Edi Rama: Edi Hila dhe një shtrembërim serioz i realizmit socialist

rama hila

Artisti Edi Hila çel ekspozitën “Vegime bulevardi” në Kryeministri

Sheshi, së bashku me bulevardin si aksi kryesor urbanistik i qytetit, ka vazhduar edhe sot të shërbejë si teatër i ngjarjeve, shpeshherë dramatike, të historisë sonë bashkëkohore. Këto kanë qenë arsyet që kanë frymëzuar nismën time për të ndërtuar një cikël pikturash ku historia e shatërvanit shërben si moment interesant përgjithësimi”. Mbi hapësirën e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, dhjetor 2015, Edi Hila.

Gjashtë tablo varen në mure. Grija mbizotëron. Hapësirat e zymta të bulevardit, nxjerrin në pah, herë godinën e Kryeministrisë, herë shatërvanin para universitetit “Nënë Tereza”, e herë tjetër vetë universitetin. Muret e godinës së qeverisë fshihen pas një të zeze pis. Mes tyre, në një holl qëndron një artist i lindur më 1944. I veshur me një kostum të zi, me flokët e thinjura, ai vetëm përshëndet ardhësit në holl.
Kur Qendra për Hapje dhe Dialog(COD në Kryeministri) çeli të premten ekspozitën “Vegime bulevardi”, në kuadër të hapjes së sezonit 2016 të titulluar “Hapësira ku jetojmë, hapësira që ndajmë dhe hapësira që lëmë pas”, autori i ekspozitës, Edi Hila, heshti. Ai, nuk foli për punën e tij, as për ekspozitën, as për të shkuarën, as për të ardhmen, as për hapësirën. I pranishëm në COD 30 minuta para hapjes së ekspozitës, ai vetëm i priti të pranishmit. I tërhequr dhe timid, ai rrinte mënjanë, edhe kur kryeministri foli për të, si Edi Rama, jo si shef qeverie; po ashtu mënjanë qëndroi edhe kur Shkëlzen Maliqi, këshilltar i Ramës, foli për ekspozitën. Me të mbaruar fjalimet e kreut të qeverisë e këshilltarit të tij, Falma Fshazi, drejtore e COD, njoftoi se Hila nuk do të fliste para të pranishmëve dhe se fjala e tij është puna e tij: një seri me gjashtë vepra të krijuara së fundmi.
Në katalogun e shpërndarë për të pranishmit, Hila shënon shkurtimisht siç ia kërkon natyra/stili i tij: “Vite më parë, në sheshin që është pjesë e kompleksit arkitekturor të Universitetit Shtetëror të Tiranës, u ndërtua një shatërvan që ishte një ndërhyrje e dhunshme në perceptimin kompleks të zgjidhjes urbanistike të arkitektit italian Gherardio Bosio. Kompleksi arkitekturor rreth universitetit ka qenë një referencë historike dhe estetike për mua, që ka shërbyer si marrëdhënie emocionale me një vepër unikale dhe artistikisht të përkryer. Dëshira për të ruajtur një marrëdhënie koherente midis gjashtë tablove dhe ndërtimeve kryesore që përbëjnë kompleksin arkitektonik, erdhi si nevojë për një organizim të kontrolluar artistikisht të veprave në raport me njëra-tjetrën, duke përdorur një gamë kromatike të caktuar e cila u përgjigjet në mënyrë organike përmbajtjes dhe funksionit administrativ që ruajnë ende sot këto godina”.
Për të plotësuar ato që la pa thënë Hila, por edhe për të dhënë mendimin e tij si mik e jo si kryeministër, Rama, në fjalën e mbajtur, nuk la pa cekur natyrën e Hilës dhe përplasjet e artistit me strukturën e shtetit.
“Nga njohja ime e botës së Edit, është e pamundur që ajo të përmblidhet në një pasqyrë të vetme. Madje është më shumë si një lojë e shumë pasqyrave, pas së cilave fshihet një njeri timid, por shumë i thellë, që flet përmes këtyre pasqyrave, pa qenë asnjëherë në gjendje të thotë se cila është pasqyra ku reflektohet realisht ajo çka ai kërkon të thotë. Emocioni që kam është shumë i thjeshtë në arsye dhe nuk ka të bëjë thjesht me lidhjet e mia të kahershme me Edin, por ka të bëjë me faktin që vepra e tij apo një seri e re e veprës së tij prezantohet për herë të parë, këtu në këtë godinë”, – tha ai. Mandej Rama foli për të kaluarën e Hilës. “Kush e njeh historinë e Edit me strukturën e shtetit, e di shumë mirë se çfarë kam unë parasysh me strukturën e shtetit si prezencë në jetën e tij, qysh se në fillim të viteve ‘70, ai pa dashje u shfaq ashtu siç ishte i gjithi, në një pasqyrë ku të tjerët lexuan një shtrembërim serioz të realizmit socialist, gjë që më pas i solli Edit edhe shumë telashe, por që e vendosi dhe në mënyrë definitive, besoj unë, në një raport shumë të komplikuar me godinat e shtetit dhe me dyert e godinave të shtetit. Prezenca e kësaj serie të re brenda kësaj godine, por me një cikël pasqyrash që reflektojnë shpirtin e këtyre godinave dhe që, siç e shihni apo do ta shihni, shpirti i reflektuar është ndryshe nga çfarë godinat duan të tregojnë, është vërtet sensacionale”, – tha kryeministri.
Cikli i ri i pikturave të Hilës trajton bulevardin kryesor të Tiranës, me objektet më përfaqësuese të tij në sheshin “Nënë Tereza”, godinën e universitetit, shatërvanin që gjendej para tij dhe godinën e Kryeministrisë.
“Pamjet e Bulevardit të Hilës ndërkaq, janë të gjitha të ngrira, në një gjendje ontologjike zero, si të sapodala nga gjysmerrësira dhe gjysmëshkëndija e agut të ditës para lindjes së diellit, kur qyteti ende është i fjetur dhe në të nuk lëviz e as pipëtin gjë. Madje, edhe në të vetmen pikturë që do të duhej të kishte lëvizje, sepse grykën e bulevardit e zë një procesion festiv ngjyrash rozë të haresë, edhe aty sërish mbizotëron ngrirja që procesionin e shndërron në vegim”, – vërejti Shkëlzen Maliqi.
Hila është një artist i njohur në Shqipëri. Fitues i disa çmimeve të para, ai ka hapur ekspozita në disa vende të botës. Punimet e tij janë pjesë e koleksioneve të Muzeut të Artit Modern të Qendrës Pompidou, Franc Pays de la Loire dhe Fondit Komunal të qytetit të Parisit. Vitin që shkoi ai përfaqësoi Shqipërinë në bienalen e Venecias, bashkë me artistin tjetër të njohur Adrian Paci.(Gazeta Shqiptare)

vepra hilaaaa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *