Historia e një shenjti nga Vithkuqi

Sot me 10 korrik 2017 Kisha Ortodokse kujton Shenjtorin e Ditës.

Ai është Dëshmori i ri Nikodhimi në Berat.

Lindi nga prindër shqiptarë dhe shpresëtarë në Vithkuq të Korçës dhe jo në Elbasan dhe u bë rrobaqepës në Berat. Mbeti i ve për herë të tretë dhe u martua me një skllave të bukur pasi ndërroi besimin. Bëri synet me dhunë edhe fëmijët e tij, përveç njërit, të cilin të krishterët e çuan fshehurazi në Malin e Shenjtë.

I inatosur, shkoi ta gjente dhe t’i ndëshkonte etërit. Ndërkaq atje erdhi në pendim, bile u qeth murg me emrin Nikodhim, sipas të tjerëve shkoi në Athos, sepse u pendua.

Mbas tre vjetësh vajtimesh dhe kreshmësh dëgjoi se kushdo që mohon Krishtin përpara njerëzve i intereson që ta pohojë Atë përsëri para tyre (shih Mt.10:32-33). Aspiroi atëherë martirizimin dhe shkoi në Kafsokalive tek oshënar Akaqi (12 prill).

Ai e thirri me emrin e tij, megjithëse nuk e njihte, dhe e ngushëlloi. Duke u lutur për të, iu ndriçua fytyra, ndërsa diçka si yll zbriti mbi të. Më pas i dha leje për t’u martirizuar dhe i dha një shkop për rrugës.

Ai, i dobësuar prej kreshmës, iu lut që ta ndërpriste kreshmën për shkak të udhëtimit. Iu përgjigj se sidomos tani i nevojitej kreshma dhe se “njeriu nuk do të jetojë vetëm me bukë” (Mt.4:4). Kur Nikodhimi shtoi se i trembej demonit, jeronti e këshilloi që t’i trembej Perëndisë. I pari mori uratën dhe shkopin e të dytit dhe u nis. Ndodhej akoma në Athos, kur iu shfaq Jisui, i dha zemër dhe i parashikoi martirizimet e tij.

Përshkoi pa u lodhur rrugën deri në Berat, ku e njohën, e rrëmbyen dhe e çuan te pashai. Meqenëse nuk u thye, e hodhën nga pallati i lartë i tij. Por nuk pësoi gjë dhe u ngjit përsëri duke vrapuar te pashai, i cili u tmerrua dhe do ta linte nëse nuk do t’i trembej turmës. Iu dorëzoi, pra, martirin e ri.

Pasi e torturuan tri ditë, duke e çuar drejt ekzekutimit bënin në mënyrë të përsëritur sikur do ta thernin, për ta trembur. Ia prenë kokën më 11.7.1722 (ndoshta më 1709, ose më 1714), ndërsa lipsani i shenjtë lëshonte erë të mirë dhe shëronte sëmundje.

Gjatë martirizimeve të tij rastisi që banorët e zonës së Shpiragut të zbrisnin në Berat. Të gjitha fshatrat e saj, kishin vendosur të islamizoheshin për të shpëtuar nga mundimet e turqve. Por, duke parë heroizmin e martir oshënarit, fshatarët u çuditën dhe, kur u kthyen në vendin e tyre, i rrëfyen gjërat. Si rrjedhim, u penduan të gjithë, kështu që krahina mbeti e krishterë.

Nikodhim, greqisht do të thotë fitorja e komunitetit.

Disa e festojnë më 11 korrik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *