Fytyra shqiptare e parë veç nga ana e ndriçuar nga dielli

Nga Luan Rama

Fytyra shqiptare e parë veç nga ana e ndriçuar nga dielli
Filmi i udhëtarit francez Albert Mahuzier në vitin 1964: Shqipëria hap kufijtë : vendi më i fshehtë i botës!
Imagjinoni një çast një burrë francez rreth të tridhjetave që me gruan e tij niset me kajak nga brigjet e Italisë për të përshkuar Adriatikun dhe për të mbërritur në brigjet shqiptare apo malazeze në vitin 1936. Të ngjan si në aventurat e Kipling, por në të vërtetë, ky njeri nisej drejt të panjohurës dhe sprovës për të përballuar detin, natyrën, furtunën, si në një kohë homerike. E pra, më së fundi, ai kishte mbërritur në Kotorr. Dhe që atëherë gjithnjë ai kishte menduar të njihte dhe brigjet shqiptare, por kjo do të vinte më vonë. Ky njeri quhej Albert Mahuzier (1907-1980) dhe pasi kishte braktisur punën e tij në një bankë franceze, ai kishte vendosur të piktakonte qytetërimet dhe historitë e kësaj bote. Një personazh i denjë për romanet e Hemingueit, por ai nuk e pikëtakoi atë, as ndonjë shkrimtar tjetër me emër. Atëherë vendosi të udhëtonte dhe të shkruante mbresat e tij të udhëtimit në librin “Një aventurë në Shqipëri”, i cili do të përkthehej veç para disa vjetësh nga Nestor Nepravishta dhe do të botohej në shqip nga shtëpia botuese «Migjeni». Në fakt, në vitin 1947, Mahuzier kishte udhëtuar nëpër Afrikë dhe pas kthimit të tij në Francë botoi librin Gjuetitë e mëdha në Afrikën Qëndrore, pastaj një libër tjetër, «Tornado dhe gjueti tragjike». Në vitin 1952 ai vendosi të merrte familjen në të gjitha udhëtimet e tij të mëvonshme dhe po atë vit botoi librin «Në ndjekje të gorillave». Gjatë 30 vjetëve, ky njeri, ashtu siç bënte Levy-Strausse në kolonitë franceze e gjetkë nëpër botë, bashkë me familjen e tij udhëtoi në të 6 kontinentet, pasi siç më thotë Alain, ata kanë qenë dhe në Antarktidë, të cilin ai e konsideron kontinenti i gjashtë.
Sidoqoftë, ajo që mbeti si dëshmi e gjallë e udhëtimeve tij të shumta ishin filmat dhe një nga ata ishte filmi Shqipëria hap kufijtë : vendi më i fshehtë i botës, të cilin ne e pamë mbrëmë në një nga veprimtaritë e shumta që organizon shoqata ALBANIA në Paris, një film që po shfaqej sërrish pas 45 vjetësh. Atëherë, Albert Mahuzier e shfaqte filmin dhe e komentonte njëkohësisht, siç bënin konferencierët. Prej disa vitesh kisha dëgjuar për këtë film por nuk e kisha parë dhe Alain Mahuzier biri i Albertit, arkeolog dhe i lidhur aq shumë me Shqipërinë, u tregua i gatshëm ta shfaqte, madje në një version të shkurtuar, 1 orë e 10 minuta, shoqëruar me muzikë shqiptare dhe me tekstin e lexuar prej tij, një tekst gjithë humor që tregonte këndshëm realitetin shqiptar, me peripecitê e shumta, ashtu siç e kishin gjetur atë në vitin 1964 në mënyrë realiste dhe pa inskenime. E padyshim, kjo ishte njëra anë e Shqipërisë, ajo e dukshmja, në sipërfaqe, e vështruar nga ana e diellit, pasi Shqipëria tjetër, ajo e kampeve dhe burgjeve politike, nuk është në film, pasi siç më thotë Alain, ngado që shkonim fjala «interdit», «e ndaluar» na ndiqte gjithnjë nga pas, hap pas hapi… e ndaluar dhe «zonë strategjike» apo «zonë ushtarake». Fshati Lin është xhiruar nga larg, pasi përsëri atje nuk mund të shkonin ; e ndaluar gjithashtu të shkonin në Konispol apo në thellësi të Valbonës. Gjatë dy muajve, Mahuzier, bashkë me familjen e tij, gruan, fëmijët dhe të afërt, gjithsejt 9 persona, me tre makina të tyre, udhëtuan nëpër rrugët e pashtruara e gjithë pluhur të Shqipërisë duke filmuar dhe pikëtakuar shqiptarët. Dhe simpatia e tyre është e jashtëzakonshme si për njerëzit ashtu dhe për historinë. Interesante janë imazhet e kishave dhe xhamive që deri atëherë mbijetonin dhe ku klerikët paguheshin me rrogë nga shteti; po kështu zbulimi i tradicioneve, rrugët dhe godinat që nuk ekzistojnë më, një arkitekturë që një njeri që nuk e ka njohur atë kohë, vështirë ta njohë se për çfarë bëhet fjalë… Sovjetikët kanë ikur dhe ja ku shfaqen kinezët e pakët që lahen para hotel «Adriatik» në plazhin e Durrësit, të cilët ata i filmojnë fshehurazi pasi kinezët nuk pranojnë të xhirohen. Sigurisht, një urdhër i Partisë së Maos. E megjithatë ajo që spikat më shumë në këtë film është fytyra njerëzore, fytyra shqiptare, herë e trishtë dhe e ndrojtur para një të huaji, siç e gjejmë në Shkodër apo Elbasan, dhe herë e ëmbël e dashur, që kërkon ta presë miku me ç’të mundet. Gjirokastra i habit me ndërtimet e saj dhe çatitë e gurta dhe kur ngjiten në kala, ata pikëtakojnë historinë edhe pse një histori të fshehtë ai do ta mësonte shumë më vonë, siç do më tregonte Alain, pasi 20 vjet më pas, kur vinte si arkeolog në Apolloni dhe vizitonte Gjirokastrën, ai mori vesh se pikërisht në atë portë të kalasë ku ata s’kishin mundur të hynin kishte qenë burgu i qyteti!E megjithatë, për ata, ato ditë ishin të këndshme dhe të habitshme njëkohësisht, pasi në kishën e famshme të Shelcanit, ku u ngjitën me këmbë, në muret e saj, dikush kishte shkruar: «Lavdi Marksizëm-Leninizmit!» Mesia i ri donte të hynte mesa dukej në portën Hyjnore! Në Boboshticë, rakia e manaferrave është e mrekullueshme, çka Alain e kërkon edhe tani t’ia sjellin nga Shqipëria. Dardharet që kërcejnë janë padyshim nga figurat më të bukura të filmit, plot hire dhe buri të jashtëzakonshme, stolisur me kostumet e tyre popullore ku si spektatorë veç të tjerëve janë dhe një rradhë burrash të vjetër me kapele republike dhe kostume, që të risjellin imazhet e filmit Il Padrino. Por jo, nuk është një bandë mafiozësh siçilianë apo napolitanë, janë shqiptarë të emigruar nga Shqipëria në vitet 20-30, të ikur djem të rinj në Boston dhe të kthyer për të rigjetur pas 30 apo 40 vjetësh shtëpitë e tyre, fëmijët të bërë burra, fëmijë që kurrë nuk i kishin njohur etërit e tyre. Ja pra, kjo ishte Shqipëria e këtij filmi, një nga të rrallët e xhiruar në Shqipëri në periudhën totalitare, ku pas tyre, ai që do të sillte imazhet shqiptare në vitet ’70 do të ishte Jean Bartolino me filmin Shqipëria-roje e Stalinit!… Por nëse kineastin Albert Mahuzier shpesh e ndalonin të xhironte imazhe jo të «pëlqyeshme», Bartolino nxehej dhe bërtiste kur i thonin se autobuzi që do xhironte ishte pis dhe para se ta xhironte duhej ta lanin! Shqipëria nuk mund të përfaqësohej me një autobuz të pisët dhe gjithë baltë!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *