INTERVISTA/ At Nikolla Marku, rrëfen mëkatet dhe sekretet e jetës së tij, nga puna në Metalurgji tek “lufta” me Janullatosin. Ja si u porosit vrasja ime…

Nga Andrea Danglli

Sëmundja që ka sulmuar ashpër At Nikolla Markun, duket qartë se nuk e ka mposhtur dot.

Pavarësisht se parkinsoni i pa mëshirshëm ka prekur çdo pjesë të trupit të tij, i ashtëquajturi prifti “rebel” nga Elbasani qëndron i fortë për të përçuar mesazhet që beson se mund t’i shërbejnë të tjerëve.

Në intervistën ekskluzive për gazetën “TemA”, ai e pati të vështirë të përcillte fjalët nga dhimbjet që ndjente, tek sa i duhej hera-herës të merrte barnat që e lehtësonin disi.

Prfti i kishës “Shën Mëria”, rrëfen rrugën e tij drejt Perëndisë, sfidat në komunizëm, mëkatet e hershme, marrëdhënien me politikën dhe debati i gjatë me kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Anastas Janullatos.

Pas kësaj interviste, At Nikolla Marku na bën me dije se do t’i nënshtrohet një kalvari të gjatë të trajtimit shëndetësor jashtë vendit, tek sa lutet që kjo të mos jetë intervista e fundit që ai jep.

At Nikolla ku janë të shtrira rrënjët e besimit tuaj në Zot?
Unë jam djali i tretë i Stefan Markut, një njeriu mjaft të nderuar në qytetin e Elbasanit por edhe më gjerë. Im atë ka qenë arsimuar në shkollat më të mira të kohës nga ku ka nisur të angazhohet maksimalisht për zgjidhjen e çështjeve kombëtare. Ai u emërua në krye të korit të kësaj kishe ku jemi ne fillimisht si psal dhe më vonë si prift.

Në fëmijëri shkonim shpesh pas tij për ta ndihmuar dhe që këtu nisi të kultivohet shpejt dashuria e madhe për Zotin. Kështu i mora bazat e para të edukatës kristiane të cilën doja ta pasuroja sa më shumë.

Besoj se kjo ka qenë një kohë e shkurtër pasi siç e dimë në vitin 1967 praktika fetare u ndalua zyrtarisht në Shqipëri. Si ka ardhur ky lajm për ju në kohën kur sapo kishit nisur të kultivonit dashurinë ndaj Zotit?
Shkonim sa majtas-djathtas që të gjenim vetveten por ishte e pamundur. Kush përmendte Zotin ishte i ndëshkuar. Ishte një çoroditje shumë e madhe.
Babai im pasi ju mbyll kisha, vendosi të largohet nga vëmendja e njerëzve.
Diktatura ndaj besimit rezultoi një nga dramat më të rënda që vuri në skenë ai sistem.

Çfarë mendonit në atë kohë? Pati ndonjë tërheqje nga të besuarit?
Siç ju thashë im atë kishte një përgatitje të madhe kulturore dhe ai e kishte montuar tek ne besimin në Zot në një formë shumë të pastër dhe të drejtë. Mund të them se emrin Perëndi ishte futur në shpirt dhe nuk kishte ndenjur thjesht fjalë. Pra kishte një forcë tepër të madhe që na ngacmonte shpesh herë. Edhe pse të privuar, ne vijuam të besonim me përkushtim.
Si ia bënit për tu falur dhe për t’u lutur?
Në fakt më vjen keq ta them por ndonjëherë besimi sikur ngeli në harresë. Në fillim vinim mbrëmjeve për të ndezur ndonjë qiri fshehurazi në kishë. Kur u ngushtua edhe më shumë puna, atëherë nuk hynim më në dyert e kishës por ndiznim qirinj jashtë ne oborr apo edhe në ambientet e shtëpisë.
Një shoku im që punonte në sigurim të shtetit më këshillonte shpesh duke më bërë thirrje: Nikolla kini kujdes pasi jeni në shënjestër!

Pas ndalimit të besimit fetar, mund të na tregoni se si rrodhi jeta juaj?
Në kohën e prishjes së kulteve fetare dhe ndalimit të besimit, qyteti i Elbasanit nisi të bëhej një qytet industrial.
Mua mu desh që të punoj në Metalurgji pasi duhet të siguroja të ardhura për të ushqyer familjen.
Atje kam punuar për vite me radhë si llogaritar por edhe si teknik në byronë teknike të uzinës. Atje punova me përkushtim për shumë vite pavarësisht se me shumë gjëra nuk pajtohesha. Ne shiheshim me një sy tjetër për shkak të besimit.

Në ç’mënyrë shiheshit ndryshe? Çfarë ndodhte kur ju qëndronit pranë gjithë asaj mase njerëzish që nuk besonin apo kishin frikë të besonin?
Kishte shumë që na provokonin duke thënë se Perëndia është një figurë imagjinare, një përrallë apo një çmenduri.
Kam pasur disa raste kur nuk kam duruar edhe kam reaguar. Njëherë pata një debat të gjatë brenda klasës dhe këtë e mbylli kujdestari i klasës i cili na paralajmëroi që të mos flasim më për Zotin pasi mund të vinte keq puna.

Cili ka qenë momenti më i vështirë nga ajo periudhë që arrini të kujtoni sot?
Sjell në kujtesë ditën kur erdhi rinia për ta shembur kishën “Shën Mëria” ku ne po qëndrojmë sot. Mendova se tashmë do të përmbysej gjithçka pasi po sulmonim Zotin. Kur pashë se u hoq kryqi nga kambana dhe nisi të prihej me sharrë, ishte dhimbje e vështirë.
Qaja përbrenda si një fëmijë dhe nuk gjeja forcë të reagoja. I vunë flakën ikonostafeve dhe barbaria vijoi gjatë.
Kjo gjendje vijoi disa minuta kur u dha urdhëri që të mos ndërhyhej më. Mbase ky është një prej momenteve kur lotët e hidhërimit kthehen në lot gëzimi për tu bërë balsam për shpirtin.

Me ardhjen e demokracisë, qytetarët shqiptarë patën mundësinë që t’i riktheheshin besimit pasi feja e rifitoi lirinë e saj. Si erdhi për juve ky moment?
Atë ditë po kthehesha nga puna bashkë me bashkëshorten dhe kam në mendje ende gëzimin e një mikut tim i cili vrapoi drejt meje duke më thënë: Nikolla u hap feja, urgjent tek kisha pasi kërkojnë të të bëjnë prift. Emocione dhe drithërima nga lumturia. Takova priftin e vjetër dhe më tha se babai im që ishte prift më herët në kishë nuk do ta ushtronte më këtë detyrë pasi jeta e kishte lodhur tepër dhe atë që ai e kishte lënë në mes më besohej mua për ta vijuar.
Cilat ishin fjalët e para të babait pas këtij lajmi?
Babai im dukej i plotësuar që mori vesh se djali do t’i detikohej Zotit.
Ruaj dy momente nga ai: Këshilla që më dha dhe amaneti që më la.
E para këshilla që besimin fetar mos e përzj me politikën, gjë për të cilën mua më akuzojnë shumë.
Ndërkohë amaneti ishte që ta besoj Perëndinë deri në agoni të shpirtit tim dhe ta ruaj besimin në Zot.

Duke qenë se ju keni qenë në shënjestër të vërejtjeve për përzierje të fesë me politikën, sa mendoni se e keni zbatuar këshillën që ju ka dhënë?
Pyetja juaj do një mendim shumë të thellë.
Me ardhjen e demokracisë të gjithë morën nga një drejtim. Tek kishat tona kur erdhi Anastas Janullatos ishte një moment shumë i vështirë pasi nuk mund të pranohej që të shkeleshin rregullat e fesë dhe në krye të kishës ortodokse të vendosej një i huaj. Mbase këtu mund të ngrihen dyshime se unë ngatërrohem me politikën por nuk është aspak e vërtetë.

At Nikolla, nuk ju duket pak si i tepëruar përdorimi i kartës patriotike në këtë çështje?

Jo, unë thjesht kam dashur të vërtetën që nuk e gjeta kurrë.
Çdo popull ka një histori besimi të vetën e cila duhet respektuar dhe kur sheh që kjo shkelet atëherë rruga që të ngelet është të kërkosh drejtësi.
Çështja e kombit është e lidhur ngushtësisht me besimin fetar.

Atëherë pse kjo “urrejtje” ndaj popullit grek?

Nuk mund të them se kam urrejtje ndaj grekëve. Por të huajt nuk duhet të ngatërrohen në çështje të brendshme të Shqipërisë.

Pra, ju nuk e keni me popujt por me klerikët që vijnë nga jashtë?
Unë e kam me personat që kanë vërshuar dhe kanë marrë detyra që nuk i meritojnë. Nuk mund të ulesh në një karrige drejtuese pa ta dhënë populli këtë të drejtë.

Cila është marrëdhënia juaj me krerët aktual të kishës ortodokse?
Sinodi i shenjtë i krijuar nga Janullatosi nuk e njeh ekzistencen time. Ata e quajnë Kisha Autoqefale Shqiptare, ndërsa ne e quajme Kisha Ortodokse Autoqefale Kombetare Shqiptare. Ne e quajmë të tillë sipas parimeve të Fan Nolit dhe kushtetutës së vitit 1937 kohë kur Patriarkana njohu ortodoksine autoqefale kombëtare shqiptare të pavarur nga kishat e tjera, sidomos nga ajo greke.

Ju më keni treguar se Janullatos ka shfaqur hakmarrje ndaj jush. Madje më keni thënë se ka shkuar deri ne ate pikë sa ka pregatitur edhe eleminimin tuaj fizik. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Keni shumë shkrime në media. Pasi u vesha une prift ka pasur kercenime ndaj meje dhe familjes sime. Kërcenime me telefonata, kercenime fizike ku më kanë thënë se kishin qëllim për të më vrarë. Edhe gjatë këtyre viteve kemi kërcenime. Unë në vendin tim mbrohem nga truprojë shtetore sekrete dhe kam një kujdes të veçantë nga ana e shtetit.

Si mund t’ju besojmë? Keni prova se kanë dashur t’ju ekzekutojnë?
Ne kemi një video ku tregon kërcenimet e hapura të priftërinjve grekë që presin jashë kishës me valixhe në dorë dhe shtyjnë besimtarët e shitur korçarë për tu futur brenda në kishë për prishjen e meshës ose të më sulmonin mua fizikisht.
Besimtarët e Elbasanit në atë moment kanë luftuar trup me trup dhe nuk i kanë lejuar.

Po pse nuk e publikoni këtë video që thoni se e dispononi?
Kjo video është xhiruar më 15 tetor të vitit 1995 dhe do të dalë kur të piqen kushtet. Është një dëshmi e jetës sime që mbrojta Kishën Ortodokse Autoqefale Kombetare Shqiptare. Këtë video të gjithë do ta shohin dhe do të binden.

Gjatë përgjigjeve tuaja ve re se vendosni theksin se Anastas Janullatos është agjent i asfalisë greke. Ku e bazoni juve këtë deklaratë?
Përderisa mesha bëhet në greqisht prej tij, kishat ndërtohen me stile greke dhe ikonat vendosen në greqisht brenda territoreve tona dhe del hapur për vorio-epirin, kjo tregon se agjentura greke ka hyrë thellë në Tiranë.

Ka pasur tentativa për tu ulur dhe për të bërë paqe me Janullatosin?
Në këtë konflikt të hapur e kemi ftuar Janullatosin që të vijë në televizion dhe të bëjmë një ballafaqim publik.
Është ai që nuk ka pranuar sepse e di që nuk ka asnjë përgjigje për atë që bën. Ai është agjent i asfalisë greke.
Dua të them se unë e kam falur për gabimet apo negativitetin që ka shprehur ndaj meje. Kam respekt për moshën dhe për një pjesë të kontributit.

Cilat janë gjërat pozitive që ja njihni si meritë Anastas Janullatosit si kreu i Kishes Ortodokse Autoqefale që në momentin e emërimit të tij?
Unë nuk e njoh Janullatosin si kryepeshkop. Edhe mijëra shqiptarë rreth e qark globit flasin me shqetësim për hijen e zezë që ka zaptuar Tiranën.
Unë njoh vetëm veprat e shkëlqyera që na ka lënë pas Fan Noli.
Pushtuesit e vendit tim, nuk i njoh për eprorët e mi. Edhe populli shqiptar nuk i njeh.

Ka njerëz që mendojnë se pas sulmit tuaj ndaj Janullatosit, fshihet ambicia e hershme për tu bërë kryepashkop...
Unë asnjëherë nuk kam pretenduar për të qenë në fronin e kryepeshkopit. Jam një prift i martuar dhe kam dy fëmijë. Në statut thuhet se priftërinjtë e martuar nuk mund të ndjekin rrugën e hirearkisë fetare.
Është një rrugë tjetër që të çon tek ky post dhe unë nuk e kam ndjekur atë. Pra nuk kam të drejtë për tu emëruar në këtë pozicion. Ju them me sinqeritet se nuk e kam luftuar kurrë hirësinë për shkak të kësaj çështje.
Në rradhë të parë ai duke qenë në krye të kishës ka shkelur dhe ndryshuar statutin pasi kryepeshkopi dhe të gjithë ata që rrjedhin pas tij duhet të jenë me gjak, me gjuhë dhe me nënshtetësi shqiptare.
Po pse mos ndryshohet ndonjë nen i statutit, ku qëndron e keqja këtu?
Nuk mund të ndryshosh traditën, kulturën apo historinë e një vendi. Kush mund ta pranojë që ne të humbasim identitetin tonë kombëtar? Asnjë vend tjetër nuk mund ta pranonte këtë gjë.

Meqenëse keni vite që nuk e pranoni Janullatosin si kryepeshkop, gjithashtu edhe veten e përjashtuat nga ky post, atëherë kush duhet të jetë në krye të kishës ortodokse sipas jush?
Unë kam zhvilluar disa takime dhe kam ndjekur me shumë vëmendje personat që janë pjesë të kishës sot. Në gjykimin tim do të propozoja peshkopin Joan Pelushi që të ulej në këtë karige drejtuese.
Një djalë mysliman i kthyer në ortodoks që ka një pregatitje të lartë.
Mund ta kryejë mjaft mirë këtë detyrë.

I ndërrojmë për një moment rolet. Mund të më rrëfeni ndonjë prej mëkateve tuaja?
Çdo njeri ka mëkatet e tij. Mund të them se një nga pendesat është se nuk e ndoqa ashtu siç duhet ritualin fetar në diktaturë për shkak të trysnisë që solli sistemi. Herë pas here duke u marrë me gjëra të tjera, harronim Zotin dhe e kujtonim veç nëpër festa fetare. Ky largim ishte mëkat. Do të kërkoja një falje shumë të madhe ndaj Perëndisë pasi nuk duhet të “pajtohesha” me diktaturën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *