Erotizimi i hapësirës publike nga gratë

Nga Gilman Bakalli

Sapo dielli ngroh ajrin, çlirohemi nga rrobat. Palltot dhe xhaketat dimërore i hedhim gëzueshëm mënjanë. Ky akt nuk është thjesht një ndërrim puplash. Ngrohtësia e ajrit pranveror na jep mundësinë të shfaqim çfarë kemi fshehur gjatë dimrit. Sidomos gratë e vajzat, të cilat joshin me dekoltetë dhe streçet e tejdukshme. Me fustanet e tyre, që më shumë zbulojnë se mbulojnë. Me lloj-lloj tekstilesh fine që theksojnë mrekullisht kofshët dhe vithet e tyre. I gjithë ajri pranveror kthehet kështu në një spektakël të vërtetë formash e ngjyrash femërore. Një festë e jashtëzakonshme për shqisat njerëzore. Sidomos për sytë e mashkullit. E njëkohësisht, bashkë me këtë larmi ngacmimesh, një farë presioni ndihet në ajër. Një lloj tensioni, i cili shpeshherë e prish festën me diskutimet që nxit në publik në lidhje me pasojat e një veshjeje të tillë.

T’i marrim gjërat me radhë. Zakonisht burrat qortohen publikisht sepse duke i lakmuar gratë për shkak të veshjes së tyre provokuese (në gjykimin e tyre), i reduktojnë ata në objekte qejfi seksual. Unë them se ekuacioni është ndryshe: Mos janë vetë gratë dhe vajzat, të cilat me veshjen e tyre, dekolte, minifunde, fustane të hapura anash, para e prapa, streçe të tejdukshme, e erotizojnë hapësirën publike? Mos janë vetë gratë dhe vajzat, të cilat, me veshjet e tyre, seksualizojnë veten dhe hapësirën publike, pa pasur aspak si qëllim që me këtë apo me atë veshje të eksitojnë burrat?

Le të flasim hapur. Instinkti seksual ekziston. Ekziston si fakt dhe jo si konstrukt social. Njerëzit reagojnë ndaj sinjaleve erotike dhe ky reagim është jashtë kontrollit të vullnetit të tij. Njeriu zotëron vullnetin e lirë për të vendosur të mos e kthejë në veprim reaksionin e tij ndaj erotizimit. Kjo prodhon tension, në ato raste kur kënaqja e instikteve nuk lejohet. Si rregull, ky tension është i përhershëm dhe, si rregull, çdo mashkull i rritur duhet të mësohet ta menaxhojë në mënyrë të shëndetshme këtë tension. Çështja është nëse është e përshtatshme që ky tension të ngacmohet akoma më tepër përmes një veshjeje, e cila më shumë zbulon se mbulon, përmes një mode, e cila provokon sipas dialektikës “zbulo duke mbuluar”. Jam i bindur se në momentin që po e artikuloj këtë pyetje, reagimi femëror është i llojit “ah burrat! Mendjen e kanë të gjykojnë veshjet e grave dhe t’u fishkëllejnë nga pas me komente vulgare”! E pranoj që nuk është edhe aq elegante t’u fishkëllesh grave nga pas, porse duhet pranuar që edhe gratë luajnë nje lojë paksa naive ose dinake. Nga njëra anë nxjerrin në pah dhe theksojnë me gjithë talentin e tyre të gjitha format e bekuara që u ka falur Natyra, nga njëra anë e ndiejnë fort mirë reaksionin që shkaktojnë te meshkujt, por nga ana tjetër kjo nuk i pengon ta kërkojnë dhe ta pretendojnë me forcë vetëkontrollin mashkullor. Dhe, nëse burri nuk arrin të vetëkontrollohet por e lëshon shikimin e tij paksa më gjatë seç duhet te dekolteja e kalimtares apo vithet e koleges, atëherë ai është “ai burri si gjithë burrat e tjerë”, banal dhe vulgar, që kërkon te femra vetëm “atë gjënë”, ai burri që, si të gjithë burrat, e redukton gruan në objekt seksual.

Zakonisht në kësi rastesh hidhen jo rrallë në sulm feministet, të cilat i kërkojnë shoqërisë t’ia heqë qafe këta burra të bezdisshëm, t’i ndihmojë ata të mbrohen prej shikimeve dhe komenteve mashkullore të patakta. Sepse konsiderohet seksizëm kur burri i tregon gruas se ai pëlqen ato format që ajo ia ka nxjerrë para syve me veshjen e saj. Sepse fundja çdo grua vishet siç ia pret mendja, thjesht e vetëm për qejf të vet. Sepse fundja çdo grua ndjek modën, sepse ashtu ndihet më mirë, më rehat me veten etj. etj. Por a është e vërtetë që njeriu në këtë shoqëri vishet e mbathet thjesht dhe vetëm për qejf të vet? Sigurisht që jo! Veshja nuk është kurrë një akt neutral. Dhe gratë gabojnë shumë kur mundohen t’ia mbushin mendjen vetes se ato vishen thjesht për qejf të vet, duke besuar me gjithë mend te pafajësia dhe neutraliteti i veshjes së tyre. Dhe gabojnë gjithashtu kur flasin me përbuzje për faktin se meshkujt janë qenie që drejtohen thjesht nga instinkti seksual. E mira do ishte të mendonin se instikti seksual nuk mund të eliminohet nga kjo jetë dhe se të gjithë ne, burra e gra, jemi qenie që përkufizohemi edhe përmes këtij instinkti, edhe pse na e ka qejfi ta quajmë veten si krijesa racionale apo produkte të një kulture sublime me “K” të madhe.

Veshja erotike nuk është e pafajshme apo neutrale. Gratë le të mendohen paksa se çfarë mesazhi duan të japin kur i veshin dhe ta kenë parasysh se çfarë reaksioni shkaktojnë përmes saj. Të jenë të vetëdijshme për ngarkesën erotike që shpërndajnë në ajër dhe tensionin e mundshëm psikologjik mashkullor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *