Nga Ledi Shamku
FJALOR APO MISION ETNIK?!
Nesër Kuvendi i Shqipërisë ratifikon Protokollin e Marrëveshjes për Anëtarësimin e Malit të Zi në Nato. Sigurisht duam më tepër vlera e bashkërendim energjish në Rajon!
Por po sot, Kryetarja e Grupit të Punës për hartimin e Fjalorit Fyes për Shqiptarët, ai grup “pune” (mision etnik ndoshta me ç’po duket) që i quan shqiptarët e Malit të Zi ardhacakë në viset e veta, zonja Beçanoviq, lëshon një deklaratë me një gjuhë që më kujton klithmat e çetnikëve të kohës së Millosheviçit. Kërkesës së shqiptarëve për ta tërhequr dhe rishikuar atë pjesë fyese të Fjalorit, Beçanoviq i përgjigjet kështu: “Më mirë të më djegin të gjallë në qendër të qytetit sesa ta tërheq këtë fjalor”. (Më poshtë do gjeni linkun me deklaratën e saj)
Më mirë ta djegin të gjallë se të normalizojë Fjalorin?! Më mirë ta djegin të gjallë sesa të mos fyejë Shqiptarët?! Pranon të digjet e gjallë, mjaft që të falsifikojë historinë e Shqiptarëve?! “Martire” e kujt po don të ofrohet kjo “shkencëtare”?! E shkombëtarizimit të Shqiptarëve?! Ky a është Fjalor Enciklopedik apo Mision Etnik?!
Akademia paguhet nga qeveria malazeze!!!! Dhe qeveria malazeze as nuk flet e as nuk reagon! Qeverisë Malazeze po i shtrijmë dorën e paqes për në Nato. Tash një pytje kam: me këtë klimë acari etnik që po mbjell kjo qeveri me heshtjen e saj, a mund të më shpjegojnë eskpertët e Natos, me cilat ndjesi do rreshtohen sup më sup një shqiptar Ulqini me një malazez, në një front të përbashkët në mbrojtje të të Drejtave të gjindjes?
Zonjë, se shkencëtare nuk ju quaj dot, shkencëtari nuk flet kurrë me gjuhë zjarresh, zonjë pra: TËRHIQENI SA MË PARË ATË FJALOR E MOS I FRYNI ZJARREVE ATAVIKE ETNIKE E ÇETNIKE, QË NDOSHTA VLOJNË NË MENDJET TUAJA, PO JO TONAT. Ju përshëndes zonjë me një proverb shqiptar: UTHULLA E FORTË THYEN ENËN E VET!!!