Akademia hap thirrjen për Çmimet Shkencore

Thirrje për pjesëmarrje në konkursin e çmimeve shkencore kombëtare 2017 të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

Edicioni II

(Themeluar me Urdhrin nr. 11, datë 6 tetor 2016 dhe shpallur me vendimin nr. 13, datë 01.06.2017)

Mbështetur në rregulloren Për themelimin e çmimeve vjetore shkencore kombëtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, shpallet hapja e edicionit të dytë (2017) të konkursit të çmimeve shkencore kombëtare të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

1. Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u drejtohet bashkësive shkencore brenda e jashtë vendit me thirrjen për të marrë pjesë në konkursin shkencor kombëtar vjetor 2017 për këto çmime shkencore kombëtare:
– Çmimin Ҫabej, çmim shkencor kombëtar në fushën e shkencave shoqërore e albanologjike;
– Çmimin Radovicka, çmim shkencor kombëtar në fushën e shkencave natyrore e teknike;
– Çmimin e karrierës akademike për merita dhe vepra jetësore në shkencë;
– Dy çmimet për kërkuesin e ri më të suksesshëm, gjegjësisht për shkencat shoqërore-albanologjike dhe natyrore-teknike.
2. Shpallja e interesit për pjesëmarrje fillon nga data 1 qershor 2017 dhe përfundon më datën 31 dhjetor 2017.
3. Në çmimet kombëtare shkencore pranohen vepra me karakter origjinal (botime monografike, projekte kërkimore dhe patenta shkencore të regjistruara), që janë botuar, publikuar a regjistruar gjatë vitit 2017.
4. Pjesëmarrës në konkursin për çmimet shkencore kombëtare 2017 mund të jenë: studiues nga Republika e Shqipërisë, nga gjithë hapësira historike shqiptare dhe nga diaspora; albanologë e shkencëtarë të huaj me veprimtari të shquar aktive në shkencën shqiptare.
5. Kandidatët mund të propozohen nga institucionet kërkimore shkencore ku kryejnë veprimtarinë e tyre, nga botues dhe subjekte të tjera jopublike. Kandidatët mund dhe të vetëpropozohen.
Për vepra me karakter institucional, propozues e pjesëmarrës mund të jenë njësitë themelore të kërkimit shkencor akademik e universitar (departamente, qendra e institute kërkimore shkencore), të cilat e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në sistemin kombëtar të kërkimit shkencor në vend.
Kandidimet pranohen për vepra me një autor dhe me shumë autorë, për vepra vetjake e institucionale.
6. Kandidati i vetëpropozuar ose i propozuar nga një qendër kërkimore, ent botues apo subjekt tjetër; dhe/ose subjekti i kandiduar për një vepër shumautorëshe, duhet të paraqesë zyrtarisht pranë zyrës së protokollit të Akademisë së Shkencave këto dokumente:
– një kërkesë vetjake të motivuar;
– curriculum vitae;
– listën e bashkautorëve dhe/ose përbërjen e redaksisë (për veprat me shumë autorë dhe nismat shkencore institucionale);
– dy kopje të studimit / projektit të botuar. Në përfundim të konkursit botimet hyjnë në fondin e Bibliotekës Shkencore të Akademisë së Shkencave;
– certifikatën e regjistrimit të patentës;
– deklaratën e autorësisë së punës origjinale kërkimore shkencore / patentës;
– një përmbledhje analitike në gjuhën angleze për studimin e paraqitur;
– deklaratën për pranimin e kushteve të konkurrimit;
– dy rekomandime për veprën e kandidatit konkurrues prej institucionesh të specializuara kërkimore akademike-universitare janë të mirëpritura.
– Kur çmimi i jepet një institucioni, ai depoziton gjithashtu: aktin e themelimit, statutin, kopje të dokumentit si person ligjor, deklaratën e pranimit të konkurrimit për çmimin sipas kësaj rregulloreje.
7. Juria shpall publikisht, në faqen www.akad.gov.al dhe në rrjetet sociale të ASH-së, listën e plotë të konkurrentëve të propozuar dhe/ose të vetëpropozuar jo më vonë se dyjavëshi i parë i muajit janar të vitit 2018.
8. Juria përzgjedh nga numri i përgjithshëm i kandidatëve jo më shumë se 4 (katër) prej tyre për t’i shpallur të nominuar për secilin çmim. Nominimi njoftohet nga juria jo më vonë se dyjavëshi i parë i muajit shkurt 2018.
9. Pas nominimeve, deri në shpalljen e fituesve, Akademia e Shkencave krijon mundësitë që të nominuarit të paraqiten me ligjërata shkencore akademike për çështje të trajtuara në veprat e paraqitura në konkurs prej tyre në forume shkencore publike me praninë e jurisë, audiencës së specializuar dhe publikut të interesuar.
10. Fituesve të çmimeve shkencore kombëtare u jepen:
– Diploma si fitues, me nënshkrimin e kryetarit të jurisë dhe të Kryetarit të Akademisë; diploma përmban emrin e fituesit, titullin e çmimit, motivacionin, nënshkrimet e autoritetit vendimmarrës dhe numrin e amzës;
– Stemën e institucionit që jep çmimin, të personalizuar;
– Për fituesit e çmimit “Çabej”, “Radovicka” dhe “Çmimit të karrierës”, juria jep gjithashtu statuetën-shenjën artistike të tyre, vepër e skulptorit Maksi Velo;
– Fituesit e çmimeve shkencore kombëtare kanë të drejtën e një shpërblimi financiar, që vendoset nga Kryesia e Akademisë.
11. Për komunikimet teknike-zyrtare pranë Akademisë së Shkencave ngrihet sekretaria e jurisë.
12. Shpallja e laureatëve fitues të çmimeve vjetore kombëtare bëhet me një ceremoni të posaçme publike brenda muajve mars–prill të vitit 2018 në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Tiranë, më 1 qershor 2017

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *