Italo Calvino – Trill rreth ndershmërisë në vendin e të korruptuarve

Na ishte një vend që mbështetej tek e padrejta. S’mund të thuhet se i mungonin ligjet, as që sistemi i tij politik s’ishte i themeluar mbi parime të cilat pak a shumë të gjithë thonin se i përkrahnin. Por këtij sistemi, të nyjëzuar në plot vatra pushteti, i lipseshin mjete financiare shumë të majme (i lipseshin ngase kur mësohesh me zotërimin e një shume të madhe parash është e pamundur ta përfytyrosh jetën ndryshe) dhe këto mjete mund të shtiheshin në dorë vetëm në mënyrë të padrejtë, me një fjalë duke ia kërkuar atyre që i kishin, në këmbim nderesh të padrejta. Që do të thotë se kush mund të jepte parà në këmbim nderesh, përgjithësisht kishte fituar parà nëpërmjet nderesh paraprakë; si rrjedhim, gjendeshim në prani të një sistemi ekonomik i cili, në njëfarë mënyre, funksiononte në trajtë rrethore dhe jo pa një harmoni të tijin.

Asnjëra prej vatrave të pushtetit nuk vuante nga ndjenjat e fajit për shkak të mënyrës së padrejtë të futjes së parave në xhep, pasi, në bazë të rregullave të saj, gjithçka që bëhej në të mirë të palës ishte e drejtë; madje, fort e meritueshme: duke qenë se çdo palë shihte tek pushteti i vet të mirën e përgjithshme; paligjshmëria formale pra nuk përjashtonte epërsinë e një ligjshmërie thelbësore. Është e vërtetë që në çdo pasim të padrejtë financimesh në mbështetje të grupimeve të përbashkëta zakoni do që një pjesë të mbetet në dorë individësh të veçantë, si hak për shërbimet e domosdoshme të pikasjes së rastit dhe ndërmjetësimit: kështu, e padrejta, e cila për doket e brendshme është e drejtë, përvetësonte një thelë të së padrejtës edhe në sajë të atyre rregullave. Por duke mos humbur sysh privatin, i cili gjendej duke shtënë në xhep përqindjen e tij të përveçme mbi përqindjen e përbashkët, i bindur se përllogaritjen e përveçme e kishte vënë në shërbim të përllogaritjes së përbashkët, çka do të thoshte se pa u shtirur mund t’i mbushte mendjen vetes se sjelljen e kishte jo vetëm të drejtë por edhe fort të meritueshme.

Në të njejtën kohë, vendi kishte një bilanc zyrtar me shumë shpenzime, i ushqyer nga tatimet mbi aktivitetet e drejta, dhe derdhte shuma për gjithë ata që, në mënyrë të drejtë apo të padrejtë, arrinin të thithnin shuma. Ngase në atë vend kurrëkush s’ishte i gatshëm, të themi, jo vetëm të shkonte drejt falimentimit, por as të nxirrte ndonjë kacidhe nga xhepi i vet (dhe në emër të çfarë, fundja, duhet ta nxirrte?) financa publike shërbente për të përfshirë në mënyrë të lejueshme dhe për hir të së mirës së përbashkët gjithë mbetjet të cilat, po për nder të së mirës së përbashkët, kishin bërë para nëpërmjet rrugësh të padrejta. Vjelja e taksave, e cila në të tjera epoka dhe popuj, mund të gjente mbështetje tek detyrat e qytetarisë, këtu shndërrohej në ushtrim dhune pa shumë stërhollime dhe në dritë të diellit (ashtu siç, në disa treva, mbledhjes nga ana e shtetit i shtohej ajo prej disa grupeve cubash ose mafiozësh), ushtrim dhune të cilit taksapaguesi i përgjigjej kokëulur për t’i shpëtuar të këqijave më të mëdha, megjithëse, në vend të lehtësimit pas çuarjes së një detyre në vend nga ana e tij, kishte ndjesinë e pakëndëshme të një bashkëpunimi të heshtur me keqadministrimin e çështjeve publike dhe me përparësinë që i jepej aktiviteteve të padrejta, zakonisht të përjashtuara nga çdo tatim.

Herë pas here, në mënyrë krejt të beftë, ndonjë gjykatë vendoste të zbatonte ligjin, duke shkaktuar tërmete të vegjël në ndonjë vatër pushteti, por edhe arrestime njerëzish të cilët deri në atë çast kishin patur arsyet e tyre për t’u vetëparë si të pandëshkueshëm. Në ato raste, çka mbisundonte në shtresën e gjerë nuk ishte përmbushja si rrjedhojë e shpagimit të drejtësisë, por dyshimi se mund të bëhej fjalë për ndonjë larje hesapesh mes dy vatrash pushteti kundërshtare. Kësisoj, vështirë se mund të gjykohej nëse ligjet ishin tashmë të përdorueshme veç si armë taktike dhe strategjike në betejat brenda llojit mes interesave të palejueshëm, apo nëse gjykatat për të çuar në vend detyrat e tyre institucionale duhej të përvetësonin pikëpamjen se edhe ato ishin vatra pushteti dhe interesash të padrejtë si gjithë të tjerët.

Natyrisht, një gjendje e tillë ishte më e duhura edhe për grupimet keqbërëse të llojit më të zakonshëm që, nëpërmjet pengmarrjes dhe vjedhjeve të bankave (dhe shumë aktiviteteve të tjera më të rëndomta, si rrëmbimet me motor) ndërfuteshin si një përbërës papritshmërie në garat fitimprurëse, duke e zhvendosur rrjedhën në drejtime të nëndheshme, prej nga, herët a vonë, e nxirrnin përsëri kokën në një shumësi trajtash financiare të papritura, të lejueshme ose të palejueshme.

Në krahun kundërshtar të sistemit, fitonin terren organizatat terroriste të cilat, duke përdorur të njejtat mënyra financimi të traditës së jashtligjshme, tok me një avaz të mirëdozuar vrasjesh  në gjirin e gjithë kategorive të qytetarisë, qofshin të shquar apo në errësirë, paraqiteshin si e vetmja mundësi ndryshimi tërësor ndaj sistemit. Megjithatë, e vetmja pasojë që i shkaktonin sistemit ishte që ta fuqizonin atë, deri sa bëheshin paterica e domosdoshme, duke i dhënë të drejtë bindjes së të qenit sistemi më i mirë i mundshëm dhe që s’duhej ndryshar asgjë.

Kësisoj, gjithë trajtat e padrejtësisë, nga ato më tinzaret tek ato më harbutet, bashkëlidheshin në një tërësi me qëndrueshmëri të sajën dhe pandashmëri dhe vazhdimësi dhe në të cilën një masë e madhe njerëzish mund të gjënin përparësinë e drejtpërdrejtë për veten e tyre pa humbur përparësinë morale të të qenit me ndërgjegjie të pastërt. Me një fjalë, banorët e atij vendi mund të quheshin të lumtur pa asnjë përjashtim sikur mos të ishte për një kategori, ç’është e vërteta të madhe, qytetarësh të cilëve s’dihej se ç’rol mund t’u jepej: bëhet fjalë për të ndershmit.

Këta ishin të ndershëm jo për ndonjë arsye të veçantë (s’mund t’i mvishnin vetes parime të larta të papërdorueshme më, as patriotike as sociale as fetare), ishin të ndershëm për zakon mendor, kushtëzim karakterial, tik nervor. Shkurtimisht, s’kishin ç’t’i bënin nëse ishin gatuar në këtë mënyrë, nëse gjërat të cilat ata kishin përzemër s’ishin të vlerësueshme drejtpërsëdrejti me parà, nëse koka e tyre punonte përherë të mbështetur në mekanizmat bajate që lidhin fitimin me punën, përmbushjen vetjake me përmbushjen e të tjerëve. Në atë vend me njerëz që ndiheshin përherë me ndërgjegjie të pastërt, ata ishin të vetmit që vrisnin mendjen, që pyesnin veten në çdo çast se ç’duhej të bënin. E dinin që t’u shisje dëngla të tjerëve, të indinjoheshe, të përçoje virtytin ishin gjëra që shumë thjesht të tjerët i përqafojnë, me ose pa dredhi. Pushteti nuk i kishte joshur aq sa ta ëndërronin për veten e tyre (të paktën nëse bëhet fjalë për atë pushtet që tërhiqte të tjerët); s’kishin rremendje se në të tjerë vende s’ishin të njejtat cene, mbase më të fshehura; në një shoqëri më të mirë as shpresonin, sepse e dinin që më e keqja është përherë më e mundur.

Duhet të ngrenin duart lart përpara vetëzhdukjes? Jo, ata gjenin ngushëllim duke menduar që, ashtu siç kishte gjalluar përgjatë mijëvjeçarëve në cepin e çdo shoqërie një kundërshoqëri keqbërësish, xhepistësh, kusarësh, hileqarësh, një kundërshoqëri e cila as që kishte patur ndonjëherë synimin që të shndërrohej shoqëri, por vetëm qëllimin e mbijetesës në palat e shoqërisë mbizotëruese dhe pohimin e mënyrës së saj të të jetuarit pavarësisht parimeve të përkushtuara, e për këtë arsye kishte shfaqur (të paktën nëse shihej nga njëfarë largësie) një pamje liridashëse dhe plot jetë të vetvetes, në të njejtën mënyrë kundërshoqëria e të ndershmëve mbase do të arrinte të ruhej në shekuj, në cep të dokeve të ditës, pa patur tjetër synim veç jetesën e të qenit ndryshe, të mos qenit njësoj me çka mbetej rrotull, e në këtë mënyrë me gjasë do të përfundonte duke dhënë një kuptimësi thelbësore për të gjithë, duke u kthyer në pasqyrim të diçkaje që fjalët s’e përshkruajnë dot, të diçkaje që ende s’është thënë dhe që ende s’e dimë ç’është.

Shkëputur nga Romanzi e racconti – vëllimi i tretë, Racconti e apologhi sparsi, i Meridiani, Arnaldo Mondadori editore, Botuar për herë të parë në “la Repubblica”, 15 mars 1980, me titullin “Apologo sull’onesta nel paese dei corrotti”.  

Në shqip nga origjinali – Edon Qesari 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *