Ali Pasha dhe Suliotët

Nga Dorian Koçi

Konsilidimi i pashallëkut të Janinës do t’i kushtonte shumë energji Ali Pashë Tepelenës, e për më tepër kur krahina e Çamërisë e sidomos krahina malore e Sulit, në fillimet e shekullit të XVIII u u trysnua nën presionin centralizues të pushtetit të tij. Në planet ambicioze të optikës gjeopolitike, një nga kolonat kyçe që Pashai i Janinës e përdorte me mjeshtëri ishte dhe diplomacia e përdorur prej tij si ndaj Portës së Lartë ashtu dhe me Republikën Franceze, gjë që do t’i shërbente në konsolidimin e pashallëkut. 

Kush ishin Suliotët

Në këtë tërësinë territoriale të Çamërisë, përfshihej dhe krahina e Sulit, në të cilën banonin  shqiptarë të krishterë, që flisnin dialektin çam , të cilët kishin krijuar një bashkësi të pavarur fillimisht midis katër fshatrave Suli, Qafa, Avariku dhe Samoniva dhe që qeveriseshin në bazë të venomeve. Banorët e Sulit në fillim ishin vendosur në këto katër fshatra shkëmborë afër njëri-tjetrit. Në fshatin Suli banonin nëntëmbëdhjetë fise ose fara të përbëra nga 450 familje me rreth 2000 anëtarë nga i njëjti gjak. Fist më të rëndësishme ishin ata të Xhavellajve, Boçarëve, Drakove, Dangëllive, Kuconikëve, Karabinëve, Malemejve, Buzëve, Kallogjerëve, Zarbenjëve, Papajanëve, Shahinëve. Në Qafa ishin katër fise që kishin 90 familje me afro 360-400 anëtarë. Këta ishin: Zervat, Pantazenjtë , Nikajt, Fotenjtë; në Smonivë ishin tre fise: Bejkot, Dangëllenjtë dhe Irajt me 50 familje dhe rreth 200-250 anëtarë; në Avarik ishin tre fise: Salarenjtë, Bufajt dhe Xhorazët. Në kohë të katër fshatrat morën emrin e përgjithshëm Suli. (Koli Xoxi. Marko Boçari: fq,6).  Më vonë në beteja me osmanët për të ruajtur vetqeverisjen e tyre, këtyre fshatrave iu bashkangjitën edhe 60 të tjerë të krishterë dhe myslimanë, të cilët u paguanin suliotëve detyrimet. Më kryesorët ishin: Zavruho, Gliqi, Potamia, Nemica, Kocanohori, Januzi, Zavarina, Gorica, Koritiani, Koroni, Koronopuli, Qeli, Turkopulako, Spathari, Skandali, Shalësi, Kulluri, Cangari, Stanovo, Mukovina, Dragoveci, Ardoshi, Sistruni, Romano, Alpohori, Vila, Sericani, Dervizani, Golemi, Lipa, Toskësi, Çifliku, Zhermi etj të cilët gjendeshin 7 km larg Sulit. (Koli Xoxi. Marko Boçari: fq 6 )

Krahina e Çamërisë dhe bashkë me të dhe krahina malore e Sulit, në fillimet e shekullit të XVIII u gjet nën presionin dhe tendencën centralizuese të pushtetit të Ali Pashë Tepelenës që zotëronte kryeqendrën e pashallëkut Janinën që nga viti 1788. Njohjet dhe kontaktet e para të Pashait Tepelenas me Çamërinë kanë qenë që më herët qoftë nëpërmejt kujtimeve të tij familiare pasi të paktën një kushuri i parë i bababit të tij, Islam Beu dhe vet i ati, Veli Beu kishin qenë pashallarë me dy tuje të Pashallëkut të Delvinës gjatë viteve 1759-1762, pashallëk që kishte në zotërim edhe disa territore çame por edhe gjatë aktivitetit të tij si Kryruajtës i rrugëve të Rumelisë, ku një pjesë e madhe e rrugëve tregtare që lidhnin kontinentin me tregtinë me Korfuzin dhe Ishujt Jonianë kalonin mes për mes territoreve të Çamërisë. Kjo politikë centralizuese e Ali Pashë Tepelenës dhe përpjekjeve të tij për të fuqizuar pushtetin e vet do do të binin në kundërshti me tendencat për një autonomi lokale të konsiderueshme që gëzonte në radhë të parë krahina e Sulit, autonomi të fituar prej shumë kohësh në konfliktet që kishte pasur me pashallarë të shumtë që kishin qeverisur sanxhakun e Delvinës dhe atë të Janinës por edhe bejlerët e Çamërisë.

Bashkësia e lirë e Sulit , jo më larg se 50 km në jugperëndim të  Janinës ishte një vatër qendrese me të cilët kundërshtarët e Ali Pashë Tepelenës  përpiqeshin gjithmonë t’i minonin pushtetin. Ali Pashë Tepelena e dinte edhe që Janina ishte vetëm një parapost nga nuk mund të sundohej Epiri po të mos shtihej në dorë Suli. Pukëvili shënon në veprën e vet “Historia e ringjalljes së Greqisë” për rolin e suliotëve në  koaliconet e feudalëve vendas në luftë kundër Ali Pashës, se përdoreshin si shkëndijë e parë e një lëvizje të pergjithshme, kundër tij. (François Pouqueville:fq,65)

Konflikti i parë i Ali Pashës me Suliotët

I tillë ishte konflikti i parë i tyre i vitit 1788 ku Ali Pashës iu desh të ndeshej me një beslidhje të kapedanëve suliotë dhe të qeveritarëve të sanxhakëve të Delvinës e të Vlorës, të cilën e përkrahën edhe autoritetet osmane për të ruajtur anarkinë në Shqipërinë Jugore.Të shqetsuar prej ardhjes në fuqi të Ali Pashë Tepelenës në sanxhakun e Janinës, sunduesit osmanë mbajtën një qendrim armiqësor ndaj tij. Ata strehuan në zotërimet e tyre feudalët e ndjekur dhe të shpronësuar nga sundimtari i Janinës; nxitën dhe ndihmuan me armë , me municione e me ushqime suliotët e himariotët, i premtuan ndihmë kundër Ali Pashës dhe ndërhynë që paria çame  dhe pashallarët e Delvinës e të Beratit të lidheshin kundër tij. Të inkuruajuara në këtë mënyrë, të gjithë këto forca filluan të lëvizin. Sidomos Suliotët dendësuan sulmet e tyre kundër trafikut të rrugës Janinë-Artë. Prania e malësisë së panënshtruar e të vetqeverisur të Sulit dhe veprimtaria e banorëve të saj përbënin një rrezik të madh për pushtetin e Ali Pashë Tepelenës. Për të mënjanuar rrezikshmërinë e suliotëve, për Ali Pashën kishte vetëm dy zgjidhje: ose t’i afronte që t’u shërbenin interesave të tij, ose t’i nënshtronte me forcë. Duke i mbetur besnikë lidhjeve të tyre me Republikën e Venedikut, suliotët nuk i pranuan propozimet e Ali Pashës për marrëveshje. Kështu filloi lufta e gjatë dhe e vështirë që ndërmori Ali Pasha kundër anarkisë feudale brenda vendit. Kjo luftë u gërshetua edhe me orvatjet e tij për të nënshtruar sanxhakët e Shqipërisë Jugore nën një pushtet të vetëm politik, dhe për ti dhënë fund anarkisë. Në shkurt të vitit 1789 ushtria e Janinës, që u nis kundër malësisë së panënshtruar të Sulit , u detyrua të tërhiqej për shkak të kundërsulmit të malësorëve trima, por edhe për shkak të komplotit të madh të mytesarifit të Janinës, që u përgatit nga feudalët kundërshtarë brenda pashallëkut. Ali Pasha përfundoi menjëherë paqen me suliotët , të cilëve u pagoi shuma të konsiderueshme dhe iu vu punës për të mënjanuar ngatërresat që ishin kurdisur prapa krahëve të tij(Historia e Popullit Shqiptar:fq 640)

Lojërat politike midis oxhaqeve feudale shqiptare

Popullsia malësore suliote duke i qendruar besnikë traditës së hershme të mercenarizmit nuk e kuptonte se po përdorej në lojën politike dhe konfliktin e hapur midis oxhaqeve feudale shqiptare  për zotërimin e Shqipërisë Jugore. Lufta e Ali Pashës kundër suliotëve kishte favorizuar lidhjen e një marrëveshje midis agallarëve të Çamërisë dhe sundimtarëve të sanxhakëve të Delvinës dhe të Vlorës. Këta nuk e shihnin me një sy të mirë ardhjen në fuqi të Ali Pashë Tepelenës dhe përforcimin e pushtetit të tij për shkak të pasojave ekonomike e ushtarake ë do të sillnin ato në sanxhakët e tyre. (Historia e Popullit Shqiptar:fq, 640) Ndërkohë që pushteti i Ali Pashë Tepelenës përforcohej në Shqipërinë Jugore dhe në Çamëri, pushteti perandorak osman pësonte një goditje të rëndë pas paqes së imponuar në luftën Ruso-Turke 1787-1792. Ali Pasha Tepelena, i cili iu bind thirrjes së Sulltanit për të shkuar në luftë, në të njëjtën kohë hyri në letërkëmbim me Princin Potjomkin, pasi duke parë disfatat osmane në front ishte shumë i interesuar për fatin e Pashallëkut të vet, nëse do të kishte një disfatë të mundshme osmane. Princi Potjomkin i premtoi një marrëveshje të favorshme dhe e shtyti të vazhdonte të pengonte dërgimin e forcave ushtarake të pashallarëve shqiptarë në luftë kundër Rusisë. Në shkurt të vitit 1791, Ali Pasha zhvilloi bisedime të reja me një diplomat rus, të cilit i deklaroi se ishte gati të merrte anën e Rusisë në qoftë se i jepeshin garanci se pas luftës do të mbetej i pavarur. Kurse në muajin qershor i kërkoi komandantit të flotiljes ruse në detin Mesdhe t’i dorëzonte princit Potjomkin propozimet e veta për një aleancë ushtarake dhe për të diskutuar për fatin e mëtejshëm të pashallëkut të Janinës pas dëbimit të osmanëve nga Gadishulli Ballkanik. Ali Pasha premtoi të merrte pjesë në një kryengritje antiosmane të shqiptarëve dhe grekëve. Për këtë qëndrim ai kërkoi sigurime për njohjen e tij si zot e sundues i pashallëkut, për njohjen e kufijve të territorit që do të zotëronte dhe për ushtrimin e fesë nga myslimanët. Nga ana e vet ai u zotua t’i trajtonte njëlloj si myslimanët ashtu dhe të krishterët në administratë e në ushtri dhe pranonte që Rusia të kishte të drejtën e mbrojtjes së të krishterëve në shtetin e tij. Ali Pasha kërkoi gjithashtu që , në rast se kryengritja do të dështonte, Rusia ta merrte në nën mbrojtjen e saj për t’i shpëtuar nërshkimit të sulltanit. Më në fund ai pranoi që si garanci të dërgonte peng në Petërburg njërin na djemtë e vet, i cili të mësonte atje artin ushtarak rus. (Historia e Popullit Shqiptar:fq, 641)  Si shikohet qartë nga teksti i propozimeve Ali pasha Tepelena i dërgonte Petërburgut, synonte konsilidimin e pashallëkut të tij edhe në formë trashëgimtare, njohjen e kufijve të pashallëkut të tij dhe një tolerancë të admirueshme fetare për kohën. Ky  pashallëk do të përfshinte brenda edhe territoret çame që administroheshin nga bejlerët e Çamërisë dhe pjesa tjetër malore nga suliotët. Mirëpo propozimet e tij nuk u pranuan, së pari sepse ato nuk përkonin me rolin meseanik që kish ndërmarrë Rusia për të krishterët ortodoksë në Ballkan por edhe pse në 3 janar 1792 u nënshkrua paqja në Jash midis Perandorisë Otomane dhe Rusisë dhe politika ruse nuk ishte më e interesuar për diversione të tilla politike brenda Perandorisë Otomane. Në të njëjtën kohë situata politike dhe rendi nuk kishin qenë të qeta brenda Pashallëkut të Janinës. Popullsia suliote në vazhdën e traditës së hershme të mercenarizmit e banditizmit që lëvronte gjithandej në Ballkan, por ndoshta edhe si një zbatues te politikave  destabilizuese brenda  Perandorisë Otomane të nxitur nga Rusia, kishin filluar një fushatë plaçkitëse që zgjati nga pranvera e vitit 1791 deri në mbarim të saj. Përveç fshatrave dhe rrugëve tregtare, ata sulmuan dhe plaçkitën krahinat e Paramithisë, Margëlliçit dhe Artës. Këto veprime i shtrinë deri në fshatrat e Pindit. Kështu ata ndezën zëmërimin jo vetëm të çifligarëve, por ede të fshatarësisë së dëmtuar rëndë dhe të zejtarëve e të tregtarëve të Janinës, të Artës, të Paramithisë, të Margëlliçit etj dhe të qyteteve të lidhura ekonomikisht me to. Veprimet e suliotëve nxitën e dhe aksion politik çka solli edhe bashkimin e kundërshtarëve të Ali Pashë Tepelenës si Ibrahim Pasha i Vlorës dhe të bejlerëve çamë për tu organizuar në një besëlidhje ushtarake kundër suliotëve. Në këtë beslidhje morën pjesë dhe krerët e armatolëve të fshatrave të dëmtuara. Por edhe këtë herë sulmi i pashës së Janinës dështoi mbasi nën nxitjen e agjentit rus në Korfuz L.Benaqi , u krijua një besëlidhje e re e feudalëve të sanxhakëve fqinjë dhe kapedanëve suliotë. Ali Pasha mënjanoi më parë suliotët. Besëlidhja nuk arriti të hynte në veprim, sepse Aliut i erdhi në ndihmë edhe Porta e Lartë , e cila ndërhyri për t’i paktuar, duke vendosur marrëdhënie krushqie midis qeveritarëve të Janinës dhe Beratit. Historia e Popullit Shqiptar:fq, 642)

Konsulli i mëvonshëm francez Pouqueville e përshkruan kështu sulmin e forcave të Ali Pashës ndaj suliotëve: Ishte buzëpranvera e vitit 1792, kur Aliu i përforcuar me kompanitë e armatolive , me trupat e bejlerëve të Çamërisë dhe me një njësi ndihmëse që ia kishte shkëputur vezirit Ibrahim, u bë gati t’u binte suliotëve. U nis nga Janina më 1 korrik dhe në krye të hordhive të veta ngriti fushimin në afërsi të Paramithisë , prej nga do t’i niste sulmet, ndërsa pesëmbëdhjetë ditë më vonë do t’i ngrinte flamujt pranë urës së Akeoronit, lumë që sot e quajnë Gliqis.Suljotët ishin duke kremtuar Eurosantinë, festë e moçme që është ruajtur në Thesproti qysh prej kohërave të pellazgëve, që nuk kishin zot tjetër veç Qiellit dhe elementëve të tij, të cilëve u bënin therrori në majat më të larta. Sipas zakonit të tyre, me afrimin e armikut suljotët i kishin braktisur fshatrat e fushës dhe kishin bashkuar forcat që lart nga 1300 vetë në grykat e maleve të tyre. Aliu i mbajti armatolitë si gardë personale dhe më 20 korrik u dha shenjën e betejës shqiptarëve myslimanë. Këta të fryrë nga disapak fitore të pararojës dhe kryelartë që i kishin parë suliotët të zbytheshin me avitjen e tyre, i mësynë me një sulm të përgjithshëm. Arritën kështu , me pallë në dorë t’i zmbrapsnin suliotët e të depërtonin në grykat e Tripës dhe të Shën Premtes. Kurrë nuk kishin mundur të shtyheshin kaq thellë; suljotët, kur panë këtë skenë, ia dhanë një vikame që ushtoi deri në skutat më të largëta të maleve të tyre. Sa u ndje kjo klithmë që lajmëronte rrezikun e përbashkët , gratë e prira nga Moskua, gruaja e kapedan Xhavellës dhe nga Kaidua , luftëtare po aq me famë sa Penteiseleja, endën që të merrnin pjesë në betejë , dhe zunë të rrokullinin mollokë shkëmbi që , me trandjen e tyre , ngritën rrungaja të vërteta gurësh , që ranë dhe e  shëmbën mu në mes kolonën mësymëse. Në këtë gjendje koka e bandave që kishte depërtuar në grykë mbeti e shkëputur nga pjesa tjetër , pa arritur të zërë pozione , dhe aty u thye; kurse praparoja arriti t’ia mbathë pasi la në vend 740 të vrarë , të cilëve iu prenë kokat për të bërë trofetë. Të tmerruara trupat u shpërndanë nga sytë këmbët, kurse vet Aliu u vesh me petkat e Paleopulit , të cilit i ngjasonte shumë , dhe morri arratinë në krye të 1000 vetëve, pjesa më e madhe armatolinj. (François Pouqueville. Ali Tepelena: 64-65)

Paqja e brishtë

Pas kësaj humbje të dytë, Ali pashë Tepelena u mundua që të arrinte një paqe me suliotët dhe të konsilidonte pushtetin e vet në territoret që zotëronte në rripin e ngushtë tokësor që kapte krahun e djathtë te lumit Vjosa deri në krahun veripërëndimor të vargmalit të Pindit, d.m.th hapësirën Konicë-Këlcyrë-Korçë si dhe krahinat e Artës. Synimet e tij shtriheshin drejt bregdetit dhe krahinës së Çamërisë , pasi ajo shërbente si një hambar furnizimi për Korfuzin dhe ishujt e tjerë por prej andej mund të siguronte dhe daljen në det, aq të rëndësishme për tregtinë e tij. Ali Pasha Tepelena i përkiste klasës së ajanëve myslimanë, pushteti i të cilëve bazohej në mbrothësinë e tyre si pronarë tokash apo tregtie dhe marrëdhëniet e veta me qeverinë qendrore.Në vitet e qeverisjes së tij ishte shumë evidente dhe ngritja e shtresës së tregtarëve të krishterë. Ky realitet i ri u pasqyrua dhe në një nga shtyllat e politikës së tij të brendshme, e cila ishte mbështetja e tregtisë me vepra zhvillimi. Tregtia me Evropën siguronte shpërblime të barabarta për tregtarin e krishterë dhe ajanin mysliman. Ky i fundit furnizonte produktet bujqësore dhe mbronte tregtarin. Të dy grupet donin një sistem të lirë e të hapur tregtie brenda perandorisë dhe i kundërviheshin kontrollit dhe rregullave të qeverisë.(Charles&Barbara Jelavich.: Themelimi i shteteve kombëtare të Ballkanit,1804-1920:faqe 22)

Këto synime do të plotësoheshin shumë shpejt kur në horizont ndodhën ngjarje të mëdha ndërkombëtare. Në vitin 1796 filloi fushata Napoloniane në Itali dhe si rezultat i betejave të fituara ndaj shteteve italiane, nënshtroi dhe Reublikën e Venedikut e cila zotërontë Korfuzin, Ishujt Jonianë dhe katër qytete në stere përballë tyre: Prevezën, Butrintin, Vonicën dhe Pargën. Me nënshkrimin e Traktatit të Kampio Formios midis Republikës Francezë dhe Peranodrisë së Shenjtë Austriake iu dha fund në vitin 1797 sundimit në këtë trevë të shtetit venedikas , zotërimet e të cilit në ishuj dhe stere u vendosën nën sundimin francez. Kështu kufijtë e Francës u shtrinë deri në kufijtë e pashallëkut të Janinës.(Historia e Popullit Shqiptar. Toena :fq 642)

Këto qytete sëbashku me Ishujt Jonianë ishin qeverisur për një kohë të gjatë nga Republika e Venedikut duke i parë si brez i ngushtë mbrotjeje për zotërimet e tyre në Korfuz dhe ishuj , ndërsa Konispolin dhe Filatin, qytete fqinjë të tyre i garantonte si qytete të lira, me një lloj autonomie të brendshme. (Veli Veliu. Relacione diplomatike ndërmjet Ali Pashës dhe Napoelonit (1797-1814). Vatra: fq 34)

Statusi dhe administrimi i tyre ishte njëlloj si i zotërimeve të tjera të Venedikut në Dalmaci, Peleponez dhe Kretë. Përsa i përket politikave që ndiqte ndaj faktorit shqiptar që ishte fqinj me të, Republika e Venedikut pasi kish vërejtur tendencën kah anarkia të bujarëve shqiptarë, venedikasit kishin organizuar një lidhje bejlerësh të bregdetit dhe të gjithë popullatave të pavarura , të cilat të ndara për shkak të interesave personale , nuk ngelnin pa u bashkuar kundër uzurpimeve të pashallarëve. Venediku i mbronte zotërimet e tij kontinentale me me konfederatat joformale të Çamërisë, Konispolit dhe Filatit, të cilat i mbante nën fre , Pashai i Delvinës, kufitari më i afërt. (Veli Veliu. Relacione diplomatike ndërmjet Ali Pashës dhe Napoelonit (1797-1814). Vatra: fq 47)

Republika e Venedikut ndiqte devizën e njohur latine “përça dhe sundo” pasi nuk lejonte anjë faktor lokal të fuqizohej më tepër se të tjerët dhe në këtë mënyrë të rivalizonte pushtetin e Republikës në stere, pasi humbja e atyre territoreve sillte një vështirësi shumë të madhe për furnizimin me drithë e lëndë të para të Korfuzit dhe ishujve të tjerë Jonianë. Kështu me ndihmën e bejlerëve të Margaritit dhe Paramithisë, pengonte (pa shkrepur asnjëherë), sulmet e pashait të Janinës. Kurse për të frenuar bejlerët myslimanë dhe për të mbisunduar plotësisht çështjet e Shqipërisë, me dëshirën e tyre, ai angazhonte popullatat e krishtera të Sulit dhe Himarës. Aq më tepër nga viti 1788, Republika e Venedikut kishte sjellë ligjin , i cili i ndalonte Pashait të Epirit të mbante bateri ushtarësh në distancë prej një milje italiane nga deti dhe të fortifikonte godinën e doganës në Sallomonë, në thellësi të gjirit të Ambrazisë. Kjo dispozitë u mbroj edhe me armë derisa Venediku ishte fuqi. (Veli Veliu. Relacione diplomatike ndërmjet Ali Pashës dhe Napoelonit (1797-1814). Vatra: fq 47)

Fqinjësia e papritur me Republikën Franceze, një faktori të ri politik në Dalmaci dhe në ishujt Jonianë solli dhe ndryshime në politikat e ndërsjellta midis dy palëve. Sukseset e armatave franceze në Itali, i dhanë dorë Napoelonit që të përgatiste fushatën e lindjes, ku një rol depërtues dhe kryesor do të luante pushtimi i Egjiptit. Ky aksion do të ndërmerrej për të dëmtuar interesat ekonomike dhe tregtare të Anglisë, ndaj dhe Direktorati dha miratimin e duhur pavarësisht faktit se do ta armiqësonte Francën me Perandorinë Osmane. Për të lehtësuar fushatën ushtarake në Egjipt, Franca përkrahte fuqizimin e pashallarëve të Rumelisë dhe prirjet e tyre vetqeverisëse në dëm tëe pushtetit qendror të Sulltanit. Komandanti francez i Korfuzit u urdhërua të përkrahte Ali Pashë Tepelenën dhe forcimin e pushtetit të tij brenda pashallëkut dhe jashtë tij. Përforcimi i këtij sundimtari shqiptar, theksonte Bonaparti, ishte në interes të Republikës. (Historia e Popullit Shqiptar. Toena: fq 642)

Ali Pasha Tepelena e shfrytëzoi shumë mirë këtë miqësi dhe përkrahje për të realizuar synimet e tij territoriale drejt Çamërisë dhe bregdetit të Jonit. Ai mundi t’u shkëpuste francezëve lejen për të pasur flotiljen e tij në kanalin e Korfuzit dhe në këtë mënyrë bëri të mundur që në gusht të vitit 1797 të ndërmerrte një sulm të befasishëm kundër bregdetit shqiptar të Himarës. Si rrjedhim Ali Pasha shtiu në dorë pjesën kryesore të këtij bregdeti nga Butrinit deri në Porto Palermo. (Historia e Popullit Shqiptar. Toena: fq 642)

Ndërkohë pas fushatës franceze në Egjipt, ishte krijuar një aleancë e re politike ushtarake, ku Perandoria Otomane iu bashkangjit Anglisë dhe Rusisë.  Francezët u munduan ta neutralizonin Ali pashë Tepelenën duke i premtuar lavdinë nën përkrahjen e Francës, ose të paktën të ruante neutralitetin po duke mos marrë pjesë në fushatën kundër rebelimit të Paasvan Ogllusë, që po i shkaktonte shqetsime Potës së Lartë. Mirëpo Ali Pasha Tepelena, iu bind urdhrit të Sulltanit për të marrë pjesë në fushatën kundër Pasvan Ogllusë dhe në të njëjtën kohë la porosi të qarta bijve të tij për të qenë të kujdesshëm ndaj kundërshtarëve politikë në pashallëk. Shpallja e aleancës anglo-ruso-osmane i percipitoi ngjarjet më shpejt sesa mund të mendonte Ali Pasha Tepelena për të siguruar synimet e tij terriotoriale drejt bregdetit jonian. Kështu , pa pritur që të mbrrinte flota e aleancës së re që do të dëbonte trupat franceze nga Ishujt Jonianë , trupat e tij sulmuan garnizonet franceze në Butrint të cilin francezët kishin refuzuar t’ia jepnin dhe më vonë Prevezën dhe Vonicën. Qytetin e Pargës nuk arriti ta merrte dot për shkak të kundërshtimit të banorëve por edhe sepse arritën forcat ruse të cilat e vunë nën zotërimin e tyre. Pukëvili njofton për një betejë të pabarabartë midis forcave shqiptare dhe franceze, por impakti i këtyre ngjarjeve ishte shumë më tepër ekonomik, politik e gjeostrategjik për Ali Pashë Tepelenën, që në këtë mënyrë arritit të siguronte një port-skelë të rëndësishëm në bregdetin Jon, si qyteti i prevezës dhe dy skela më të vogla si Vonica dhe Sajadha.  Për fitoret e arritura Porta e Lartë e shpërbleu më 1799 me gradën e vezirit, por kjo gradë ishte vetëm një akt ngushullimi sepse me këmbënguljen e rusëve të cilët e shihnin Ali pashë Tepelenën si një pengesë ndaj synimeve të tyre për të sunduar në Gadishullin Ballkanik, qytetet bregdetare iu hoqën nga dora dhe iu dhanë portës së Lartë për administrim. Porta e lartë caktoi një nëpunës të saj Abdullah Beun , i cili qendrën e vet rezidenciale e kishte në Prevezë.  Konventa ruso-osmane e muajit prill 1800 krijoi Republikën e Shtatë Ishujve dhe me këtë sanksinoi vendosjen e rusëve në Ishujt Jonianë. Kjo konventë sanksionoi që edhe qytetet e bregdetit të pushtuara nga forcat e Ali Pashë Tepelenës, të konsideroheshin si prona të Sulltanit, por Ali Pasha Tepelena edhe pse largoi forcat e veta nga këto qytete, arriti ta manipulonte të dërguarin e sulltanit.  Prania e rusëve në Ishujt jonainë,  ndërhyrja e mëparshme e tyre në Pargë si dhe përpilimi i konventës i ashpërsoi marrëdheniet diplomatike midis dy palëve. Diplomatët rusë filluan të ndjekin politikën e mëparshme të venedikasave, duke nxitur e përkrahur elementi e krishterë shqiptar si suliotët dhe himariotët si dhe bllokun feudal të Shqipërisë së Jugut të udhëhequr nga Veziri Ibrahim Pasha i Vlorës dhe Mustafa Pashë Koka i Delvinës dhe bejlerët e Çamërisë. Mustafa Pashë Koka, që në vitin 1798 kërkoi ndihmë nga rusët për të rifituar Pashallëkun e Delvinës, mirëpo Ali Pasha Tepelena e detyroi në tetor 1799 t’i nënshtrohej me forcën e armëve. Por rusët, pasi e detyruan Portën e Lartë të nënshkruante traktatin e 21 prillit 1800, kërkuan sundimin e sanxhakut të Delvinës, t’ia jepnin agjentit të tyre, Mustafa Pashës. (Historia e Popullit Shqiptar. Toena: fq 643)

Konflikti përfundimtar

Të gjitha këto ndërhyrje të rusëve në Pashallëkun e Janinës si dhe përkrahja e hapur ndaj kundërshtarëve të Ali pashë Tepelenës, u dha zemër suliotëve, pavarësisht faktit se kishin një farë marrëveshje me Ali Pashë Tepelenën për të mos e trazuar, ata e shkelën ujdinë dhe të ndihmuar prej rusëve, filluan veprimet plaçkitëse brenda Pashallëkut. Në të njëjtën kohë Ali pasha Tepelena arriti që të mësonte me eksaktësi nga policia sekrete e tij se pas rezistencës së organizuar suliote dhe lëvizjeve himariote qendronin misionarë rusë që zbarkonin në mënyrë të fshehtë dhe të palighshme, prisnin kapedanë të rezistëencës suliote, kundërshtarë të Aliut në bazat e tyre në Korfuz, Lefkadhë, Zaqintho, Santa Maura dhe i nxisnin për komplotuar dhe përmbysur pashanë e Janinës.(Irakli Kocollari. Policia sekrete e Ali Pashës: fq 24-25)

Në këto kushte Ali Pasha Tepelena intesifikoi përpjekjet e tij për të eliminuar qendresën suliote ndaj në muajin qershor 1800, pasi siguroi përkrahjen e agallarëve kryesorë çamë, filloi ekspeditën kundër Sulit, por këtë herë duke përdorur një taktikë të re, atë të një rrethimi të fortifikuar që sa vinte dhe ngushtohej. Qendresa e suliotëve sa erdhi dhe u dobësua pas këtij rrethimi dhe as përpjekja e rusëve për t’in ndihmuar dhe as organizmi i një besëlidhje të re nuk bënë të mundur që Suli të ruante lirinë e vet. Këto tendenca ekspansionuese të Pashait Tepelenas do të binin në kundërshti me tendencat për një autonomi lokale të konsiderueshme që gëzonin bejlerët e Çamërisë, të cilët për ti bërë ballë pushtetit në rritje të Ali Pashës u organizuan në një besëlidhje sëbashku me Suliotët në vitin 1802  kundër tij. Në këtë lidhje morën pjesë Islam Pronjoja i Paramithisë, Dematët dhe Sejkatët e Filatit, Çeparenjtë e Luaratit, Daljanenjtë e Konispolit, bejlerët e Margëllicit, bejlerët e Delvinës dhe të Beratit. (Hajredin Isufi. Musa Demi dhe qendresa çame 1800-1947: fq, 13)

Gjithësesi në datën 25 dhjetor 1803 , malësorët trima të Sulit nënshkruan aktin e kapitullimit para Veli pashës, i cili pranoi kushtin që ata të largoheshin jashtë kufijve të pashallëkut. Në këtë pikë të marrëveshjes nisi dhe një nga keqkuptimet më të mëdha, mids Ali Pashës dhe suliotëve , pasi ky dëshironte që ata të vendoseshin brenda kufijve të pashallëkut , pasi e dinte që nëse do të largoheshin , suliotët do të ishin kundërshtarë të përjetshëm të tij. Ali Pasha premtoi se do t’u krijonte kushte jetese, pune dhe shërbimi , ndërsa suliotët nuk pranuan të ktheheshin dhe filluan luftimet me repartet e Vezirit. Në këto luftime ndodhi dhe heroizmi grave të Sulit, të cialt sakrifikuan veten e tyre sëbashku me gjithë fëmijë duke u hedhur në rrëpirën e shkëmbit të Zalongut. Pjesa tjetër e suliotëve u vendos në Ishujt Jonianë dhe në Pargë, ku themeluan dhe regjimentin shqiptar dhe ashtu si kishte parashikuar Ali pasha Tepelena do të vazhdonin luftën kundër tij, duke marrë pjesë në inskursione të herë pas hershme plaçkitëse në Pashallëk. Marrëdheniet e tyre do të vazhdonin të ishin të tendosura deri në vitin 1820 kur fillon rebelimi i Ali Pashë Tepelenës ndaj Portës së Lartë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *