Nga Dom Artur Jaku
Këtu e 158 (1858) vite më parë, në token e dhurume nga Marin Gjonej, populli i Shkodrës kërkonte shumë me shumë se një Kishë në mentalitetin e vizionin e kohës, kërkonte shumë më shumë se mundësitë financiare për ta ndërtuar, kërkonte dicka të ngjashme me “Duomon e Milanos”, dicka që të zinte gjithë atë etje për liri, mundësinë për të nderuar amesinë besnike të Zojës së Këshillit të Mirë.
U deshën plot 7 vite për të ndërtuar “Kishën e Madhe”, e si për ironi të fatit, u deshën shumë më tëper vite për ta rindërtuar… e kështu vazhdoi odisea e Katedralës, duke përjetuar në trup cdo fatkëqësi të Shqipërisë, me mllefin që ajo që s’mposhtet, dhunohet, shkatërrohet… Ngjan sikur historia biblike e Jerusalemit përsëritet në shkodren tonë, me ngashnimet e të mundures e të pamundures, ndërtimet e shkatërrimet, adhurimet dhe sakrilegjet, madheshtia e formes me përmbajtjen e madheshtisë.
Kjo Katedrale, perfaqëson për Shkodrën, e katoliket emblemen e një krenarie të tjerrur me endjen e fantazinë e më të ndriturve figura si Imzot Luigj Curcija, Kolë Idromeno, Simon Rrota, Imzot Ernest Cobes, dom Jak Sarreqit etj. Vendi që priti personalitete të rëndësishme, si papën Gjon Pali i II, Nënë Terëzën, përcolli figura si Mikel koliqi, atë Zef Pllumin, e forcoi sa e sa martirë në itenerarin drejt pushkatimit në Varrezat e Rrmajt, ashtu me vetdijen e vet madheshtore.
Sa herë toka është ba banore e qiellit, teksa tingujt puthnin pafundësinë, e zemrat përjetonin kryeveprat e padegjuara të Mozartit, Shubertit, Alelujat, Ave Marite, nga duart e koliqit, Shantojes. Katedralja ishte si një oaz kulturor që thyente kufijtë tokësor të shqipërisë provinciale, duke e kthyer shkodrën në kryeqendër të zhvillimit kulturor e si motër me ato evropiane. Banda e parë e themeluar nga Palok Kurti, Kori “Schola Cantorum” i Katedralës drejtuar nga mjeshtrat Koliqi, Tonin Harapi, shenjtëronin akoma më shumë shpirtin që piqej me pedagogjinë e të bukres e të pavdekshmes duke i sinkronizuar së bashku celebrimet fetare, me koncertet e përjavshme që mbaheshin në oborr.
Katedralja është fortesa e një besimi të martirizuar deri në ekstrem, por e pamposhtur deri nëtë mramen frymë, duke dhënë modelin për të cilën më shumë se kurrë kemi nevoj të frymëzohemi. Dom Ndre Zadeja kur ishte para skuadrës së pushkatimit, do të drithëronte ajrin duke klithur: “Shqypni, moj mizore, cka të baj ma shumë për ty?
Sot, Shqipnisë, Shkodrës po i dhurojmë një muze, që do të pasqyroi kujtimet, historinë, objektet e rrallë të kultit, të ruajtura me fanatizëm, ndër vite, gjithcka e konceptuar si një promovim që i bëhet shtysës shpirtërore përmes materialeve artistike dhe personale.
Janë grumbulluar objekte nga të gjitha zonat e thella të dioqezës, dhe jam i bindur që të gjithë do të mahniteni nga dashuria, kurajoja me të cilën janë ruajtur dhe si demostrohet kjo lidhje ekzistenciale që populli ka pasur me Zotin dhe me udheheqësit shpirtëror.
Një detaj i vecante i këtij muzeut i është kushtuar kendit për tingullin, përmes ekspozimit të kumbonëve të vjetra, lajmëtarëve të kohëve, që ndjellen rreziqet që po i kanoseshin Shqipërisë, e paqësuan shpirtrat e rraskapitura me mbledhjet vëllazërore në tyrezën ekuaristike.
Nuk mungojnë edhe fytyrat, që të zhysin në realitetin e kohës, me pamjen e tyre prej të burgosuri pa shpresë, tretur nga indiferenca për ti zbuluar.
Dua të falënderoj së pari, bariun e kësaj dioqeze, e prijësin e kësaj ideje, Imzot Massafrën si dhe arkitektet nga Milanoja Ester Pagnoni dhe Franceska Radaelli që kanë konkretizuar projektin duke vënë në pah këtë trashigimi të pacmueshme, e të pa shembulltë.
Muzeu është në sinkron me idenë e vizionit të “hapjes” që pësoi oborri i katedralës. Një vizion që përqafon idenë e një Kishe të hapur për të mirëpritur secilin në takimin atëror, shndërrimin e oborrit të kishës në një hapësirë për qytetin, pa mure, pa barriera, pa mburoja, e lirë, ashtu sic kisha duhet të jetë krahë-hapur.
Të nderuar të ftuar, sot kemi kënaqësinë që në emër të qeverisë Shqiptare, të kemi të pranishme Ministrën E kulturës Znj. Mirela Kumbaro. Shfrytëzoj rastin për ti falenderuar për mbeshtetjen që na kanë dhënë në realizimin e këtij projekti.
Në këtë projekt ritheksohen motivet e mjeshtrit të madh të artit arkitektonik të quajtur ndryshe “Muzikë pa zë” të Idromenos, përdorur tek kompanjeli, tavani si dhe nxitja për ta rikthyer oborrin në një ansambel të “intonuar” me sheshin , shtatoren e martirizimit, kendin e 38 të lumëve, Katedralën dhe muzeun.
Dua të falenderoj Bashkinë Shkodër, ish kryetarin Lorenc Lukën me të cilin e kemi inicuar këtë projekt dhe kryetaren Ademi për mbeshtetjen në vazhdimësi deri në përfundim të projekteve.
Falenderime edhe për Zotin Doshi, i cili na ka mbeshtetur në projektin e ndricimit.
Falenderime të përzemerta për firmen zbatuese të Mark Gjekes që ka zbatuar shumë me tëpër cfarë ishte e parashikuar dhe sigurisht falenderime për të gjithë biznesmenet të cilët kanë kontribuar financiarisht tek pjesa e parë e projektit emrat e të cilëve janë shkruar tek libri “Nentori i Bardhi”
Të dashur pjesëmarrës, në gurin e themelit të Katedralës është shkruar “Dio Vede Tutto”, Zoti Sheh Gjithcka,
Ati mendjemprehtë Anton Harapi teksa kalonte nëpër zallishte drejt pushkatimit u kujdeste për të mos ju sterpikur petku nga balta, dhe ju thoshte “dua të shkoj i panjollë tek Ati”. Të hjekim cdo ndryshk zemre e të angazhohemi për tja bërë njëri tjetrit jetën më cilësore, për të rigjallëruar oborret e kishave, xhamijave, shtëpijave me aromën e të bukrës, me pasionin e të bërit të gjërave ashtu sic duhet, me vetdijën historike që ushqen vizionin e të ardhmës dhe sic thoshte Anton Harapi për të qënë gur themeli që hijëshojnë, edhe nën DHE.
Përpara se Shkodra të bëhej “Jerusalemi” i shqipërisë, para se izmot Karl Poten ta kthente shkodrën kryedioqez, perpara se Ceta e profetëve të shkruhej nga imzot Pjetër Bogdani, para se Shqiponja dy krenare të valvitej në flamurin e Gjergj kastriotit, përpara se Pal Engjulli të pagëzonte Shqipën, “para se shën Pali të ungjillizonte ilirinë, një profet revolucionoi botën, theu cdo klishe që ishte për Zotin, e shndërroi botën në Jerusalem Shpirtëror, me vdekje mposhti vdekjen, me kryq mori lavdinë dhe shpalli të vetmin pushtet triumfues: “Hyji është Dashuri. Cdo gja tjetër rrjedh nga kjo, e kuptohet vetem permes kësaj… Kjo është dashuria për të cilën ja vlen me jetu e sakrifiku e kjo dashuri ndricoftë thellësitë e zemrës e i dhashtë tokës sonë martire gjithmonë modele të shpirtit shëmbëllyes.
Duke ju falenderuar për praninë e mbeshtetjen ju përshendes me fjalët e Palit të Tarsit drejtuar bashkësisë së korintianëve: Maranatha eja o Zot Jezu.