Deborah Sengl: Mbi ngutësitë e tmerrshme të jetës, minj të bardhë të frikshëm

Nga Fatmira Nikolli

Ditët e fundit të njerëzimit”, vepra e shkruar nga shkrimtari austriak, Karl Kraus (1915-1922) kushtuar Luftës së Parë Botërore shpërfaq anën çnjerëzore dhe absurditetin e luftës. Nëse vepra “Ushtari i mirë Shvejk” i Jarosllav Hashek ndjek pas ushtrinë për të sjellë atë tablo, Kraus ka ditur të kapë atmosferën e asaj kohe në tablo më të vogla, por shpesh edhe më të egra. Si në një pamje nga lart me dron, fragmentarizimi/copëzimi i realiteteve njerëzore sjell dhjetëra luftëra të vogla që përbëjnë të madhen sa më shumë u largohesh për t’i parë tashmë si pjesë të së tërës. Në vitin 2014, kur u shënua 100-vjetori i luftës, artistja austriake Deborah Sengl krijoi “ditët e saja të fundit të njerëzimit”. Ajo interpretoi tanimë përmes artit pamor tekstin e 100 viteve më parë, duke paraqitur një shfaqje të skicuar kafshësh, që përbëhet prej 176 minjsh të balsamosur që përmes dyzet ‘skenash’ tridimensionale risjell dyzet nga dyqind e njëzet skenat e “Ditët e fundit të njerëzimit”, duke u ndalur mbi ngutësitë e tmerrshme të jetës përmes një sprove jokonvencionale. Krijimi, veshja, qëndrimi i kufomave të minjve, si dhe një përkujdesje në kufijtë e së frikshmes ndaj veçorive të një tabloje në miniaturë – faksimile të fletëve të gazetave, kapelja cilindër dhe papioni i një pronari fabrike, çanta e dy udhëtarëve për biznes, kapelanë ushtrie, pushkë ushtarësh, madje edhe një shtyllë trinie (për skenën në një varr) – pasqyrojnë një kontraversalitet mjaft të qartë në lidhje me tekstin e Kraus-it.
Ekspozita e Deborah Sengl, “Ditët e fundit të njerëzimit” është çelur mbrëmë në Galerinë Kombëtare të Arteve (në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë) kuruar nga Günther Oberhollenzer.
ARTISTJA E FAJIT TË PËRBASHKËT
“Ne njerëzit kemi një raport të dyzuar me minjtë se nga njëra anë kemi neveri, i kemi frikë sepse jetojnë nëpër kanale, janë krijesa të pista e të neveritshme nga ana tjetër nuk bëjmë dot pa ta. I përdorim ata në eksperimente mjekësore e kozmetike për shkak të ngjashmërisë gjenetike që ata kanë me njerëzit. Nëse do të citoja këtu autorin e veprës, ai ka thënë se për të, njerëzimi është një laborator i madh eksperimental. Nga njëra ana minjtë jetojnë masivisht siç jetojnë njerëzit në tokë, por kur bëhet fjalë për elementët jetësorë të tyre, ata bëhen tërësisht egoistë dhe në këtë pikë ngjasojnë shumë me ne”, thotë ajo për ‘GSH’, e pyetur pse minjtë në imitim të shoqërisë. Gjenetikisht miu përafron shumë me ne njerëzit dhe është një ndër gjallesat që mbijeton në rast sulmi atomik.
“Ngjyra e bardhë për mua simbolizon pastërtinë. Ka vetëm një mi të zi, i cili simbolizon autorin e dramës e cila më ka frymëzuar. Ne të gjithë jemi disi fajtorë për gjërat, të gjithë jemi si minj të bardhë, të gjithë nga pak fajtorë për gjërat negative që ndodhin”, –  thotë Deborah Sengl.
E bardha monokromatike e minjve, që thyhet mjaft lehtë nga e kuqja dhe e verdha e gjurmëve të gjakut, urinës, apo alkoolit, si dhe nga e zeza e grindavecit që përfaqëson alter-egon e Kraus-it, i jep tërësisë së skenave të rimodeluara diçka nga struktura monumentale e origjinalit. Çdo kokë e përkulur në anë, çdo gojë e hapur, çdo thua i lakuar në madhësitë mbre-sëlënëse të katalogut të kujton fizionominë e gjuhës së figurave të dramës, bisedat e përhershme të të cilave janë në një zhargon të kontaminuar nga media dhe lufta.
Tematika e saj kryesore është të qenit i përgjegj-shëm, mbajtja e përgjegjësisë për veprimet e këqija që ndodhën qoftë gjatë periudhës së luftës, qoftë pas saj.
SKENAT (JO)BIBLIKE
U ngjajnë ske-nave biblike, disa prej skenave të minjve, por autorja mohon. Për të, absurditeti është në çdo skenë, ndërsa gjithçka tjetër është ngjashmëri. Një skenë që duket si darka e fundit, ajo e cilëson krejt absurde, pasi fundi i luftës që shënon humbjen gjermane, kalohet në një tryezë me pije e ushqim. Gjeneralët janë përreth një tavoline kur mësojnë humbjen, por vijojnë shijimin e darkës dhe dëgjojnë muzikën e një miu violinist që si mantenutë e tyre, krijon tinguj për veshët e zotërinjve.
Në një tjetër skenë, kapelani duket se bekon luftën, duke shtuar me gjasë që Perëndia është me ta. Ajo çfarë duket me sy, gjen shpjegimin personal të autores, së pyetur nga ‘GSH’. “Ka të bëjë edhe me përgjegjësinë që mban kisha në kohën e luftërave, pasi ka ndodhur që kambanat e kishave janë përdorur për t’u bërë municion, ose për t’u bërë armë. Në fundin e luftës, ato janë shkrirë sërish e janë kthyer në kambana. Ka një tjetër absurd pra, sepse edhe ata duhet të mbanin përgjegjësi”.
“Në veprat e mia mund të shihen kafshët, por kritikat e mia u drejtohen njerëzve. Koncepti i lirisë sipas saj lidhet me përgjegjësinë. Në shoqëri duhet të mbajmë përgjegjësi për atë që bëjmë”.
Vepra sipas kuratorit nuk ka vetëm luftën e madhe, por edhe luftën e vogël të të gjithë njerëzve dhe atë të brendshmen, brenda njeriut e brenda shtëpisë. “Ka skena në shtëpi, lokale e qytete. Kuptohet pra që lufta prek çdo skenë të shoqërisë. Të gjithë jemi disi fajtorë”.
Ambasadori i Austrisë në vendin tonë, Johann Sattler, u shpreh se është një moment shumë i veçantë, sepse është kurorëzimi i një viti të tërë pune në fushën e kulturës këtu në Tiranë, i nisur me koncertin e 2 janarit. “Ekspozita është e bazuar në veprën e Karl Kraus, është një nga autorët më të mprehtë dhe të fuqishëm austriakë, edhe pse për fat të keq në Shqipëri nuk është i njohur dhe aq shumë. Shpresoj që kjo mungesë të kompensohet në të ardhmen dhe veprat e tij të përkthehen edhe në gjuhën shqipe”.
Ambasadori Johann Sattler shtoi se “autori i drejtohej kohës së tij, absurditeti i kohës së luftës është tema kryesore e punës së tij. Në ekspozitën që sjellin sot flitet për fraxhilitetin e jetës sonë. Edhe pse nuk jetojmë në luftë, jemi detyruar të luftojmë për lirinë tonë”. Ai njoftoi se viti 2018 do jetë viti i kulturës shqiptaro-austriake, që shënohet me një bashkëpunim me operën, me Marubin dhe me një ballo austriake.
Duke rikujtuar se Austria është partner strategjik nga pikëpamja politike për Shqipërinë, kujtoi se “Austro-Hungaria ka qenë e pranishme dhe mbështetëse e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Nuk mund të bazohemi vetëm tek e kaluara. Sfida më e madhe është anëtarësimi në BE dhe Austria është një nga mbështetësit kryesorë. Mbeten shumë gjëra për t’u bërë, edhe pse Shqipëria ka bërë shumëçka e vlerësojmë. Shqipëria ka nevojë për promovim dhe ne i ofrojmë një skenë”, shtoi Sattler.
Më tej, drejtori i GKA, Artan Shabani, e cilësoi si një ekspozitë shumë të veçantë dhe interesante për publikun shqiptar. “Ka 39 skulptura me kafshë të balsamosura, 3 piktura dhe 39 vizatime. Ajo i mundëson publikut shqiptar për herë të parë një njohje me ciklin me të njohur të kësaj artisteje”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri e 25 nëntor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *