Ish-Sheraton tani quhet MAK-TIRANA Hotel and Tower

Largimi i markës së njohur të hoteleve , Sheraton, nga Tirana padyshim që ngriti një seri pikëpyetjesh mes të cilave edhe atë se çfarë do të ndodhte me godinën ku ndodhej ky hotel. Sheratoni iku, por hoteli mbeti. Pra, e njëjta godinë do të ofrojë shërbimin e akomodimit dhe faciliteteve të tjera ekzistuese edhe më parë, por nën një emër tjetër që është MAKTIRANA Hotel and Tower. Madje nën këtë emër e gjejmë të listuar hotelin edhe në Booking ku së fundmi bëhet me dije se janë shtuar edhe një seri fotosh të reja që i atribuohen menaxhimit të ri që do të ketë hoteli.

MAKTIRANA identifikohet në profilin e saj në Booking si një hotel me pesë yje. Ashtu si kompania mëmë e saj ajo ka emërtimin MAKTIRANA si pjesë e MAK-ALBANIA” Sh.p.k degë e M.A.Al-Kharafi & Sons W.L.L, e cila është aktive në Shqipëri që nga viti 1992.

Sheraton nga ana tjetër ishte prej kohësh në tentativa për t’u larguar gjatë 2017-ës por njoftimi zyrtar u bë vetëm pak ditë para mbylljes së vitit 2017. Në atë kohë operatorët turistikë reaguan se kjo mund të ishte dhurata më e keqe që i bëhet turzimit për Vitin e Ri. Largimi i markës prestigjioze ndodhi si për ironi në të njëjtën kohë kur qeveria sapo kishte kaluar paketën për nxitjen e investimeve në fushën e hotelerisë nga marka të njohura ndërkombëtare.

Mak Albania Kompania mëmë e Mak Tirana, – që përfshin Mak Albania Construction, Chateu Linza, Mak Travel dhe deri në fund të vitit të kaluar menaxhonte Sheraton Tirana Hotels & Towers, ku aktivitetin kryesor të grupit e ka hoteli, – ka rezultuar me një aktivitet të përkeqësuar financiar vitet e fundit. Humbjet e akumuluara në kapital në vite, përfshirë edhe 2016-n, arritën në total në gati 11 miliardë lekë, apo rreth 81 milionë euro. Kompania rezulton se në vite ka shitur gradualisht pronat e saj, me vlerë shumë më të ulët se ajo kontabël apo ajo e investimit fillestar, çka i ka shtuar humbjet.

Në vitin 2014, grupi ka shitur Hotel Resort që kishte në Golem tek Mali i Robit te grupi Hysenbelliu, për 1.8 milionë euro. Kjo shitje grupi rezultoi me një humbje prej 2.5 milionë eurosh nga vlera kontabël.

Në 2016-n ka shitur Alfa Butrinti (hotel Butrinti në Sarandë), për një vlerë prej 820 mijë eurosh, në një kohë që vlera fillestare e investimit kishte qenë mbi 7 milionë euro.

Grupi tre vitet e fundit ka qenë në kërkim të një blerësi edhe për hotel Sheraton, por pasi nuk gjeti dhe marka e njohur ndërkombëtare vendosi të largohej, po e menaxhon vetë hotelin. Në 2016-n, të ardhurat e Sheraton ishin 4 milionë euro, me një rënie me bazë vjetore prej 13.5%, si rrjedhojë e rritjes së konkurrencës së hoteleve në kryeqytet, pas hapjes së Plaza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *