Anisa Markarian: Shastisje pragpranverore

Prej disa ditësh, mimoza përtej gardhit të oborrit tim kishte zgjatur përmbi kangjellat ca degëza mërdhake si të kërkonte hisen e vet të diellit në bahçen fqinjë. (Nuk thonë kot që bari i komshiut është gjithnjë më i blertë se në kopshtin tënd.) Tundimin e parë për t’i këputur kisha arritur ta frenoja. Çka më kishte bërë të ndihesha tepër krenare. (Nuk e ul njeriu veten gjer në atë pikë, sa të përjarget për 2-3 degë mimoze!)
Mëngjeseve, përpara se të merrja rrugën për në punë, ndaloja detyrimisht këmbët nën degët e lulëzuara që i tërhiqja mbi hundë për të mbushur mushkëritë me aromën e lakmuar. Më falte të njejtin lehtësim në frymëmarrje si një aerosol ventoline për të sëmurët astmatikë.
Në pavijon, pastruesja kishte zënë të ankohej që një dorë dashakeqëse shpërndante në korridor toptha verdhacukë e kokrriza poleni, sapo mbaronte së lari dyshemenë! (Sa për dijeni, pastruesja jonë është amatore romanesh policorë dhe themeluese e klubit letrar: “Vejushat Detektive”.)
Çdo ditë e më shumë, ndieja të më shtrëngohej rreth qafës makthi ngasës i përvetësimit të një buqete mimozash. Isha thellësisht e vetëdijshme që do të më çlironte nga gjithçka. Nga rituali i aerosolit mëngjesor, nga xhelozia kundrejt “barit” pushverdhë të komshiut, nga rreziku i ndëshkimit hakmarrës të pastrueses-hetuese, nga sikleti mbytës i një marrëzie të parealizuar…
Në fund të fundit, një jetë kemi! Ç’nuk e zuri njeriun e ndershëm e nuk e hoqi?! Herët a vonë, do të më kalonte edhe kjo dalldi mimozore. (Sapo t’i kisha këputur ato degë ëndërrore…)
A.M.© 10 Shkurt 2018

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *