Certifikohen mjeshtrat e parë të restaurimit, Kumbaro inspekton punimet në Banesën Çabej

Në Gjirokastër u certifikuan mjeshtrat e parë të restaurimit, pjesë e kursit profesional për mjeshtrit dhe çirakët e rinj të projektit të trashëgimisë “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes”.
Në një ceremoni të organizuar në qytetin e gurtë, Gjirokastër, Ministrja e Kulturës znj. Mirela Kumbaro u dorëzoi certifikatat “mjeshtrave”dhe “ndihmës mjeshtrave” të parë pas 25 vitesh, në fushën e restaurimit.
Ceremonia e shpërndarjes së certifikatave do të organizohet edhe në Korçë dhe në Berat, si dy qytete ku mjeshtrat e rinj të restaurimit u kualifikuan sipas projektit të trashëgimisë.
Projekti nisi në muajin dhjetor 2016, në mjediset e Ministrisë së Kulturës, ku u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit për projektin “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” financuar nga GIZ dhe SIDA, i cili i hapi rrugën zbatimit të kursit profesional 6-mujor “Mjeshtëritë dhe teknikat tradicionale në ndërtim”.
“Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” u mundësua nga CHwB Albania, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Kulturës, Ministria e Ekonomisë të Shtetit Federal të Hessen-it nëpërmjet GIZ, bashkëpunimi gjermano-shqiptar dhe qeveria suedeze, drejtoria rajonale e formimit profesional publik , drejtoria rajonale kombëtare kulturës, Gjirokastër, Korçë, Berat, Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Ky projekt përfshiu edhe mjeshtrat e vjetër, por edhe të rinjtë, duke siguruar në këtë mënyrë përfshirjen e mjeshtrave të vjetër dhe shpëtimin e dijes së tyre duke e transferuar atë te të trajnuarit më të rinj.
Programi “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” (“APN”) është një program shumë i nevojshëm për të aftësuar mjeshtra por edhe praktikantë (çirakë) të rinj në ndërhyrje në ndërtesa të trashëgimisë kulturore. Tregu i sotëm nuk ka njerëz të kualifikuar specifikisht në këtë fushë aq delikate po aq edhe të nevojshme. Mjeshtërit e të ashtuquajturave “Atelie” (institucionet qe merreshin me punimet e mirëmbajtjes dhe ato restauruese para viteve ’90), ende të aftë për punë janë shumë të paktë dhe aftësitë e tyre nuk njihen e vlerësohen në treg. Nga ana tjetër mjeshtritë e vjetra po humbasin pasi nuk ka asnjë program ku të rinjtë të mund të mësojnë nga mjeshtrat me përvojë (mjeshtrat që kanë pas punuar në “Atelietë), gjithashtu kompanitë që sot operojnë në fushën e restaurimit nuk kanë të punësuar njerëz të kualifikuar në këtë fushë.
Qëllimet kryesore të këtij programi janë ruajtja e mjeshtërive dhe teknikave tradicionale, kualifikimi i personave që operojnë në këtë fushë, rritja e cilësisë së punimeve (sipas standardeve të restaurimit dhe konservimit), si dhe më shumë mundësi punësimi për të rinjtë dhe emigrantët që vendosin të kthehen për të punuar dhe jetuar në Shqipëri.
Ministrja e Kulturës, znj. Mirela Kumbaro Furxhi ndoqi nga afër punimet e restaurimit në Banesën Çabej, në  lagjen Hazmurat, Gjirokastër.
Banesa e tij sot po restaurohet nga duart e mjeshtrave me përvojë dhe të rinjtë që po trajnohen për “Mjeshtëritë Tradicionale në Ndërtim”.
Banesa Çabej është një ndër banesat tipike gjirokastrite, e cila shquhet për larminë e objeteve të punuara në dru të skalitur dhe dru dekorativ. Fasada e gurtë e shtëpisë ka një formë të veçantë dhe një pjesë e saj është e ndërtuar me gur të skalitur. Një pjesë e konsiderueshme e tavaneve dhe dyshemeve të dhomave të brendshme të shtëpisë janë të punuara me dru dekorativ, me motive floreale.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *