Historitë e shqiptarëve në Bukuresht

Në shekujt XVI dhe XVII, shumë shqiptarë dhe arumunë hynë në strukturat sociale, ushtarake dhe tregtare, duke u bërë më pas liderë politikë, ushtarakë dhe tregtarë në Rumani. Shqiptarët në historinë e këtij vendi nuk ishin thjesht barinj e tregtarë. Shumë arritën deri në shkallët më të larta të hierarkisë së kohës, ndonëse nuk ishin në vendin e lindjes. Një nga vendet ku shqiptarët u dyndën gjatë pushtimit të Perandorisë Osmane, ka qenë pa dyshim edhe Rumania. Ashtu si edhe kudo tjetër, shqiptarët kanë lënë gjurmë në Rumani, aq sa dikush do ta quante kryeqendrën rumune “Bukureshti shqiptar”. Studiuesi rumun Adrian Majuru prej vitesh ka hulumtuar historinë e shqiptarëve në Rumani prej shekujsh, studime të cilat i ka mbledhur e në një libër. Sipas Radu Negrescu-Sucu, i cili ka shoqëruar librin me një parathënie, për shekuj me radhë, ashtu si serbët, grekët ose bullgarët, shqiptarët u larguan për shkak të pushtimit otoman, duke kaluar përtej brigjeve të Danubit, të tërhequr nga kushtet e favorshme të principatave autonome rumune…

Me shpalljen e pavarësisë fillon edhe migracioni në drejtim të kundërt, një pjesë e emigrantëve shqiptarë u riatdhesuan, fenomen që ndodhi edhe tek popujt e tjerë të Ballkanit, por shumica, që tashmë kishte zënë rrënjë, të asimiluar, të rumanizuar, mbetën në Rumani. Në pjesën e parë të librit, Majuru, na ofron “universin ballkanik” të krijuar në Rumani, ku pa dyshim një vend të veçantë zinin shqiptarët, madje ata përbënin edhe komunitetin më të madh në numër. Sipas tij, “statistika e parë komplete e Bukureshtit daton nga vitet 1898/1899, ku janë regjistruar 3 698 shqiptarë si kryefamiljarë. Shqiptarët formonin atëherë grupin më të madh ballkanas në Bukuresht”. Është interesant fakti se sa të sakta janë këto statistika. Ato ofrojnë me shifra, një për një, se cilat ishin profesionet që ushtronte çdo shqiptar i rritur, ku numërohen shumë shërbëtorë, punëtorë krahu, bozaxhinj, bakallë dhe shumë pak doktorë, inxhinierë, etj. “Termi elitë, përdorur në këtë përçapje, ka një kuptim më të gjerë. Ai përdoret për personat që ndodheshin në kuadrin e një hierarkie të kategorive të ndryshme shoqërore moldo-vllahe, ndonëse, edukimi, kultura apo mënyra e të sjellit,

nganjëherë, nuk korrespondonin me strukturat e vërteta elitiste. Pikërisht, procesi i kalimit nga elitat periferike si tregtarë e nëpunës të vegjël etj., në strukturat e epërme hierarkike, me një potencial vendimmarrës si komandantë, sundimtarë, bankierë si dhe gjithë gama e profesioneve të lira, bëjnë subjektin e kësaj përçapjeje”, shkruan ai. Shqiptarët kanë hyrë në rangjet e ushtarakëve të lartë rumunë qysh herët. Në 1585, si komandant “dhe këshilltar” i sundimtarit moldav Petru Shkiopu (Çalamani) (1582-1591, sundimi i II-të) është përmendur Bartolomeu Brutti, “shqiptar i

konvertuar”. Sekretari i II –të i Konstantin Brënkoveanut ishte një shqiptar tjetër, Konstantin Drako. Antonie Bunellis ishte mësuesi i fëmijëve të Konstantin Mavrokordatit, në fillim të shekullit të XVIII-të. Midis 1760 dhe 1773-ës, Nikolas Tertulis ka qenë drejtori i Akademisë së Jashit. Sundimtari Grigore Alexandru Gjika, ka pasur një këshilltar për riorganizimin e shkollave në Moldavi në 1763 Konstantin Karaianin. Nikolas Verkosi ka qenë sekretari i Konstantin Vodë Moruzi(1777-1782,

Moldavi) dhe si profesor në “oborrin e princit”. Shumë “profesor të merituar, të ardhur shumica nga shkollat e Janinës”, ishin profesorë në Bukuresht, nga të cilët dhe Lambru Fotiade. “Këto elita kulturore dhe politike, edhe pse ishin të nivelit mesatar, kanë pasur “një ndihmesë të madhe në formimin e borgjezisë rumune”, por dhe një rol të rëndësishëm “në transformimet e mëdha sociale të shekujve XVIII dhe XIX.” Po nuk duhet harruar ndihmesa e intelektualëve shqiptarë në Rumani në lëvizjen shqiptare. Madje Elida Petoshati konsideron se “fenomeni i Rilindjes shqiptare pranon si datë zyrtare të ekzistencës, momentin e botimit në Bukuresht, në 1840, të Evëtarit, nga Veqilharxhi”, asgjë tjetër veçse abetarja e parë në gjuhën shqipe. Duke trajtuar të njëjtin problem, studiuesja Catalina Vatasescu, konsideron se data e fillimit të Rilindjes Shqiptare, në 1844, është e lidhur me këtë eveniment kulturor. Kjo ngjarje i hapi rrugën botimeve të tjera dhe ngritjes së shoqërive dhe organeve të shtypit, që i shërbyen lëvizjes kombëtare. Të rinjtë shqiptarë nga Rumania themeluan në Bukuresht në 1881 “shoqëria e parë për të cilën dimë me siguri që ka ekzistuar në Rumani” e quajtur filial i Kostandinopojës për libra shqip, duke pasur si qëllim botimin e librave. Organizimi i shoqërisë ka qenë nën drejtimin e Jani Vretos dhe të Pandeli Sotirit. Bëhet fjalë për shoqërinë “Drita”, për të vijuar më tej me gazetën “Albanezul” (Shqiptari), shoqërinë “Shpresa”, “Rinia shqiptare”, “bashkimi”, komitetin “Bashkim dhe progres”, “Kombi”, etj, që përmes botimeve në gjuhën shqipe, ndihmua çështjen shqiptare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *