Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Ambasadën Austriake, organizuan konferencën dhe ekspozitën me temë: “Monarkia Austro-Hungareze dhe Shqipëria 1916-1918”, e cila nisi punimet e saj dje, ditën e premte datë 26 janar 2018 dhe vazhdoi edhe këtë të shtunë në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar.
Konferenca solli në kujtesë periudhën e viteve 1916-1918 (periudhë në të cilën Austro-Hungaria administroi më tepër se gjysmën e territorit të Shqipërisë). Akademikë nga Austria dhe Shqipëria kujtuan ngjarjet e asaj kohe, të cilat formojnë dhe influencojnë marrëdhënien midis dy vendeve deri në ditët e sotme. Konferenca trajtoi tema të tilla si: “aneksim ose protektorat” dhe ndikimin austriak në infrastrukturë, politikë, administratë, ekonomi, kulturë dhe arsim.
Dje, gjatë konferencës referuan, gjatë seancës së pare, kumtesat e tyre: Prof. Dr. Paskal Milo me temë: “Politika austro-hungareze ndaj Shqipërisë në vitet 1914-1918”; Dr. Tamara Scheer me temë: “Regjimet pushtuese austro-hungareze në Evropën Juglindore në Luftën e Parë Botërore dhe çështja shqiptare” dhe Dr. Marenglen Kasmi me temën: “Forcat luftarake shqiptare në ushtrinë austro-hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore”.
Gjatë seancës së dytë referuan: Prof. Dr. Valentina Duka me temën: “Zona Austro – Hungareze e pushtimit: situata ekonomike e Shqipërisë”; Dr. Kurt Gostentschnigg me temë: “Shtatmadhoria kundër Ballhausplatz-it: aneksim apo protektorat”; dhe Prof. Dr. Proletar Hasani me temë: “Forcat luftarake vullnetare shqiptare gjatë Luftës së Parë Botërore. Vështrim krahasues”. Seanca e tretë e drejtuar nga Prof. Dr. Beqir Meta mirëpriti me kumtesat e tyre: Prof. Dr. Beqir Meta me temën: “Qëndrimi i Austro-Hungarisë ndaj nacionalizmit shqiptar gjatë Luftës së Madhe:-Një vështrim krahasues”; Prof. As. Dr. Ledia Dushku me temën: “Përceptimi dhe realiteti: Shqiptarët dhe autoritetet austro-hungareze përgjatë vitit 1916” dhe Dr. Ilir Kalemaj me temën: “Impakti Austro – Hungarez në Komb dhe Shtet – Formimin Shqiptar në Vitet 1915 – 1918”.
Ndërsa seanca e katërt dhe e fundit për ditën e parë të konferencës pati si drejtues të saj Dr. Erwin Schmidl dhe referuan kumtesat e tyre: Dr. Enriketa Pandelejmoni (Papa) me temë: “Franz Seiner dhe Regjistrimi i Popullsisë në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore 1916-1918”; Univ.-Doz. Dr. Erwin A. Schmidl me temë: “Teatri i Luftës i panjohur: Shqipëria 1918” dhe Dr. Gentiana Kera me temë: “Aspekte demografike në zonen e pushtimit austro-hungarez gjatë Luftës së Parë Botërore”.
Konferenca shkencore “Austro – Hungaria dhe Shqipëria, 1916 – 1918”.