Det i dielë

Nga Edona PALOKA

Ai qepte rrjetën, në fushëpamjen blu me aroma lisash,
ajo tallej me dallgët e buta që lehtë i shkeleshin nën këmbë.
Kripa e tharë në flokë rrodhi mbi fytyrat e zeshkëta.
Atje tej në shkëndijat e diellit, në rrezet ku ajo pa Zotin,
në pikëzat e detit të thellë ku pa zogjtë
tek joshej nga bregu, nga aroma e ndryshkur e agut
prej zhurmës së pincës së tij në fillin e kuq të peshkut.

Mbi det një rreth zogjsh, rreth vicioz,
sipër tyre një rreth tjetër, më sipër një tjetër,
deri aty ku fillon pragu i parajsës, ai varr qiellor
përtej reve ku shohim fytyra të verdha
të cilave s’i përkasim por i ndiejmë veҫ aromat e ftohta.
Ajo nën ardhjen e muzgut ende pikturohet
në mendjen ku fle agu së bashku me përdëllimin.

Fija e rrjetës mbështjell gishtërinjtë e rreshkët,
ajo dhe ëndrra, ai dhe rrjeta, zogjtë dhe parajsa,
tëposhtë aroma e mollëve
mbi gryka kambanash të ditës së dielë.
Këto e shtyjnë atë të kthehet në varkë
mbi det të ndërrojë ngjyrat e veshjes e papritur
të thërrasë: “Andrea! Andrea!”
në një turmë njerëzish ulur në gjunjë
duke lexuar me zë lutjet e shenjta,
duke ndjerë praninë e Jezuit në një rreze të verdhë
duke thirrur “Andrea!” në lëvizjet e saj të mjergullta
duke parë në sy pendimin,
duke puthur rrobën e Shën Marisë.

Andrea në fillin e kuq të peshkut
thur rrjetën me fijet e këmishës së grisur,
dëfren me aromën e kripës pasditen me ag
mbi valët e një deti të përsosur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *