Baneri që akuzon grekët për çamët, reagon Ministria e Jashtme: Çështje thelbësore/ UEFA nis hetimet

“Greqia është fajtore. Kujtoni genocidin në Çamëri me 100 mijë viktima shqiptare”. Ky ka qenë teksti në banerin e shpalosur gjatë ndeshjes Shqipëri-Zvicër në Lens të Francës për Kampionatin Europian për të cilin UEFA ka nisur hetimet dhe Shqipëria mund të marrë dënim.
Ministria e Jashtme e Shqiëprisë ka reaguar ndaj qëndrimit të palës greke sa i takon çështjes çame dhe banerit që u shfaq gjatë ndeshjes Shqipëri-Zvicër.
Sipas zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme, Glevin Dervishi, çështja çame është thelbësore në marrëdhëniet dy palshe dhe për të drejtat e njeriut dhe duhet të trajtohet me realizëm nga të dyja vendet.
“Shpreh keqardhjen që në vend të fokusit në fushën e blertë dhe magjinë e futbollit, ata janë fokusuar në detin e tifozëve kuq e zi dje në stadium, sjellja e të cilëve është evidentuar si tepër korrekte dhe tepër e shkëlqyer dhe nga mediat franceze dhe ato ndërkombëtare. Ndërsa sa i takon deklaratave të Ministrisë së Jashtme të Greqisë për çështjen çame, më vjen keq të them por ne nuk ndajmë shqetësimin e tyre irracional nga fjala Çamëri. Çështja çame është një çështje thelbësore e raporteve dypalëshe dhe thelbësore për të drejtat e njeriut, madje trajtimi i saj me realizëm dhe diskutimi i thellë për të do të ishte dëshmi maturie e marrëdhënieve tona dhe e respektit të ndërsjellë”.
Pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër, Ministria e Jashtme greke reagoi për banerin që u shfaq në stadium. Athina zyrtare është ankuar në UEFA, duke kërkuar që të dënohen ata që e organizuan dhe shpalosën banerin, megjithëse mediat greke nuk e mohuan që ishte në sektorin e tifozëve zviceranë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *