Akademia e Shkencave i propozon Stokholmit Kadarenë për çmimin “Nobel”

Kadare_2_310332
Akademia e Shkencave të Shqipërisë i ka dërguar një letër komitetit të Nobelit, duke i propozuar Ismail Kadarenë për çmimin e madh të letërsisë. Lajmi konfirmohet për Gazeta Shqiptare nga prof. Floresha Dado, Kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, të Akademisë së Shkencave. Ajo ka treguar se cilat janë argumentet me të cilat Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka argumentuar propozimin e bërë, ku veç vlerave të letërsisë së Kadaresë, përmendet edhe: “Si shkrimtar dhe eseist me vetëdije të fuqishme kritike, si në raport me realitetet historike të Shqipërisë, ashtu edhe në plane më të gjera, të realiteteve të sotme, ballkanike dhe evropiane; Si shkrimtar me shpirt të disidencës, të shprehur artistikisht, gjatë viteve të krijimtarisë së tij.

Ekzili politik në Francë, në 1990, ishte nxitje për proceset demokratike në Shqipërinë e diktaturës”.
“Nëse kritika botërore vazhdon të shkruajë dhe ta vlerësojë Ismail Kadarenë si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, nëse çmimet më prestigjioze botërore i janë dhënë, atëherë nuk di se cili do ishte kriteri tjetër për të merituar çmimin ‘Nobel në Letërsi’?”-pyet Prof.Floresha Dado. Pyetjes se sa merren parasysh këto propozime, ajo i përgjigjet: “Nuk mund të them se në ç’masë merren parasysh propozimi dhe argumentet që përcjell Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Sigurisht Komiteti i Nobelit ka kriteret e veta”. Ndërkaq Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Gjirokastrës e kanë shpallur këtë vit, vitin e Kadaresë dhe kanë bërë me dije kalendarin e aktiviteteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *