Kapiteli i shekullit të VI, pezullon punimet për TAP-in

Një kapitel i shekullit të VI është zbuluar gjatë punimeve në Polenë të Skraparit. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare njofton se “në kuadër të projektit TAP gjatë punimeve për zgjerimin e rrugëve hyrëse që TAP po realizon në Çorovodë, në Polenë Skrapar, seksioni Zogas-Potom, u zbulua një kapitel paleokristian”. Sipas DRKKsë, punimet u ndërprenë menjëherë pas evidentimit të gjetjes në kantier.

“U morën masa mbrojtëse, duke e kufizuar zonën e pezullimit të punimeve me shirita me ngjyra të dallueshme. Kapiteli u zhvendos përkohësisht në mjediset e siguruara me roje të përhershme të zyrave të TAP-it në Çorovodë”. Bëhet me dije se u njoftuan specialistet e ASHA dhe specialistët e DRKK-Berat, të cilët u paraqiten në zyrat e TAP në Çorovodë, ku mbajt një procesverbal për transferimin e përkohshëm në mjediset e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat. Transferimi u krye në kushte të plota sigurie.

Tek përshkrimi i gjetjes, DRKK shënon se: “Gjetja u përcaktua si një kapitel i një kolo-ne të një monumenti (strukturë me natyrë fetare), ndoshta kishë të shekullit të 6-të të e.s. Kapiteli është 0.40 m i lartë dhe diametri i bazës rrethore të tij është 0.24 m. Baza rrethore e kapitelit ka të ruajtur në qendrën e saj një gropëzim që shërbente për lidhjen e tij me trupin e kolonës (me metal të derdhur). Trupi i kapitelit vjen duke u holluar lehtësisht në mes dhe zgjerohet në pjesën e sipërme të tij, duke marrë formë katërkëndëshe. Lënda e parë e përdorur për kapitelin është gur gëlqeror cilësor dhe trupi i tij është zbukuruar me vija të thelluara, që krijojnë tetë figura florale të përsëritura dhe që lidhen në mënyrë harmonike me njëra-tjetrën”.

Sipas njoftimit të DRKK-së, përmasat, forma dhe zbukurimet e tij sugjerojnë krahasime relativisht të sigurta me shumicën e monumenteve paleokristiane nga vendi ynë. Sipas monitoruesit të Trashëgimisë Kulturore, ekspertit të Trashëgimisë Kulturore të TAP, bllok-menaxherit të kompanisë supervizore dhe inxhinierit të kontraktorit në terren, duhet nënvizuar që artifakti nuk u gjet insitu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *