Në Berat është çelur një ekspozitë që risjell qytetin e një mijë e një dritareve në një këndvështrim historik.
Foto të Beratit të një shekulli më parë të bëra nga vizitorë vendas e të huaj, kanë ngjallur kuriozitet te vizitorët. Ringjallja e jetës kulturore në Berat cilësohet edhe si pikë për shtimin e numrit të turistëve.
“100 vite më parë, Berati, udhëtim në foto historike”, titullohet ekspozita e çelur në Muzeun Etnografik, në qytetin e mbrojtur të UNECSO-s.
Nëpërmjet fotografive në format të madh prezantohet Berati i 100 viteve më parë, fokusuar në celuloid prej vitit 1904 deri në vitin 1940 nga fotografë të njohur shqiptarë dhe të huaj që kanë vizituar Beratin, transmeton sotnews.
Fotot paraqesin arkitekturën e qytetit, jetën e banorëve, pazaret, veprat si sahati i vjetër, rrugë, çezma, saraje, etj.
Drejtori i Qëndrës Kombëtare të Muzeumeve, Agron Polovina tha se rijetëzimi i trashëgimisë kulturore, përmirësimi i infrastrukturës muzeore, kanë bërë që në periudhën janar-maj 2017, Berati të vizitohet nga rreth 9 mijë vizitorë, rreth një mijë vizitorë më shumë se i gjithë viti 2013.
Risia e këtij viti është se Berati po tërheq vëmendjen jo vetëm të turistëve të huaj por edhe të vizitorëve vendas, veçanërisht në fundjavë.