Arben Golemi çel ekspozitën “Tjetërsim”

Nga data 2–23 Qershor 2017, në Galerinë Kombëtare të Arteve çelet ekspozita “Tjetërsim”, e piktorit Arben Golemi. Në hapje të sezonit turistik, kjo ekspozitë vetjake sjell në Galerinë Kombëtare të Arteve punë të autorit në harkun kohor 2005-2017. Kuratori i ekspozitës Ylli Drishti ka përzgjedhur për këtë ekspozitë rreth 67 punime në teknikë mikse, duke i dhënë publikut një panoramë të rrugës krijuese të Golemit gjatë këtyre viteve. Sipas konceptit kuratorial ekspozita përmban katër cikle kryesore; Berati, Neë York, Baroque dhe Pylli. Këto cikle piktorike përbëhen nga tablo unikale të cilat nuk përsërisin njëra tjetrën, përkundrazi na sjellin një larmi kompozicionale dhe një fuqi koloristike të papritur.
Kjo është ekspozita e katërt vetjake e autorit në Galerinë Kombëtare, por veçanërisht kjo përzgjedhje, evokon pjekurinë artistike të autorit, përmes një koloriti dekorativ shpërthyes dhe një “kodi unik artistik”. Arben Golemi është një nga piktorët e rëndësishëm të artit modern shqiptar. Me krijimtarinë e tij Golemi ndikoi në rrethet artistike të vendlindjes, duke krijuar imazhin e një piktori modern, kërkues të formave dhe shprehjeve të reja artistike. Piktura e tij theu mentalitetin artistik ekzistues të artit realist mbizotërues, ndërsa Golemi u bë një nga protagonistët kryesorë të asaj që mund të quhet “piktura moderne shqiptare e fundit të shekullit XX”. Pas viteve 1990 krijimtaria e tij u prezantua në shumë veprimtari ndërkombëtare, ekspozita personale e kolektive.
“Tjetërsim” do të ekspozohet në sallën kryesore të ekspozitave në Galerinë Kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *