Dritëhijet e Faik Konicës e marrëdhënia me Nolin në një libër

Në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, në kuadër të përmbylljes së vitit kulturor “Faik Konica”, u promovua ditën e Premte, 16 dhjetor, vepra studimore “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati” të autorit Agron Alibali, me pjesëmarrjen e veçantë të Prof. Aleks Luarasi, Prof. Pëllumb Xhufit, ish-Presidentit të Shqipërisë, Alfred Moisiu, si dhe studies të shquar nga vendi dhe Kosova. Në fjalën e saj përshëndetëse, Drejtoresha e BKSH-së, Prof. Dr. Persida Asllani u shpreh se “kjo vepër studimore risjell në vëmendje një prej figurave më të shquara të kulturës dhe diplomacisë shqiptare, Faik Konica”.
Studimi “Faik Konica – dritëhijet e një diplomati” i Agron Alibalit, i mbështetur në dokumente të panjohura, shumica të shfrytëzuara për herë të parë, përfshirë arkivin e Legatës Shqiptare në SHBA, trajton gjerësisht rolin e Vatrës si “qeveri në mërgim”, marrëdhëniet komplekse midis dy “shokëve të armëve”, Konicës e Nolit; raportet e Konicës me koloninë shqiptare në SHBA etj., ku dalin në pah sidomos edhe “dritëhijet” e tij. Në libër shfaqet figura e Konicës si përfaqësuesi informal diplomatik i Kosovës në SHBA, roli i tij thelbësor për shqipen juridike e diplomatike etj. Rëndësi të veçantë në libër paraqet botëkuptimi shtetformues e kushtetues i Faik Konicës, çka paraqet vlera të posaçme aktuale. Veprimtaria e Konicës përcillet krahas etapave të themelimit e forcimit të shtetit shqiptar, deri në momentet tragjike të pushtimit fashist. Në këtë drejtim, libri rreket të japë kontribut të veçantë në studimet për historinë e shtetit dhe së drejtës në Shqipëri, dhe të rikthejë vëmendjen sidomos në periudhën kritike kur shteti shqiptar u konsolidua nën Mbretin Zog. Në pjesë e tij të fundit trajtohet edhe çështja e bibliotekës së tij të famshme, deri vonë të konsideruar të humbur, si dhe punën për gjurmimin dhe kthimin e kësaj pasurie të çmuar pranë Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë, sikurse e pat lënë amanet vetë Konica.
Pak kohë më parë rreth 270 libra të kësaj biblioteke janë bërë pjesë e fondit të vlerave të rralla të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, një pjesë e të cilave u ekspozuan për pjesëmarrësit e këtij aktiviteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *