Historia interesante/ Si u krijua Nju Jorku?- Kur holandezët e blenë për 24 dollarë nga fisi menhet’n

Nga Albana Lifschin
Kur ecën në Wall Street, Manhattan, nuk është e çuditshme të të lindë pyetja: Pse vallë e ka marrë këtë emër kjo rrugë, kur syri nuk të shikon asnjë mur aty rrotull?
Përgjigjen e gjejmë në Amerikën e kohëve koloniale. Nju Jorku renditet ndër kolonitë e para, fillimisht i populluar nga hollandezët.
Në vitin 1626, kompania hollandeze “Dutch West Company” e bleu atë nga indianët, për 24 dollarë. Madje, emri Menhet’n (Manhattan) ishte emri i tribusë indiane, prej të cilës hollandezët blenë ishullin. Në Menhet’n hollandezët ndërtuan një fshat të vogël, me një fortesë, një mulli dhe 30 shtëpi. I dhanë emrin New Amsterdam (Amstërdami i ri). Pastaj ngritën një mur mbrojtës, ashtu siç e kishin qytetet e Evropës. Pikërisht nga ai mur lindi emërtimi “Wall Street”, sot rruga më e famshme e Nju Jorkut.
Atë kohë, pas murit kishte edhe ferma, të cilët hollandezët i quanin “bouweries”. Sot në Menhet’n ka një rrugë, që ruan origjinën e këtij emri. Quhet “Bowery”, por sigurisht syri nuk të sheh asnjë fermë aty rotull.
Me kalimin e kohës, kompania hollandeze ngriti disa pika tregtimi të gëzofrave. Tregëtarët e Hollandës mendonin të bënin pasuri nga tregëtia e tyre.
Numri i popullsisë në Menhet’n u shtua shumë. Mirëpo, ky zgjerim i hollandezëve nuk i pëlqeu qeverisë angleze. Kolonia hollandeze kishte zënë vënd midis kolonive angleze të Virxhinias dhe Masaçusetsit. Për më tepër, hollandezët, duke qënë tregtarë të mirë, u futën në tregti me këto dy koloni me çmime më të favorshme, se sa ato të mallrave që sillnin këtu tregtarët anglezë.
Arsyeja tjetër, edhe më e fortë, ishte se hollandezët qenë vendosur në një tokë që ligjërisht i takonte Anglisë, pasi eksploratori i parë i këtij ishulli kishte qënë Xhon Kaboti, një kapiten portugez, që lundronte nën flamurin anglez. Ai kishte zbritur i pari në brigjet e lumit Hadson, më 1407, pikërisht aty ku hollandezët kishin ngritur koloninë e tyre.
Kështu, mbreti anglez Çarls II, vendosi ta rimerrte Nju Jorkun. Ai bëri hapin e parë duke i dhënë të vëllait, Dukës së Jorkut, një tokë që përfshinte pjesën më të madhe të posedimeve hollandeze. Ai emëroi edhe një guvernator të ri. Mirëpo, atë kohë hollandezët kishin guvernatorin e tyre, Pitër Stajvësent , (Peter Stuyvasant) që vinte nga radhët e ushtrisë dhe ishte i nderuar për shërbimet e tij. Madje, kishte humbur edhe njerën këmbë në luftë.
Si guvernator i Nju Jorkut, ai kishte vënë të gjitha energjitë për të ndërtuar, stabilizuar e drejtuar një koloni, e cila përbëhej nga njerëz që flisnin 18 gjuhë të ndryshme. Përkushtimi i tij kishte qënë i madh, derisa… i vjen urdhëri që të braktiste gjithçka. “Gjaku i ushtarit” ishte ndezur në çast. Kur guvernatori i ri i Anglisë mbërriti me mesazhin e mbretit, që i kërkonte paraardhësit të bënte dorëzimet, Stajvësenti e grisi dekretin mbretëror.
Mirëpo, e vërteta ishte e hidhur. Pitër Stajvësenti kishte vetëm 150 ushtarë, të patrajnuar mirë. Anglezët ishin më të fortë ushtarakisht dhe banorët e kolonisë nuk donin luftë. Ata iu lutën guvernatorit të tyre të dorëzohej, për të evituar gjakderdhjen. Kjo e detyroi Pitër Stajvësantin të pranonte kushtet e anglezëve. Fortesa e gjithçka u mor nga anglezët, të cilët i ndërruan menjëherë emrin, nga Nju Amsterdam, në Nju Jork.
Pas marrjes se kolonisë nga anglezët, Nju Jorku u zhvillua me ritme të shpejta. Nju Jorku ka qënë një nga 13 kolonitë e para, që ratifikuan Kushtetutën e SHBA-së. Gjithashtu, ka qënë kryeqyteti i parë i vëndit. Këtu u inagurua Xhorxh Uashingtoni si president i parë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

(Shkrimi eshte perfshire ne librin  “Udhetim ne Historine e Amerikes”bot 2003, ribot .2006 dhe ne vitin 2010 nen kujdesin e MInistrise se Kultures, Rinise e Sporteve te Kosoves)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *