar që më Hanin në mesin e shekullit të XIX, 70 vjet më vonë nën ekspertizën e Dr. Patch kishte bërë të mundur të krijonte Muzeun Kombëtar në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *