Foto fantastike nga Kisha e Labovës së Kryqit!

Vijon puna restauruese në Kishën e Labovës së Kryqit, e cila i kthen këtij monumenti me vlera të rralla të trashëgimisë sonë, shkëlqimin dhe dinjitetin për ta shndërruar në një destinacion kyç turistik të jugut.
Punimet restauruese u inspektuan nga ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro e cila shoqërohej nga inxhinieri Arben Dervishi, i cili së bashku me profesor Aleksandër Meksin kanë projektuar këtë ndërhyrje kaq delikate dhe specifike, si dhe nga Drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës, znj. Arta Dollani.

Restaurimi i Kishës së Labovës së Kryqit me një fond prej rreth 200 mijë eurosh, është një premtim i mbajtur i Ministrisë së Kulturës, jo veç për të mbrojtur trashëgiminë kulturore por edhe për zhvillimin e turizmit në këtë zonë.
Ndërhyrjet restauruese në Kishën e Labovës së Kryqit synojnë konsolidimin e objektit dhe gjithë strukturës mbajtëse të tij, që konsiston në përforcimin e themeleve dhe drenazhimin, konsolidimin dhe konservimin e muraturës dhe qemerëve, zëvendësimin e tiranta të dëmtuara apo të munguara, restaurimin komplet të çative të hajatit dhe naosit, për të vazhduar më tej me restaurimin dyerve, dritareve, suvasë, e deri tek ndriçimi e restaurimi i murit rrethues. Ndërhyrjet në themele bëhen duke u mbështetur në sondazhet dhe studimin gjeologjik të hartuar nga specialistë të fushës.

Restaurimi i kishës shkon në një plan të përbashkët me rregullimin e infrastrukturës, e cila ishte një domosdoshmëri jo vetëm për ta bërë atë të aksesueshme, por për gjithë komunitetin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *